Ndryshimet klimatike: Si nisën, dhe çfarë pritet të ndodhë nëse nuk merren masa?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ndryshimet klimatike: Si nisën, dhe çfarë pritet të ndodhë nëse nuk merren masa?

Nga Betsy Weatherhead “The Conversation”

Ndërsa Konferenca e Kombeve të Bashkuara për klimën në Skoci, ka rikthyer në qendër të vëmendjes politikat e ndryshimeve klimatike, dhe ndikimin e ngrohjes globale, është e dobishme të kuptojmë se çfarë thotë shkenca mbi këtë çështje, Ja cilat janë faktet kryesore që duhet të dini.

Çfarë po e nxit ndryshimin e klimës

Fokusi parësor i negociatave është tek dioksidi i karbonit (CO2), një gaz serrë që çlirohet kur digjen lëndët djegëse fosile, qymyri, nafta dhe gazi natyror, si dhe nga zjarret në pyje, nga ndryshimet e përdorimit të tokës si dhe i burimeve natyrore.

Advertisement

Revolucioni Industrial i fundit të viteve 1800, shënoi fillimin një rritjeje të madhe të djegies së lëndëve djegëse fosile. Ato garantuan energji për shtëpitë, industritë, dhe përshpejtuan udhëtimet ndërkombëtare. Po atë shekull, shkencëtarët identifikuan potencialin e dioksidit të karbonit për të rritur temperaturat globale, që në atë kohë konsiderohej një përfitim i mundshëm për planetin.

Matjet sistematike filluan në mesin e viteve 1900, dhe kanë treguar që atëherë një rritje të qëndrueshme të sasisë së dioksidit të karbonit, me shumicën e tij me origjinë nga djegia e lëndëve djegëse fosile. Kur përhapet në atmosferë, dioksidi i karbonit tenton të qëndrojë

atje për një kohë shumë të gjatë.

Një pjesë e dioksidit të karbonit të çliruar nga aktivitetet njerëzore merret nga bimët, dhe një pjesë absorbohet drejtpërdrejt nga oqeanet. Por afërsisht gjysma e të gjithë dioksidit të karbonit të emetuar nga aktivitetet njerëzore endet edhe sot në atmosferë. Dhe ka të ngjarë të mbetet atje për qindra vite, duke ndikuar në klimën globale.

Advertisement

Gjatë vitit të parë të pandemisë në vitin 2020, kur më pak njerëz po përdornin makinat e tyre, dhe disa industri e ndalën punën për pak kohë, emetimet e dioksidit të karbonit nga karburantet ranë me afro 6 për qind. Por kjo nuk e ndaloi rritjen e përqendrimit të dioksidit të karbonit, pasi sasia e lëshuar tashmë në atmosferë nga aktivitetet njerëzore, e tejkalon shumë atë mund të përthithë natyra.

Nëse qytetërimi do të ndalonte sot aktivitetet e tij të emetimit të dioksidit të karbonit, do të duheshin ende qindra vjet, që përqendrimi i dioksidit të karbonit në atmosferë të bjerë mjaftueshëm, për të risjellë ekuilibër në ciklin e karbonit.

Si e dimë që gazrat serrë mund ta ndryshojnë klimën

Shumë prova shkencore, kanë treguar rritjen e emetimeve të gazeve serrave gjatë 150 viteve të fundit, si një faktor kryesor për ndryshimet afatgjata të klimës në mbarë botën. Matjet laboratorike që nga vitet 1800, kanë verifikuar në mënyrë të përsëritur vetitë absorbuese të dioksidit të karbonit, që e lejojnë atë të kapë nxehtësinë në atmosferë.

Advertisement

Modele të thjeshta, të bazuara në ndikimin e ngrohjes të dioksidit të karbonit në atmosferë, përputhen me ndryshimet historike të temperaturës. Të dhënat afatgjata nga bërthamat e akullit, unazat e pemëve dhe koralet, tregojnë se kur nivelet e dioksidit të karbonit kanë qenë të larta, temperaturat kanë qenë gjithashtu të larta.

