Konferenca e parë për urinë prej dekadash

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Konferenca e parë për urinë prej dekadash

Një në dhjetë familje në Shtetet e Bashkuara nuk e ka të siguruar ushqimin dhe situata ka qenë e tillë për dekada. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, në konferencën e parë të këtij lloji në pothuajse 50 vjet, Shtëpia e Bardhë mblodhi të mërkurën ekspertët për të diskutuar se si vendi që jep më shumë ndihma ushqimore në botë mund të ushqejë më mirë qytetarët e vet.

 

Uria mund të jetë e vështirë të perceptohet në vendin më të pasur të botës.

 

Advertisement

Por aktualisht, nëntë milionë fëmijë amerikanë janë të uritur, dhe siç tha Presidenti Joe Biden të mërkurën ndërsa çeli konferencën e parë të Shtëpisë së Bardhë për urinë dhe të ushqyerin e shëndetshëm, ky është një problem i madh.

 

“Vetëm javën e kaluar në Kombet e Bashkuara, unë fola për angazhimet që kemi ndërmarrë për të zgjidhur mungesën e sigurisë ushqimore në botë. Sepse në çdo vend të botës dhe në çdo shtet amerikan, pavarësisht nga gjërat që na ndajnë, nëse prindi nuk ushqen dot fëmijën, nuk ka asgjë tjetër që ka rëndësi për atë prind. Nëse e shikon fëmijën dhe nuk mundesh ta ushqesh, çfarë vlere kanë të tjerat”, tha Presidenti Biden.

 

Advertisement

Uria është një fenomen global, dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë ndër vendet që e përjetojnë më shumë. Sipas Indeksit Global të Sigurisë Ushqimore, Shtetet e Bashkuara radhiten në vendin e 13-të, ndërkohë që Finlanda radhitet e para, ndërsa Siria dhe Haiti zënë vendet e fundit në botë.

 

Konferenca e Presidentit Biden vendos objektivin ambicioz për t’i dhënë fund urisë dhe për të pakësuar sëmundjet për shkak të dietës ushqimore deri në vitin 2030. Të mërkurën, ai njoftoi fonde prej 8 miliardë dollarësh në projekte publike dhe private, si dhe planet për të rritur qasjen në shkolla tek vaktet falas dhe zgjerimin e ndihmës ushqimore nga qeveria për fëmijët dhe familjet.

 

Advertisement

Miratimi i fondeve nga Kongresi nuk është i sigurtë. Republikanët zakonisht mbështesin trajtimin e problemeve sociale me mjete joqeveritare. Edhe aktivistët kundër urisë vënë në dukje se Uashingtoni nuk mund t’ja dalë mbanë i vetëm.

 

“Do të thoja që është një objektiv tepër ambicioz t’i jepet fund urisë deri në vitin 2030. Ka shumë gjëra që mund të bëjë qeveria federale. Por, duhet jetë realisht një përpjekje e përbashkët e qeverisë federale, qeverisë së shtetit, qeverisë lokale, korporatave, filantropëve dhe e të gjithë shoqërisë civile për t’ia arritur kësaj”, thotë Noreen Springstead, nga organizata “WhyHunger”.

 

Advertisement

Dhe sfidat gërshetohen. Pasiguria ushqimore u rrit gjatë pandemisë dhe pas sulmit të Rusisë në Ukrainë.

 

“Pandemia dhe lufta në Ukraina na treguan se zinxhirët e furnizimit global janë shumë delikatë dhe që nëse mbështetemi plotësisht tek to, atëherë vendosim veten në rrezik. Dhe ajo çfarë na duhet është më shumë investim nga qeveritë dhe nga sektori privat e rajonal, si dhe zinxhirët lokalë të furnizimit”, thotë Danielle Nierenberg, nga organizata “Food Tank”.

 

Advertisement

Dhe zonja Springstead thotë se ulja e çmimit të ushqimit është vetëm një pjesë e sfidës.

 

“Drejtësia ekonomike duhet që realisht të jetë shtylla kryesore këtu, si dhe rritja e pagës minimale në një nivel që mundëson vërtet jetesën në mbarë vendin, pasi ndryshon sipas vendit ku jeton. Kjo është e para”, thotë ajo.

 

Advertisement

Të paktën për një ditë, Uashingtoni u përqëndrua tek uria, në një kohë kur çmimet e ushqimeve vazhdojnë të rriten.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy