Moldavi: Ndryshimi i qeverisë nën sfondin e kërcënimit në rritje nga Rusia

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Moldavi: Ndryshimi i qeverisë nën sfondin e kërcënimit në rritje nga Rusia

“Republika e Moldavisë po hyn tani në një fazë, në të cilën siguria ka përparësi” – me këtë fjali njoftoi dorëheqjen e saj dhe të gjithë qeverisë përpara përfaqësuesve të shtypit në Kishinau kryeministrja moldave Natalia Gavrilita. Presidentja, Maia Sandu, e pranoi dorëheqjen. Ajo e falënderoi Gavrilitën për “punën e përkushtuar” të kabinetit: “Megjithë sfidat e paprecedentë, vendi u qeveris me përgjegjësi dhe me shumë kujdes. Ne kemi stabilitet, paqe dhe zhvillim atje ku të tjerët donin luftë dhe falimentim”, tha Sandu.

Sipas dëshirës së presidentes, kreu i ri i qeverisë pritet të jetë këshilltari i saj i deritanishëm për sigurinë, Dorin Recean. Konfirmimi i tij në detyrë duhet të jetë thjesht një formalitet – partia në pushtet “Veprim dhe Solidaritet” (PAS) ka një shumicë komode në parlament (63 nga 101 vende). 48-vjeçari Recean ka qenë më parë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Sigurisë të Moldavisë.

Vëzhguesit e prisnin ndryshimin në krye të qeverisë moldave që në tetor të vitit të kaluar. Arsyeja në atë kohë ishte mungesa e vullnetit për reforma nga ana e disa ministrave. Tani duket se është shtuar edhe kërcënimi në rritje nga Rusia.

Sërish një raketë ruse mbi Moldavi

Advertisement

Zëvendësimi i qeverisë vjen në një moment kritik. Të premten në mëngjes (10.02.2023) në hapësirën ajrore të Republikës së Moldavisë depërtoi përsëri një raketë ruse. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Kishinau, raketa fluturoi mbi rajonin separatist të Transnistrisë dhe më pas mbi Moldavinë verilindore në drejtim të Ukrainës. Incidente të ngjashme kanë ndodhur disa herë muajt e fundit. Pas incidentit të fundit ambasadori rus në Kishinau, Oleg Vasnetsov, u thirr sërish në Ministrinë e Jashtme të Moldavisë.

Një njoftim për shtyp Ministria e Punëve të Jashtme të Moldavisë deklaroi se sulmet me raketa në Ukrainë kanë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ mbi qytetarët e Moldavisë. “I bëjmë thirrje Federatës Ruse të ndalojë agresionin ushtarak kundër vendit fqinj, i cili po shkakton shumë vdekje dhe shkatërrime materiale.” thuhet në deklaratë.

Për shkak të kërcënimit në rritje, Kishinau kërkon prej disa kohësh nga partnerët e tij perëndimorë sisteme moderne për mbrojtjen ndaj raketave. “Rreziku i një fluturimi të paligjshëm mbi hapësirën tonë ajrore nga raketat e lëshuara nga rusët vazhdon të mbetet. Kjo do të thotë që ne duhet të jemi vigjilentë në çdo kohë,” tha ministrja e Brendshme e Moldavisë, Ana Revenco në një intervistë televizive një natë para incidentit./DW

 

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy