“Kim Jo-Jong”, ja profili i numrit dy të Koresë së Veriut që mund të ndryshojë fatin e vendit komunist

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“Kim Jo-Jong”, ja profili i numrit dy të Koresë së Veriut që mund të ndryshojë fatin e vendit komunist

Nga Sojin Lim “The Conversation”

Kur presidenti i Koresë së Jugut, Mun Jae-in, bëri kohët e fundit thirrje për t’i dhënë fund luftës në gadishullin e Koresë, përgjigja fillestare ishte një kundërshtim i prerë nga zëvendësministri i jashtëm i Koresë së Veriut.

Kjo ka qenë në fakt përgjigja standarde nga Pheniani, sa herë që është ngritur ideja për ta kthyer në një traktat të vërtetë paqeje, armëpushimin e vitit 1953 midis dy Koreve ndërluftuese. Por të nesërmen ndodhi diçka e papritur.

Një mesazh mjaft më i ngrohtë u lëshua nga Kim Jo-jong, motra e udhëheqësit suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, e cila e cilësoi këtë ide si “të admirueshme”. Megjithatë ajo specifikoi një numër parakushtesh që do të duhej të plotësoheshin.

Advertisement

Sipas saj duhet hequr dorë nga paragjykimet jologjike, nga zakonet e këqija dhe qëndrimi armiqësor, teksa mbrojti të drejtën e vetëmbrojtjes së veriut. Ky ishte një mesazhi që zakonisht mund të pritej nga vetë Kim Jong-un.

Ndaj analistët koreano-jugorë, nisën të diskutonin se çfarë peshe mund t’i njohë bota një deklarate të bërë nga motra e tij më e vogël. Po kush është në fakt Kim Jo-jong? Motra e udhëheqësit suprem, u vendos për herë të parë në vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2018, kur u bë anëtarja e parë e dinastisë Kim të Koresë së Veriut që e vizitoi Korenë e Jugut në kuadër të një delegacioni zyrtar.

Ajo ishte pjesë e delegacionit koreano-verior në Lojërat Olimpike Dimërore në Pjong Çang, në të cilat të dyja vendet konkurruan si një ekip. Kim pati një takim me presidentin Mun dhe u fotografua duke u takuar me zv/presidentin amerikan Majk Pens dhe kryeministrin japonez Shinzo Abe.

Pamjet e vizitës së saj në jug dominuan edicionet e lajmeve në Korenë e Veriut. Pas asaj që u raportua si triumfi i saj diplomatik në Lojërat Olimpike Dimërore, profili i saj u rrit kur u takua me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe kur ishte e pranishme në të 3 takimet ballë për ballë midis vëllait të saj dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Advertisement

Dihet shumë pak mbi fëmijërinë e Kim jo-jong. Madje edhe data e lindjes së saj është e paqartë. Ajo është fëmija më i vogël i marrëdhënies së ish-udhëheqësit suprem Kim Jong-il me Ko Yong-hui, që ishte me origjinë nga Japonia, ndaj cilësohej se vinte nga një kastë e ulët në sistemin kompleks korean “kunga”.

Dihet se Kim Yo-jong ka ndjekur të njëjtën shkollë private me vëllain e saj të madh në Bernë të Zvicrës, pas së cilës ajo ndoqi Universitetin Kim Il-sung në Phenian, ku studioi për shkenca kompjuterike. Në vitin 2009, gjendja e rënduar shëndetësore e Kim Jong-il e bëri trashëgiminë një çështje urgjente, dhe u bë gjithnjë e më e qartë se Kim Jong-un po përgatitej për të marrë drejtimin e vendit pas vdekjes së tij.

Në funeralin e Kim Jong-il, Kim Jo-jong u fotografua së bashku me anëtarët e lartë të familjes. Ajo është zgjedhur 2 herë në Byronë Politike, në vitet 2017-2019 dhe 2020-2021. Përveç kësaj, ajo është gjithashtu një udhëheqëse e Departamentit të Propagandës dhe Agjitacionit, ku ajo e ka forcuar kultin e personalitetit të vëllait të saj, si dhe ka bërë deklarata të rregullta në lidhje me marrëdhëniet e jashtme të Koresë së Veriut.

Besohet se ajo është e martuar me Ço Song, djalin më të vogël të Sekretarit të Partisë së Punëtorëve të Koresë, Ço Riong Hae, gjë që i jep asaj një burim tjetër të pushtetit politik.

Advertisement

A mund të jetë një trashëgimtare e pushtetit absolut të vëllait të saj? Sa fuqi ka në të vërtetë Kim Jo-jong?

Një incident i ndodhur në qershorin e vitit 2020, tregon shkallën në të cilën ajo mund të ushtrojë pushtetin e saj në Korenë e Veriut. Në shenjë hakmarrje për përdorimin e balonave nga dezertorët e Koresë së Jugut për të hedhur fletëpalosje propagandistike në Veri, ajo paralajmëroi se kishte urdhëruar departamentin përgjegjës për çështjet ndër-koreane “të kryente me vendosmëri veprimin tjetër”, duke shtuar:”Shumë shpejt, do të shihni shembjen e zyrës së padobishme të ndërlidhjes veri-jug”.

Dhe të nesërmen godina u hodh në erë, gjë që sugjeron se kur Kim Jo-jong urdhëron diçka, ai zbatohet. Një episod tjetër interesant, mund të hedhë dritë mbi marrëdhëniet e pushtetit midis saj dhe vëllait të saj.

Në marsin e vitit 2020, Kim Jo-jong lëshoi ​​deklaratën e saj të parë zyrtare, duke sulmuar zyrën presidenciale të Koresë së Jugut, të ashtuquajturën Shtëpia Blu, e cila i kishte bërë thirrje Veriut të ndalonte stërvitjet e saj ushtarake.

Advertisement

Ajo e cilësoi presidentin koreano-jugor si “një kalama”, dhe si “një fëmijë që ka frikë nga zjarri”. Dy ditë më vonë Kim Jong-un dërgoi një mesazh ngushëllimi për valën e madhe të Covid-19 në Korenë e Jugut.

Mesazhi i futi në konfuzion vëzhguesit e Koresë së Veriut, të cilët hipotetizuan nëse vëllezërit e motrat ishin në mosmarrëveshje mbi marrëdhëniet Veri-Jug, apo nëse kjo ishte një shfaqje e diplomacisë “polici i mirë-polici i keq”.

Në familjen Kim shumë prej pretendentëve të mundshëm meshkuj për pushtet janë ekzekutuar ose vrarë, përfshirë Kim Jong-nam, gjysmë-vëllai i Kim Jong-un, që u vra me agjentin nervor VX në aeroportin e Kuala Lumpur në Malajzi në vitin 2017; dhe xhaxhain e tij, Jang Song-thaek, i cili thuhet se u ekzekutua nga skuadra e pushkatimit në vitin 2013, pasi u akuzua se ishte një kundër-revolucionar.

Pra kur bëhet fjalë nëse dhe kur ajo mund të jetë në gjendje të tentojë postin më të lartë në Korenë e Veriut, statusi i marrëdhënies së Kim Jo-jong me vëllain e saj, është po aq i kontrolluar sa edhe shëndeti fizik i Kim Jong-un.

Advertisement

Duket se për të arritur në krye të Korenë e Veriut, është e nevojshme të kapësh pushtetin e “trinitetit” të ushtrisë, partisë dhe njerëzve. Kim Jong-il dhe Kim Jong-un u bënë figura udhëheqëse të Komisionit Kombëtar të Mbrojtjes (NDC)-ushtarake-si dhe partisë përmes Partisë së Punëtorëve të Koresë (KWP).

Ata të dy kishin zhvilluar kultin e tyre të personalitetit, dhe kjo u dha qasje tek njerëzit. Kim Jo-jong mund të ketë arritur njohjen e emrit në cilësinë e zëdhënëses për marrëdhëniet me jashtë, dhe ka qasje në radhët e KWP. Por ajo nuk është emëruar ende në një pozicion në NDC. Nëse kjo gjë do të ndodhë së shpejti, kjo mund të jetë një shenjë se Koreja e Veriut po përgatitet për lideren e saj të parë grua.(CNA.al)

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy