Kina kërcënon SHBA-në: Do të kundërpërgjigjemi…

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kina kërcënon SHBA-në: Do të kundërpërgjigjemi…

Kina ka kërcënuar se do t’i kundërpërgjigjet Shteteve të Bashkuara për bojkotimin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.

Pekini tha se Lojërat Olimpike nuk janë “një skenë për shfaqje politike dhe për manipulime politike”.

“SHBA-ja do të paguajë çmim për këtë gjë”, tha më 7 dhjetor zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijain. Ai u pyet se çfarë kundërmasash do të ndërmarrë Kina, por nuk tregoi dhe vetëm tha se duhet pritur.

Ky reagim i Kinës erdhi pasi më 6 dhjetor, Shtëpia e Bardhë njoftoi se nuk do të dërgojë diplomatë apo përfaqësues zyrtarë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Uashingtoni tha se ekipi olimpik amerikan do të ketë “mbështetjen e plotë” të administratës dhe nuk do të ndikohet nga bojkoti diplomatik.

Advertisement

“Administrata (e presidentit amerikan, Joe) Biden nuk do të dërgojë asnjë diplomat apo zyrtar në Lojërat Olimpike ‘Pekini 2022’ dhe as në Lojërat Paralimpike për shkak të gjenocidit të vazhdueshëm të Kinës dhe krimeve kundër njerëzimit në Ksinjiang dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut”, tha sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Psaki tha se dërgimi i diplomatëve apo përfaqësuesve zyrtarë do të nënkuptonte se SHBA-ja do t’i trajtonte këto lojëra si ngjarje normale “në kohën e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe mizorive të tjera të Kinës në Ksinjiang, dhe ne thjesht nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë”.

Ajo shtoi se atletët do të kenë mbështetjen e plotë, por “ne do t’i përkrahim ata nga shtëpia”.

Ndërkaq, Sarah Hirshland shefe ekzekutive e Komitetit Olimpik dhe Paralimpik të SHBA-së, përmes një deklarate tha se ekipi i SHBA-së ishte i “ngazëllyer dhe i gatshëm që ta bëjë krenar kombin”.

Advertisement

“Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e pakursyer të presidentit dhe administratës së tij dhe ne e dimë se ata do të na përkrahin gjatë këtyre lojërave”, tha ajo.

Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden tha se po e shqyrtonte mundësinë e bojkotit diplomatik për shkak të situatës me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, përfshirë edhe atë që Uashingtoni e quan gjenocid ndaj ujgurëve, kazakëve dhe pjesëtarëve të tjerë të grupeve etnike indigjene, shumica prej tyre myslimane dhe grupeve të tjera etnike në Ksinjiang.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se rreth dy milionë ujgurë dhe pjesëtarë të minoritete të tjera janë dërguar në kampe ndalimi në rajonin e Ksinjiangut. Personat që janë larguar nga Kina kanë thënë se Qeveria qendrore kineze në këto kampe ushtron represion fetar, torturë dhe sterilizim të detyruar.

Për shkak të shkeljeve ndaj ujgurëve, më 6 dhjetor Bashkimi Evropian zgjati sanksionet ndaj Kinës edhe për një vit. BE-ja tha se sanksionet janë pjesë e një pakoje më të gjerë të masave kundër Libisë, Rusisë dhe Koresë së Veriut dhe në të përfshihen individë dhe entitete “që janë përgjegjës për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në disa shtete në mbarë botën”.

Advertisement

BE-ja kishte prezantuar sanksionet e para në mars të vitit 2021. Ato ishin sanksionet e para që blloku evropian ndërmori ndaj Pekinit për shkak të të drejtave të njeriut, që prej masakrës më 1989 në Sheshin Tiananmen.

Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022” do të nisin më 4 shkurt dhe do të zgjasin deri më 20 shkurt./R.E.L

 

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy