Kryebashkiaku amerikan shkon në Poloni për të ndihmuar refugjatët ukrainas

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kryebashkiaku amerikan shkon në Poloni për të ndihmuar refugjatët ukrainas

Rreth 3 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina që kur Rusia sulmoi këtë vend mbi dy javë më parë. Ndihma nga e gjithë bota po shkojnë në rajon, shpesh nga grupe të vogla ose vullnetarë të vetëm. Kryebashkiaku i një qyteti të vogël bregdetar në Nju Xhersi ka shkuar në Poloni për të ndihmuar ata që në të kaluarën kanë ndihmuar komunitetin e tij. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Keith Kocinski në Poloni bisedoi me kryebashkiakun Paul Kanitra.

Lotë gëzimi nga nje grua ukrainase teksa kalon kufirin polak në këmbë me familjen e saj. Ajo është pjesë e fluksit të përditshëm të mijëra refugjatëve ukrainas që priten me ngrohtësi nga polakët, organizatat jofitimprurëse dhe vullnetarët nga e gjithë bota.

Në mesin e vullnetarëve janë edhe amerikanët Paul Kanitra dhe Greg Johnson.

“Ka njerëz nga e gjithë bota dhe ne folëm me shumë prej atyre që kanë bërë të njëjtën gjë. Ata kanë lënë çdo gjë në jetën e tyre, duke ardhur këtu me avion, makinë ose tren për ndihmuar njerëzit”, thotë Paul Kanitra, kryebashkiak i qytetit Point Pleasant Beach në Nju Xhersi.

Advertisement

Kërkesat për ndihmë janë të vazhdueshme, kështu që Paul Kanitra dhe Greg Johnson marrin pjesë në një cikël ditor të shpërndarjes së ndihmave dhe rifurnizimit. Pasi mbarojnë së shpërndari ndihmat që kanë në tavolinë, ata kthehen në dyqanet lokale, rimbushin furgonin, i cili funksionon si një mjet furnizimi dhe transporti për refugjatët.

“Imagjinoni të lini të gjitha gjërat tuaja dhe gjithçka që keni fituar nga puna dhe karriera juaj, komunitetin tuaj dhe të detyroheni të largoheni nga vendi për shkak të luftës. Unë nuk mendoj se kjo mund të kuptohet plotësisht nga shumë amerikanë derisa ata vetë ta shohin atë që po ndodh tani”, thotë Greg Johnson, një vullnetar nga Teksasi.

“Ne mund të bëjmë shumë udhëtime vajtje-ardhje në dyqan dhe të shpenzojmë shumë”, thotë Paul Kanitra.

Ai njihet për nismat e tij për të marrë përgjegjësinë, duke shërbyer si kryebashkiak i një komuniteti të qytetit të vogël Point Pleasant Beach në Nju Xhersi.

Advertisement

Me origjinë nga Evropa Lindore, zoti Kanitra u nxit nga pamjet e trasnmetuara në media të krizës së refugjatëve, pasi shumë shtetas ukrainas udhëtojnë dhe jetojnë në qytetin e tij çdo verë duke punuar në zonat afër bregdetit.

“Unë besoj fort se ju duhet të tregoni aftësitë udhëheqëse përmes veprimit, jo me shumë fjalë, sepse të gjithë mund të flasin për veprime të mira. Por, ndryshimi bëhet nga njerëzit që në fakt lëvizin dhe bëjnë punën. Puna duhet të flasë vetë”, thotë zoti Kanitra.

Ai kërkoi ndihmë nga miku i tij i vjetër Greg Johnson për të mbledhur mijëra dollarë në donacione për blerjen e furnizimeve të nevojshme. Ata kaluan një javë në terren për t’i shpërndarë sa më shpejt ndihmat.

Një pjesë e vogël e kontributit kolektiv për të ndihmuar 1.5 milionë refugjatë ukrainas që kanë mbërritur në Poloni që nga fillimi sulmit rus kundër Ukrainës.

Advertisement

“Ne po e sjellim njerëzimin në një situatë vërtet të keqe, ku njerëzit ndonjëherë nuk e ndiejnë shpirtin human të njerëzimit. Nuk është një ndjenjë e mirë kur dikush të therrët dhe të transporton me autobus në një rajon tjetër, dhe ne thjesht po përpiqemi t’i bëjmë njerëzit të ndihen pak më mirë në rrugëtimin e tyre”, thotë zoti Johnson.

Natën ata pothuajse nuk bëjnë aspak gjumë, duke vazhduar punën në kufi, duke blerë më shumë furnizime, ndihma dhe duke ndihmuar në transportimin e refugjatëve.

“Ne i ndihmojmë njerëzit. E bëjmë këtë nga thellësia e zemrës sonë dhe marrim masa për këtë”, thotë vullnetari nga Teksasi.

“Mendoj se është mirë që amerikanët janë këtu (në Poloni) duke treguar se ne jemi të shqetësuar për këtë situatë, duke treguar se jemi pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe duke dhënë kontributin tonë”, thotë kryebashkiaku amerikan Paul Kanitra.

Advertisement

Ndërsa të dy largohen nga Polonia pas një pune vullnetare që zgjati një javë, ata shpresojnë të vazhdojnë të rrisin ndërgjegjësimin dhe të ndihmojnë refugjatët nga jashtë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy