Liderët e BE mblidhen sot në Bruksel, samiti mbahet nën “rrethimin” e fermerëve

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Liderët e BE mblidhen sot në Bruksel, samiti mbahet nën “rrethimin” e fermerëve

Mijëra traktorë kanë bllokuar sot rrugët në Bruksel rreth vendit ku do të zhvillohet samiti i BE, në sfondin e zemërimit të botës bujqësore ndaj politikës evropiane.

“Ka një mijë traktorë apo makina bujqësore”, tha një zëdhënës i policisë për AFP, duke sqaruar se fermerët protestues ishin kryesisht nga Belgjika.

Ndihma e shpallur dje nga qeveria franceze dhe koncesionet e Komisionit Evropian në lidhje me tokën e pambjellë dhe importet nga Ukraina, duket se nuk kënaqin fermerët, të cilët po mobilizohen edhe në Itali, Spanjë dhe Gjermani.

Në Itali, mijëra fermerë, nga Sardenja në Piemonte, demonstruan sërish dje, të mërkurën.

Advertisement

Konfederata kryesore e fermerëve italianë, Coldiretti, planifikon të udhëtojë sot në Bruksel me rreth një mijë fermerë nga Italia për të denoncuar “çmendurinë që kërcënon bujqësinë”.

Ministri spanjoll i Bujqësisë njoftoi se do të presë nesër, të premten, tre sindikatat kryesore bujqësore, të cilat premtuan mobilizime brenda javëve të ardhshme.

Edhe fermerët portugez kanë bërë thirrje për mobilizim mëngjesin e sotëm në rrugët e vendit me traktorë dhe makineri bujqësore.

Përballë protestave, Komisioni Evropian dje bëri lëshime për dy çështje kryesore: ai po propozon që për vitin 2024 të jepet një përjashtim i pjesshëm nga detyrimi i mbetjeve të vendosura nga CAP dhe po shqyrton një mekanizëm për të kufizuar importet nga Ukraina, veçanërisht të shpendëve.

Advertisement

Kryeministri belg Alexander De Crook gjithashtu tha sot se është i bindur se liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të arrijnë një marrëveshje për ndihmën financiare për Ukrainën.

Ai shtoi se nuk ka asnjë alternativë për një kompromis midis njëzet e shtatë për ndihmën për Ukrainën dhe se kjo ndihmë është e një rëndësie kritike.

Samiti i sotëm, i cili është thirrur për të zgjidhur këtë çështje, shihet si shansi i fundit për të arritur një marrëveshje mbi një plan shpëtimi katërvjeçar prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën – një plan që po kundërshtohet ashpër nga Hungaria.

Kryeministri holandez në largim Mark Rutte tha gjithashtu se ai ishte “optimist i kujdesshëm” se një marrëveshje mund të arrihet, nëse Hungaria është e gatshme të bëjë kompromis. /vizionplus.tv

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy