Një bilanc nga veprimtaria e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Një bilanc nga veprimtaria e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri

Këtë javë, katër vjet më parë, kryeministri i atëhershëm irakian Haider al-Abadi deklaroi mposhtjen ushtarake të grupit të vetëquajtur Shteti Islamik. Në marsin e vitin 2019, marrja e kontrollit të qytetit Bagzul të Sirisë shënoi humbjen totale të territorit nga grupi terrorist.

Vite më parë, organizata terroriste Shteti Islamik kontrollonte mbi 7 milionë njerëz dhe një territor prej 100 mijë kilometrash katrorë.

Që nga disfata territoriale, grupi i njohur si ISIS nuk mund të zhvillojë më luftë në shkallë të gjerë, por nuk ka reshtur së terrorizuari popullsitë lokale përmes sulmeve të vogla dhe shpërthimeve me bomba.

“Organizata terroriste ISIS nuk është mposhtur. Synimi i tyre është një luftë e gjatë, një xhihad i gjatë.”

Advertisement

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, Tom Joscelyn i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive thotë se ISIS në Irak dhe Siri komandon degët më aktive në Afrikë dhe Afganistan. Sipas OKB-së grupi është përhapur në çdo provincë të vendit të shkatërruar nga lufta.

“Në përgjithësi, SHBA-të e kanë nënvlerësuar vazhdimisht kauzën xhihadiste. Udhëheqja politike dhe ushtarake amerikane prej kohësh nuk ka dashur të jenë në këtë luftë. Ndaj e shohin armikun përmes lentes së tyre”, thotë analisti Thomas Joscelyn.

Presidenti Barack Obama dikur e pati quajtur Shtetin Islamik në Irak dhe Siri një ekip amator, por më pas u detyrua të dërgonte mijëra trupa për t’i luftuar ata.

Vite më vonë, Presidenti Donald Trump u përpoq dy herë të tërhiqte të gjitha forcat nga Siria, duke u detyruar më pas të dërgonte përsëri trupa në atë vend për të ndihmuar aleatët sirianë në luftën me terroristët.

Advertisement

Roli i koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër ISIS në Irak dhe Siri është tkurrur me kalimin e kohës, po ashtu edhe numri i trupave amerikane, thotë për Zërin e Amerikës koloneli Myles Caggins III, bashkëpunëtor ushtarak me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Aktualisht, ky mision është zvogëluar shumë. Gjatë 24 muajve të fundit numri i trupave amerikane është tkurrur me mbi 66%”.

Në Irak rreth 2,500 trupa po ndihmojnë forcat irakiane dhe kurde me të dhëna zbulimi dhe planifikim operacional.

Rreth 1 mijë trupa amerikane në Siri po ndihmojnë Forcat Demokratike Siriane për spastrimin e mbetjeve nga ISIS dhe sigurimin e infrastrukturës.

Advertisement

Koloneli Myles Caggins III, bashkëpunëtor ushtarak me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili shërbeu si zëdhënës i Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in, thotë se në zonat siriane ku forcat amerikane janë partnere, grupi terrorist nuk është në gjendje të mbajë kontrollin e territoreve apo të ndërmarrë sulme të rëndësishme.

“Për dallim, në zonat e kontrolluara nga regjimi ende ka xhepa të aktiviteteve terroriste që po trazojnë regjimin sirian në shkretëtirën Badia. Kjo nënkupton se prania dhe partneriteti ynë i vazhdueshëm, në një shkallë shumë të vogël, disa qindra trupa, po jep rezultate globale.”

Një nga problemet më shqetësuese, që nga disfata territoriale e Shtetit Islamik, është numri i madh i luftëtarëve dhe familjeve të tyre që mbahen në burgjet e mbipopulluara.

“Aktualisht, ISIS është një i ashtuquajtur kalifat në kafaz. Më shumë se 10,000 luftëtarë terroristë mbahen në burgjet e Forcave Demokratike Siriane në veri dhe lindje të vendit”, thotë koloneli Myles Caggins III.

Advertisement

Luftëtarët lokalë sirianë po u bëjnë thirrje shteteve që të marrin disa nga të ndaluarit nga 60 vende të ndryshme të botës, para se kampet ku ata mbahen të bëhen një terren edhe më i gjerë rekrutimi për gjeneratën e ardhshme të kryengritësve.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy