Lufta mbi Ukrainën dhe Tajvanin do të përcaktojë edhe fuqinë që do të kontrollojë botën

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Lufta mbi Ukrainën dhe Tajvanin do të përcaktojë edhe fuqinë që do të kontrollojë botën

Nga Seth Cropsey “Wall Street Journal

Ukraina ndodhet pranë një krize serioze, pasi Vladimir Putin po grumbullon shumë trupa ruse në kufi për një pushtim të mundshëm të vendit fqinj. Edhe politikë-bërësit amerikanë kanë filluar të përqendrohen tek skenari i një konflikti të mundshëm në Tajvan, një konflikt që po vlon më ngadalë.

Por shtetarët amerikanë duhet të kuptojnë një fakt:këto ngjarje nuk mund të shihen të izoluara; ato janë të lidhura midis tyre, dhe janë pjesë të një rivaliteti më të madh politik për kontrollin e Euroazisë. Nëse Putin po shqyrton seriozisht një sulm ushtarak kundër Ukrainës, kjo është një pyetje e hapur për debat.

Advertisement

Gjithsesi deri më tani ai ka arritur 3 objektiva, vetëm përmes bërjes së disa kërcënimeve të besueshme. Së pari ai ka tërhequr vëmendjen e presidentit amerikan Joe Biden, dhe të dy patën një video-konferencë në datat 7 dhe 30 dhjetor.

Rusia e sheh veten si një fuqi të madhe, dhe dëshiron që të negociojë drejtpërdrejt me fuqitë e tjera të mëdha, por jo nëpërmjet NATO-s, që i përkujton Rusisë dobësitë e deridjeshme të viteve 1990 dhe shembjen e Bashkimit Sovjetik.

Së dyti, Biden nuk është zotuar për një dislokim ushtarak të SHBA-së në mbështetje të Ukrainës. Përkundrazi ai ka përmendur një kundërpërgjigje ekonomike në formën e sanksioneve, ndaj një sulmi të mundshëm nga ana e Rusisë. Ky është një sinjal se Biden heziton që të ndërhyjë ushtarakisht.

Së treti, dhe më e rëndësishmja, Vladimir Putin e ka mobilizuar ushtrinë ruse për të mundësuar nisjen e operacioneve luftarake thuajse të menjëhershme kundër Bjellorusisë, duke e lejuar Moskën që të gllabërojë Minskun.

Advertisement

Në arenën ndërkombëtare, Putin shpreson ende të përmbushë ëndrrën sovjetike për çmontimin e sistemit të sigurisë evropiane të udhëhequr nga Amerika. Kjo është e ngjashme me objektivin e tij në Lindjen e Mesme: zëvendësimin e SHBA-së si forca kryesore e jashtme në rajon.

Edhe pse të ndara nga gjeografia, Ukraina dhe Tajvani kanë pozita të ngjashme në raport me përvojën strategjike dhe imagjinatën historike ruse dhe atë kineze. Pushtimi i secilës është thelbësor për të gjitha objektivat e tjera strategjike.

Për Rusinë, pushtimi i Ukrainës do të siguronte kontrollin e saj në Detin e Zi, dhe do të krijonte pika të tjera presioni kundër anëtarëve të pambrojtur të NATO-s, Rumanisë dhe Bullgarisë.

Për Partinë Komuniste Kineze, aneksimi i Tajvanit do t’i lejonte të kryente operacione sulmuese kundër Japonisë, Filipineve dhe madje edhe territoreve amerikane në Paqësorin Qendror.

Advertisement

Historikisht, oligarkia sunduese në Rusinë post-sovjetike ka pasur shumë ankesa ndaj Ukrainës së pavarur. Sjellja e saj është një kujtesë e gjallë se popujt sllavë nuk duhet të jetojnë nën një flamur. Ndërkohë, Tajvani është një dëshmi se popujt që flasin gjuhën kineze janë plotësisht të aftë të qeverisin veten.

Partia Komuniste Kineze buron nga një regjim brutal revolucionar që e dërrmoi popullin kinez, duke vrarë miliona njerëz për shkak të ambicieve të saj mesianike dhe paaftësisë së plotë. Vetëm duke e rivënë nën kontroll Tajvanin, Kina mund të konfirmojë epërsinë e saj.

Duke pasur parasysh kapitalin politik që ka investuar Partia Komuniste për të nënshtruar Tajvanin, ajo mund të mos ketë më asnjë mënyrë tjetër për të ulur tensionet edhe nëse do të donte ta bënte këtë. Pengesa më e qartë për përshkallëzimin e veprimeve nga Rusia dhe Kina, ka të bëjë me lidhjet e Ukrainës dhe Tajvanit me SHBA-në dhe aleatët e saj.

Putin e kupton shumë mirë se një konflikt i drejtpërdrejtë me NATO-n do ta shkatërronte ushtrinë ruse. Në pamundësi për të fshehur numrin e viktimave siç bëri në Siri, Libi dhe Ukrainë në vitin 2014, ajo do të përballej me kundërshtimet e brendshme.

Advertisement

Presidenti është i motivuar për ta izoluar Ukrainën ushtarakisht, dhe ta ndajë këtë çështje nga NATO, duke goditur vetëm kur të jetë koha e duhur. Ngjashëm, një konflikt Kinë-SHBA që përfshin një koalicion më të gjerë në Paqësor, do të rezultonte shumë i rrezikshëm për mbijetesën e Partisë Komuniste.

Një bllokadë kundër importeve kineze të burimeve të Lindjes së Mesme, mund ta rrëzonte regjimin brenda disa javësh apo muajsh. Megjithatë, një sulm kundër Tajvanit është më i realizueshëm sesa një goditje e ngjashme kundër Ukrainës.

Objektivi i mundshëm strategjik i Rusisë do të ishte pushtimi i një korridori tokësor midis Donbasit dhe Krimesë. Por në vitin 2014, forcat e armatosura ukrainase, të mbështetura tek paraushtarakët për fuqi shtesë luftarake, arritën të zmbrapsnin një sulm rus kundër Mariupolit, duke i rikthyer forcat ruse dhe ato separatiste në pozicionet e tyre aktuale.

Shtatë vite luftë i kanë dhënë ushtrisë ukrainase një përvojë të vlefshme luftarake. Edhe në lindje të vendit shoqëria ukrainase është gjithnjë e më armiqësore ndaj Rusisë. Publiku ukrainas duket i gatshëm që të pranojë disa sakrifica dhe viktima.

Advertisement

Ndërsa Rusia mund të jetë në gjendje të depërtojë në thellësi të territorin ukrainas, dhe t’i bëjë presion Kievit nga veriu,teksa depërton në jug, nuk ka gjasa të ndodhë një kolaps politik i Ukrainës. Për më tepër, duhet të pritet një kryengritje kundër pushtimit rus. Gatishmëria dhe aftësia e Ukrainës për të luftuar fort, jo më pak sesa ndërhyrja e mundshme e NATO-s, ndihmon në pengimin e veprimeve ruse. Në të kundërt, Tajvani është i vogël dhe me një popullsi shumë të dendur. Ushtria e tij nuk është e pajisur për të ruajtur kontrollin ajror dhe detar rreth ishullit, një parakusht ky për t’u mbrojtur kundër një pushtimit amfib.

Ndërkohë, ka shumë gjasa që Partia Komuniste të ketë infiltruar shërbimet e saj sekrete në Tajvan, gati për të mbjellë mosmarrëveshje në të gjithë shoqërinë tajvaneze, dhe për të sabotuar komunikimet civile.

Çështja për Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës,nuk është nëse mund ta pushtojë apo jo Tajvanin, por nëse mund të ketë sukses, përpara se të mund të përgjigjet një koalicion potencial amerikan dhe aleat. Në kushtet kur Kina dhe Rusia kanë një bashkëpunim strategjik midis tyre, kjo është një situatë shumë e rrezikshme.

Diferenca e forcës midis armiqve të mundshëm në Paqësorin Perëndimor, është shumë më e vogël se ajo në Evropën Lindore, duke pasur parasysh ushtrinë gjithnjë e më të aftë të Kinës. Rusisë nuk do t’i duhej të dislokonte njësi të mëdha tokësore apo detare në Azi-Paqësorin, dhe as t’i kushtonte vëmendje ofensivave të saj me ato të Kinës.

Advertisement

Flota ruse e Paqësorit ka mjaftueshëm nëndetëse për të shkatërruar njësitë japoneze dhe amerikane që janë të nevojshme për të mbrojtur Tajvanin apo për mbrojtjen e vetë ishujve japonezë. Kjo do të bënte që misioni i Kinës me shumë gjasa të kishte sukses.

Operacionet e njëkohshme sulmuese në dy hemisfera do të vendosnin në vështirësi burimet amerikane dhe ato aleate. Tajvani duhet të bëhet i aftë për të mbrojtur veten. Por në një aspekt më të gjerë, SHBA duhet të nisë të mendojë për sfidat e saj strategjike në nivel global, dhe jo mbi segmente të veçanta rajonale. Kjo që po shohim, është një garë për kontrollin e Euroazisë, dhe rrjedhimisht edhe të gjithë botës. /abcnews.al

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy