“Lufta në Ukrainë drejt fundit!” Flet Jani Lufi, gjenerali që refuzoi urdhrin e Enverit për t’u larguar nga Moska në 1960: Çernobili është i garantuar, ka sisteme të tilla sigurie që…

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“Lufta në Ukrainë drejt fundit!” Flet Jani Lufi, gjenerali që refuzoi urdhrin e Enverit për t’u larguar nga Moska në 1960: Çernobili është i garantuar, ka sisteme të tilla sigurie që…

Nga Afrim Imaj 

“Jam Jani Lufi, flas nga Krasnodari”. Më në fund, nga krahu tjetër i telefonit dëgjohet zëri i njeriut që kemi kërkuar prej ditësh. I gatshëm për të rrëfyer, ushtaraku shqiptar që ka ngrysur jetën në Rusinë e largët, fillon të flasë me një shqipe të qartë, duke e ndërprerë hera-herës me ca “da, da” të shkëputura.

“E keni fjalën për konfliktin e brendshëm Rusi-Ukrahinë?”, thotë në përgjigje të interesimit tonë për gjykimin e tij rreth luftës më të fundit që ka urdhëruar Vladimir Putini. Për vetë statusin e oficerit madhor dhe karrierën që ka bërë në ushtrinë ruse, gjenerali shqiptaro-sovjetik ndihet disi ngushtë të flasë hapur e të vërë pikat mbi “i” për një konflikt të tillë të armatosur. Megjithatë, me aq sa shpjegon, të lë të kuptosh se dy popujt, dikur vëllezër, ai rus e ukrainas, po përjetojnë dramën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Përvoja dhe të dhënat që disponon nga miqësitë e vjetra me qarqet ushtarake e kanë bindur se konflikti, siç shprehet, do të përfundojë shumë, shpejt, në fund të marsit apo në fillim të prillit.

Në rrëfimin e mëtejshëm, njeriu që përgjigjet në shqip nga Krasnodari i largët thotë se jeta i ka rezervuar një fat të çuditshëm, por është krenar që ka ditur të ruajë ekuilibrin e të mbetet ballëlart përpara të njohurve dhe atyre, me të cilët e lidhi profesioni dhe detyra e përbashkët. Gjithsesi, për të jo çdo gjë ka rrjedhur kreshendo. Gjysmëshekulli larg familjarëve, shokëve, miqve, larg njerëzve, me të cilët u rrit e u shkollua, ka qenë sfilitëse e dramatike njëherazi. Ca më tepër, shton Jani Lufi, mënyra si është përfolur në Shqipëri qëndrimi në Moskë pas divorcit të viteve ‘60, më ka brengosur tej mase e më ka mplakur para kohe. Shpërfillës ndaj akuzave në adresë të tij, mundohet t’i kujtojë duke qeshur, së paku aq sa ka marrë vesh nga versionet e ngritura nga Sigurimi i shtetit. “Kanë thënë se më ka errur sytë vajza e bukur e një gjenerali nga Moska, kur jam martuar pas dhjetë vitesh nga prishja e marrëdhënieve midis dy vendeve. Më kanë quajtur agjent të KGB-së kur vazhdoja të mbaja teserën e anëtarit të Partisë Komuniste të Shqipërisë”. “Kanë thënë se jam rekrutuar nga zbulimet e huaja gjatë luftës, kur isha partizan e ndiqja këmba-këmbës okupatorin në vendin tim”.. E vërteta është se Tirana e atyre viteve ka konsumuar një fluks akuzash për studentin e “Frunze”-së që nuk u riatdhesua pas prishjes me BS. Në rrëfimin për “Panorama”, Jani Lufi, njëherazi me opinionin për luftën në Ukrainë, sjell një retrospektivë nga jeta e tij, duke filluar nga vitet e fëmijërisë në Sofratikën e Gjirokastrës, ato të betejave partizane në radhët e batalionit “Thanas Ziko”, ditët skënderbegase, ato të studimeve në akademinë ushtarake, periudhën kur shërbeu si oficer në Tiranë, atë të studimeve në “Frunze” në ish-BS e deri te çastet e gradimit me yjet e gjeneralit…

Advertisement

Përshëndetje, zoti gjeneral. Me sa kemi mësuar këto ditë, keni pasur 91-vjetorin e lindjes. Me këtë rast ju urojmë jetë të gjatë e të lumtur…

Faleminderit për urimin. Veç diçka për të qenë të saktë: Nuk jam 91, por 92 vjeç. Fakti që më uroni nga Tirana, më emocionon tej mase. Se vërtet jam gjeneral rus, por sakaq jam shqiptar, shqiptar 24 karat. E kur e dëgjon në gjuhën e nënës përshëndetjen për ditëlindjen, është një gjë hyjnore. Pastaj jeta ime ndahet në dy pjesë gati të barabarta, gjysma në Shqipëri dhe gjysma tjetër në Rusi. Nuk ke çfarë t’i bësh, kështu më ka qëlluar.

Si ushtarak veteran dhe me përvojë të gjatë në ushtrinë ruse, si e vlerësoni luftën e fundit, ose më mirë agresionin e urdhëruar nga Putini ndaj Ukrainës?

Unë kam gati tri dekada që jam në rezervë, gjeneral në pension dhe në njëfarë mënyre nuk kam kontakte me atë çka ndodh zyrtarisht me ushtrinë ruse. Pavarësisht lidhjeve e miqësive të vjetra, aktualisht nuk zotëroj ndonjë informacion të dorës së parë, siç ndodhte kur isha nën armë. Situatën e ndjek rregullisht e me interes të jashtëzakonshëm. Ca më tepër këtu ku jetoj, në Krasnodar, teatrin e luftimeve e kam shumë pranë. Edhe po të dua ta harroj për një çast jehonën e luftës, nuk më lë gjëmimi i predhave dhe i raketave që dëgjohet deri këtu…

Advertisement

Besoj se në përvojën tuaj të gjatë si ushtarak madhor në Rusi, nuk e keni përjetuar tjetër herë një luftë të tillë…

E kam përjetuar, por kjo çfarë po ndodh aktualisht në Ukrainë, është një konflikt i një lloji të veçantë…

Që do të thotë…

Që do të thotë, se përtej luftës klasike, është një konflikt i brendshëm…

Advertisement

Sidoqoftë, gjithë ky agresion, gjithë kjo përballje me të gjithë arsenalin e armëve, i kapërcen kufijtë e një konflikti të brendshëm…

Konflikt i brendshëm që ka arritur deri në përballje ushtarake. Kjo duket haptas. E mira do të ishte mos të arrinte deri këtu, por ja që kështu rrodhën situatat.

Çfarë keni parasysh kur thoni se kështu rrodhën situatat?

Kam parasysh konfliktin e kahershëm midis autoriteteve të Moskës dhe Kievit. Përplasjen që ka filluar qysh me shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik. Problemet dolën në evidencë qysh atëherë dhe me kalimin e kohës u bënë edhe më të koklavitura…

Advertisement

Megjithatë, bota e vlerëson të pamotivuar një agresion të tillë të një ushtrie të madhe si ajo e Rusisë ndaj popullsisë së pambrojtur të Ukrainës…

Këtu jemi në rrafshin e interpretimit, por çështja duhet parë në kompleks. A duhej t’ua kishim rezervuar dy popujve tanë këtë që po ndodh? Patjetër, por problemet e brendshme u trashën e u trashën dhe arritëm këtu ku jemi. Arritëm tek armët. E gjëmimi i tyre dihet se çfarë sjell…

Katastrofë, atë që përjeton Ukraina aktualisht…

Patjetër, po kanë qenë të gjitha mundësitë, që dhe Ukraina mund të bënte më shumë për t’i paraprirë kësaj së keqeje…

Advertisement

Çfarë mund të bënte ndryshe Ukraina?

Mund të bënte më shumë kundër grupeve seperatiste antiruse. Ka pasur prej kohësh një zhurmë të madhe në Rusi për këto grupe. Se në këtë aspekt nuk është fjala vetëm për të drejtat e njeriut…

Për të drejtat e pakicës ruse në Ukrainë…

Në Ukrainë rusët nuk janë pakicë, siç flasin rëndom mediat këto ditë. Me sa di unë, diku te gjysma e popullsisë ukrainase janë rus. Pastaj mos harrojmë se rusët e ukrainasit kanë jetuar si vëllezër të të njëjtit gjak…

Advertisement

Gjeneral, ju e njihni mirë logjikën e luftës, sikundër dhe pasojat e dhimbshme të saj. Pse duhej martirizuar një popull i tërë kur shumë mirë çështjet mund të zgjidhshin politikisht. Lufta në Ukrainë nga dita në ditë shënon kosto të tmerrshme dhe ngjan me një katastrofe të padëgjuar që nga Lufta e Dytë Botërore…

Është luftë, është përballje ushtarake, është konflikt i armatosur dhe pa dyshim që do të ketë dhe kostot e veta…

Kosto me jetë njerëzish të pafajshëm, me fëmijë e pleq që vriten e gjymtohen pa asnjë shkak vetëm pse janë brenda shtëpisë së tyre…

Kam përshtypjen se në këtë aspekt ka ekzagjerime. Ka patjetër dhe aksidente që nuk mund të evitohen në një teatër të madh luftimesh. Po nuk janë ato që shtjellon media. Ky është dimensioni më i dhimbshëm i një konflikti ushtarak. Kur të mbyllet konflikti e do të ulen gjakrat do të gjykohet zyrtarisht dhe ky aspekt…

Advertisement

Kosto të tmerrshme ka sakaq dhe përballja në front…

Besoj se u referohesha të dhënave që konsumojnë palët në konflikt. Ato për mua nuk janë të besueshme. Secila bën politikën e vet me shifrat e të vrarëve dhe arsenaleve të shkatërruara. Deri tani nuk kemi ndonjë burim të pavarur që të na konfirmojë të vërtetën. Nga përvoja dhe të dhënat që kam unë, shifrat e kumtuara janë disa herë më pak.

Keni të dhëna nga burimet ushtarake ruse?

Unë, siç të thashë, kam gati tri dekada që jam shkëputur nga ushtria. Kështu që nuk kam asnjë informacion zyrtar. Megjithatë, fal eksperiencës prej 40 vitesh si ushtarak madhor, shto këtu dhe miqësitë e vjetra me qarqet ushtarake, më mundësojnë një gjykim objektiv rreth asaj që ndodh në teatrin e luftës.

Advertisement

Nisur nga ky status i veçantë, si e gjykoni fundin e këtij konflikti?

Gjykoj se lufta po shkon drejt fundit. Fundi i marsit, qameti fillimi i prillit, armët do shkojnë në vendstrehime. Pjesa më kritike e konfliktit tashmë ka kaluar, pavarësisht ndonjë incidenti që do vijojë dhe më tej…

Çfarë keni parasysh kur thoni se lufta po shkon drejt fundit, ndërkohë që dita-ditës nga Ukraina vijnë lajme të tmerrshme?

Kam parasysh shumë gjëra të nxitura nga instinkti i profesionit, por jo vetëm. Kam parasysh ndërkaq ecurinë e negociatave politike e ushtarake.

Advertisement

Ato akoma janë larg produktit final?

Unë e shoh diçka më ndryshe. Kanë njëfarë ecurie të matur që premton. Shkurt konflikti është në aktin e fundit të tij…

Megjithatë, qysh me fillimin e luftimeve, njerëzit kanë qenë të frikësuar nga një shpërthim i mundshëm i Çernobilit. A mendoni se ka kaluar ky rrezik?

Stacioni dhe impiantet e Çernobilit janë katërçipërisht të sigurta. Janë disa sisteme sigurie që e garantojnë. Rreziku, pra, është O. Qysh nga shpërthimi i viteve ’80, Çernobili është vënë në masa të rrepta ruajtje e sigurie. Këtë e them me kompetencë, sepse e njoh mirë…

Advertisement

Tani, diçka për historikun tuaj. Si arriti një shqiptar të gradohej gjeneral i ushtrisë ruse?

Unë pata fatin të bëja akademinë në Moskë. Po pata dhe fatkeqësinë që t’i përfundoja studimet në momentin e divorcit të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Krejt për arsye subjektive mbeta në Rusi, kur të gjithë shokët e mi u kthyen në Tiranë. Vazhdova studimet dhe karrierën në Moskë. Dhe jeta më kaloi jo keq..

Çfarë kujtoni nga Shqipëria, sidomos nga vendlindja?

E kam thënë gjithnjë me krenari se jam shqiptar, djalë i dy prindërve fatkeq nga Jugu i Shqipërisë. Kam lindur në fshatin Sofratikë të rrethit të Gjirokastrës. Sofratika është një fshat i bukur, i rrethuar me male dhe gryka të ngushta që përfundojnë te lumenjtë e vrullshëm poshtë gjunjëve të tij. Aty jam bërë tetë vjeç, pastaj kam ikur dhe nuk jam kthyer më kurrë…

Advertisement

Keni qenë edhe partizan gjatë Luftës Nacionalçlirimtare…

Kam qenë partizan që 14 vjeç në batalionin “Thanas Ziko”. Ka qenë ajo një periudhë sa e vështirë, aq dhe e bukur. Edhe tani që jam 92 vjeç i mbaj mend të gjithë shokët e shoqet e batalionit. Ajo kohë e zjarrtë prodhoi trima e njerëz besnikë të vendosur për idealin dhe atdheun e tyre…

Pas luftës kryet studimet në akademinë ushtarake në Tiranë…

Fill pas luftës u regjistrova dhe nisa studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej”. Ka qenë një shkollë e shkëlqyer. Për ne që vinim nga lufta, ajo u bë si shtëpi e dytë. Dhe mbeti e lavdishme tërë jetën si shkollë që përgatiti breza e breza të tërë oficerësh. Nga shkolla “Skënderbej” pastaj shkova në akademinë ushtarake ku mbarova me rezultate të shkëlqyera. Bukur më shkoi dhe karriera pas diplomimit. Përzgjedhja për të kryer akademinë në Bashkimin Sovjetik ishte një tjetër privilegj që m’u dha në atë kohë. Dhe kështu vazhdova një karrierë të suksesshme deri te garda e gjeneralit.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy