Fund i lumtur për pesë punonjësit e një lokali bar-kafe që u mbajtën peng në vendin e tyre të punës për disa orë në Holandë.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se është liruar edhe pengu i fundit, ndërsa mësohet se autori është arrestuar.
“Sapo është liruar edhe pengu i fundit. Një person është arrestuar, nuk mund të japim më shumë informacione për momentin”, thuhet në njoftimin e policisë të qytetit Ede. Personi që mori peng njerëzit ishte i armatosur dhe me eksplozivë.
Gjithashtu policia tha se nuk ka asnjë tregues që situata e pengjeve të ketë motiv terrorist.
Më herët policia kreu evakuimin e 150 shtëpive në zonë dhe u kërkoi qytetarëve që mos të afrohen te lokali ku po po mbaheshin pengjet.
Autori dyshohet se hyri me armë dhe eksploziv në klub në orët e para të mëngjesit gjatë kohës që do të mbyllej dhe kërcënoi se do të hidhte në erë vendin.
Pronari i klubit tha për De Telegraaf se punonjësit e tij po mbaheshin peng. Sipas tij, nuk ka pasur asnjë konflikt me persona të tretë.
/vizionplus.tv/