Koreja e Veriut lëshon raketa nga një tren

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Koreja e Veriut lëshon raketa nga një tren

Koreja e Veriut tha se raketat balistike që lëshoi të mërkurën u nisën nga një tren. Kjo shënon herën e parë që ky vend, që zotëron armë bërthamore, bën prova nga një sistem lëshimi me bazë hekurudhën.

Raketat e lëshuara të mërkurën përbëjnë provën e dytë të kryer nga Pheniani në më pak se një javë, në një përpjekje për të rritur presionin ndaj Shteteve të Bashkuara mbi bisedimet bërthamore të bllokuara tashmë.

Fotografitë e postuara në mediat shtetërore të enjten tregonin një raketë të ngjyrë të gjelbër të errët, vendosur mbi një vagon të parkuar pranë një tuneli, në një zonë malore.

Sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve, pjesëmarrja në stërvitje e atij që njihet si Regjimenti i Raketave Hekurudhore të Koresë së Veriut, është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’i mundësuar vendit të kryejë një “goditje intensive ndaj forcave kërcënuese në shumë vende, në të njëjtën kohë”.

Advertisement

Lëshimi i raketave, që kanë si bazë linjat hekurudhore, i jep Koresë së Veriut një mundësi tjetër për nisjen dhe mbrojtjen e arsenalit të saj të raketave, që po zgjerohet me shpejtësi.

Pheniani është përpjekur shumë për të krijuar kapacitete për të lëshuar raketa, qoftë nga deti, rrugët, apo sikurse aktualisht, nga hekurudhat. Analistët thonë se strategjia e shumëfishtë synon ta bëjë më të vështirë për agjencitë amerikane të zbulimit monitorimin, parashikimin dhe pikasjen e raketave që lëshohen nga Koreja e Veriut.

“Ata po provojnë gjithçka që u shkon mendja”, i tha Zërit të Amerikës Joshua Pollack, studiues në Qendrën Studimore për Parandalimin e Përhapjes së Armëve Bërthamore “James Martin”.

“Një problem më shumë mes një numri problemesh për armikun”, shtoi ai.

Advertisement

Koreja e Veriut ka kryer prej kohësh prova me raketa duke përdorur një shumëllojshmëri mjetesh lëshimi të lëvizshme, të cilat ofrojnë një element befasie krahasuar me lëshimet nga bazat tradicionale të saj.

Pheniani paraqiti gjithashtu një seri raketash balistike të lëshuara nga nëndetëset. Edhe pse aktualisht nuk zotëron një nëndetëse të aftë për të mbajtur raketa të tilla, në vitin 2019 Pheniani ofroi pamjen e parë të atij që dukej si një mjet lundrimi i kësaj natyre në ndërtim e sipër.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy