
Më shumë njerëz mund të vdesin nga sëmundjet dhe kushtet akute shëndetësore në Gaza sesa nga bombardimet, nëse nuk restaurohet infrastruktura shëndetësore. Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Harris në një konferencë shtypi të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, të martën.
Ajo njoftoi se qindra mijëra pacientë në Gaza vuajnë nga sëmundje kronike, të tilla si diabeti, sëmundjet e zemrës dhe kanceri, dhe nuk kanë akses në mjekimet dhe trajtimin që u nevojiten.
“Përfundimisht, ne do të shohim më shumë njerëz që vdesin nga sëmundjet sesa po shohim nga bombardimet nëse nuk jemi në gjendje të rikthejmë këtë sistem shëndetësor dhe të ofrojmë bazat jetike për civilët”, shtoi Harris, duke vënë në dukje nevojën urgjente për ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant për të funksionuar spitalet.
Më shumë se 14,800 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza nga 7 tetori deri më 23 nëntor, sipas shifrave nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë në Bregun Perëndimor, e cila merr të dhënat e saj nga autoritetet shëndetësore të drejtuara nga Hamasi në Gaza.