
Në zemër të Phenianit, kryeqytetit të Koresë së Veriut, ngrihet një piramidë gjigante 105-katëshe, e njohur si Hoteli Ryugyong – një ndërtesë 330 metra e lartë që prej 38 vitesh qëndron e papërfunduar, duke u kthyer në një simbol të dështuar të fuqisë dhe modernitetit.
Ndërtimi i saj filloi në vitin 1987, me synimin që hoteli të ishte më i larti në botë, me 3.000 dhoma, pesë restorante dhe një kat të sipërm rrotullues. Por kriza ekonomike e viteve ’90 që goditi Korenë e Veriut e ndaloi përfundimisht projektin. Deri në vitin 1992, ndërtesa kishte arritur lartësinë e saj maksimale, por mbeti një skelet betoni, pa përfunduar asnjë kat të brendshëm.
Në vitin 2012, kompania gjermane Kempinski njoftoi se do ta menaxhonte hotelin, por pak muaj më vonë u tërhoq nga projekti. Sipas vlerësimeve, përfundimi i plotë i tij do të kushtonte sot rreth 1.8 miliardë euro, afro 5% e PBB-së së vendit.
Megjithëse kurrë nuk ka pritur asnjë mysafir, ndërtesa ndriçohet çdo natë me 100.000 drita LED, ku projektohen mesazhe propagandistike. Ajo shërben si sfond për evente, shfaqje dhe parada shtetërore, ndërsa mbetet simboli më i dukshëm i ambicieve të paplotësuara të regjimit të Phenianit.
/vizionplus.tv