
Vetëm një vit më parë ai ishte pothuajse i panjohur për publikun e gjerë, por sot Zohran Kwame Mamdani është kryetari i 111-të i bashkisë së New Yorkut. Në zgjedhjet e 4 nëntorit 2025, 34-vjeçari me rrënjë migrante arriti një fitore bindëse ndaj republikanit Curtis Sliwa dhe kandidatit të pavarur Andrew Cuomo, i mbështetur nga Donald Trump dhe Elon Musk, duke siguruar 56.4 për qind të votave.
Kush është Zohran Mamdani?
Mamdani lindi më 8 tetor 1991 në Kampala, Uganda, në një familje me origjinë indiane dhe besim mysliman. Nëna e tij është regjisorja e njohur Mira Nair, ndërsa babai, Mahmood Mamdani, është akademik i shquar. Fëmijërinë e kaloi mes Afrikës së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, ku u vendos përfundimisht në New York në moshën shtatëvjeçare.
Para se të hynte në politikë, Mamdani u mor me aktivizëm social, duke ndihmuar familjet e varfra të shmangnin dëbimet nga banesat. Në vitin 2020, ai u zgjodh në Asamblenë e Shtetit të New Yorkut, duke u bërë një nga zërat e rinj progresistë të Partisë Demokratike. Përveç politikës, ai është adhurues i hip-hopit, ish-muzikant, dhe tifoz i ekipeve New York Mets, New York Giants dhe Arsenal.
Qëndrimet politike
Si anëtar i grupit socialisto-demokrat amerikan, Mamdani mbështet politika të majta që synojnë uljen e pabarazive. Shtylla e programit të tij është strehimi i përballueshëm, me propozime për ngrirjen e qirave, ndërtimin e banesave publike dhe kontroll më të rreptë ndaj pronarëve privatë.
Në planin ekonomik, ai kërkon një taksë të unifikuar 2% mbi të ardhurat mbi një milion dollarë, rritje të pagës minimale në 30 dollarë në orë, transport publik falas me autobusë dhe zgjerim të kujdesit publik për fëmijët. “Demokracia nuk ka kuptim nëse njerëzit nuk mund të përballojnë të jetojnë në qytetin e tyre,” ka deklaruar ai.
Rëndësia e postit dhe marrëdhënia me Trumpin
Me një buxhet prej rreth 116 miliardë dollarësh dhe kompetenca të gjera, kryetari i bashkisë së New Yorkut është një nga figurat më të fuqishme në politikën amerikane lokale. Qyteti, me mbi 8.5 milionë banorë dhe dhjetëra milionë vizitorë në vit, është një qendër botërore financiare e kulturore që përballet me sfida të mëdha në fushat e strehimit dhe transportit.
Pas fitores së tij, përplasjet me presidentin Donald Trump janë pothuajse të pashmangshme. Trump e ka quajtur Mamdanin “komunist të çmendur” dhe “katastrofë të pashmangshme”, ndërsa kryetari i ri është shprehur se do të përpiqet të bashkëpunojë me administratën federale “pa u frikësuar apo ndikuar politikisht”.
Marrëdhënia e tyre pritet të shndërrohet në një nga përplasjet më të bujshme mes Shtëpisë së Bardhë dhe bashkisë së New Yorkut në vitet e ardhshme.
/vizionplus.tv