Temperaturat janë në rritje në çdo kontinent

Temperaturat në rritje, janë më se të dukshme në të dhënat nga çdo kontinent dhe mbi oqeane. Megjithatë, temperaturat nuk po rriten kudo me të njëjtin ritëm. Një sërë faktorësh ndikojnë në temperaturat lokale, duke përfshirë përdorimin e tokës që ndikon në sasinë e energjisë diellore që absorbohet apo reflektohet, burimet lokale të ngrohjes si “ishujt urbanë” të nxehtësisë dhe ndotja.

Për shembull Arktiku, po ngrohet rreth 3 herë më shpejt se mesatarja globale, pjesërisht sepse ndërsa planeti ngrohet, bora dhe shkrirja e akullit bëjnë që sipërfaqja të ketë më shumë gjasa të thithë në vend se ta reflektojë rrezatimin e diellit. Për pasojë mbulesa e borës dhe akulli i detit po zvogëlohen akoma më shpejt.

Advertisement

Çfarë po i shkaktojnë planetit ndryshimet klimatike

Sistemi klimatik i Tokës është i ndërlidhur dhe shumë kompleks, ku edhe ndryshimet më të vogla të temperaturës mund të kenë ndikime të mëdha. Për shembull, në mbulimin e tokës nga bora apo tek nivelet e detit. Dhe ndryshime të tilla po ndodhin tashmë.

Studimet tregojnë se rritja e temperaturave po ndikon tashmë tek reshjet, akullnajat, modelet e motit, aktivitetin e cikloneve tropikale dhe stuhitë e forta. Jo pak studime tregojnë se rritja e frekuencës , ashpërsisë dhe kohëzgjatjes së valëve të të nxehtit, ndikon tek ekosistemet, jeta e njerëzve, tregtia dhe bujqësia.

Të dhënat historike të nivelit të ujit të oqeanit, kanë treguar rritje të vazhdueshme gjatë 150 viteve të fundit. Kjo pasi akulli i akullnajave po shkrihet dhe temperaturat në rritje po zgjerojnë vëllimin e oqeanit. Ndërsa ngjarjet ekstreme janë bërë më të shpeshta për shkak të morie komplekse shkaqesh, disa prej tyre janë shtuar nga ndryshimet klimatike. Ashtu si përmbytjet bregdetare mund të shtohen nga rritja e nivelit të oqeanit, edhe valët e të nxehtit janë më të dëmshme me temperaturat bazë më të larta.

Advertisement

Disa arsye për të pasur shpresë

Kërkimi shkencor po e përmirëson të kuptuarit tonë mbi klimën dhe sistemin kompleks të Tokës, duke identifikuar zonat më të cenueshme, dhe duke udhëhequr përpjekjet për të reduktuar nxitësit e ndryshimeve klimatike. Puna për energjinë e rinovueshme dhe burimet alternative të energjisë, si dhe mënyrat për të kapur karbonin nga industritë ose nga ajri, po prodhojnë më shumë opsione për një shoqëri më të përgatitur.

Njëkohësisht, njerëzit po mësojnë se si mund ta zvogëlojnë ndikimin e tyre, dhe ka një ndërgjegjësim në rritje se për të pasur një ndikim të rëndësishëm në këtë luftë, kërkohet një përpjekje e koordinuar globalisht. Automjetet elektrike, si dhe energjia diellore dhe e erës, po rriten me ritme të pamendueshme më parë.

Ndërkohë, më shumë njerëz po tregojnë gatishmëri për të miratuar strategji të reja, për ta përdorur energjinë në një mënyrë më efikase, për të konsumuar në një mënyrë më të qëndrueshme dhe për të zgjedhur energjinë e rinovueshme. Shkencëtarët e pranojnë gjithnjë e më shumë, se distancimi nga lëndët djegëse fosile ka përfitime shtesë, përfshirë përmirësimin e cilësisë së ajrit për shëndetin e njeriut dhe ekosistemet.(CNA.al)

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy