“Po luan blofin!” Ekspertët analizojnë kërcënimet bërthamore të Putinit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“Po luan blofin!” Ekspertët analizojnë kërcënimet bërthamore të Putinit

Vendet perëndimore kanë refuzuar thirrjen e presidentit Volodymyr Zelensky, për të mbyllur hapësirën ajrore të Ukrainës, për shkak të shqetësimeve se kjo mund të provokojë një konfrontim më të drejtpërdrejtë me forcat ruse. Shqetësimi u shtua më shumë, veçanërisht pas kërcënimit të Vladimir Putin, për t’iu drejtuar armëve bërthamore.

Më 24 shkurt, ditën kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, presidenti rus, Vladimir Putin, lëshoi një kërcënim direkt për të gjithë ata që do të përpiqeshin të ndërhynin në sulmin e saj ushtarak. Putin deklaroi se do të kishte pasojë të papara ndonjëherë për këdo që do të kërcënonte Rusinë.

“Tani disa fjalë të rëndësishme, shumë të rëndësishme për ata që mund të ndërhyjnë në ngjarjet e vazhdueshme nga jashtë. Kushdo që përpiqet të ndërhyjë dhe aq më tepër të krijojë kërcënime për vendin dhe popullin tonë, duhet ta dijë se përgjigjja e Rusisë do të jetë e menjëhershme dhe do t’ju çojë në pasoja të tilla që nuk i keni përjetuar kurrë në historinë tuaj. Ne jemi gati. Për çdo zhvillim të ngjarjeve. Janë marrë të gjitha vendimet e nevojshme në këtë drejtim. Shpresoj se dëgjohem”, tha Vladimir Putin.

Inventari global i kokave bërthamore, 2022

Advertisement

Pak ditë më pas, Putin alarmoi botën duke urdhëruar vendosjen në gatishmëri të lartë të forcave të parandalimit bërthamor. Menjëherë pas tij, Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, në një intervistë për Al Jazeera u shpreh: “Një Luftë e Tretë Botërore, nëse do të shpërthente, do të ishte bërthamore dhe shkatërruese”.

Vetëm 9 vende në botë kanë armë bërthamore, por ato konsiderohen si mekanizma mbrojtëse që shpresohet të mos vihen kurrë në përdorim. Sipas Shoqatës së Kontrollit të Armëve, Rusia ka arsenalin më të madh në botë të kokave bërthamore, me 6250 të tilla. Sipas grafikëve të realizuar nga A2 CNN, shtetet e tjera që posedojnë këtë lloj arsenali bërthamor janë: Amerika me 5500, Kina 350, Franca 290, Anglia 225, Pakistani 165, India 160, Izraeli 90 dhe Koreja e Veriut 20.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ky arsenal i Rusisë është gati, pasi ekspertët vlerësojnë se vetëm 1400 koka bërthamore janë “të dislokuara”, që do të thotë të vendosura në bazat e raketave dhe bombarduesve, ose në nëndetëse.

A do t’i përdorte vërtet presidenti i Rusisë këto armë?

Advertisement

Sekretari britanik i Shtetit për Sigurinë, Ben Wallace, tha për BBC se Putin me shumë gjasa po luan blofin, duke i kujtuar kujtdo se ai zotëron armë bërthamore. Këto deklarata ai i përdor, sipas Wallace, së pari pasi shqetëson këdo në mbarë botën dhe së dyti pasi largon vëmendjen nga ngjarjet që po ndodhin realisht në Ukrainë.

Sipas Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, Malcolm Chalmers, këto kërcënime mund të jenë forma për të devijuar dinamikën e luftës. “Ai ndodhet në qoshe dhe në një situatë të tillë, po i merr parasysh të gjitha rreziqet. Nuk dua t’i alarmoj njerëzit pa qenë nevoja, pasi probabiliteti që kjo gjë të ndodhë është i ulët, ama nuk është zero”, shpjegon ai.

Herën e fundit që Shtetet e Bashkuara lëshuan armë bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945, më shumë se 100 000 njerëz vdiqën. Në konferencën e këtij viti të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Çarmatimin, Japonia shprehu shqetësimin e saj të thellë për Rusinë. Si një nga vendet që ka vuajtur pasojat vdekjeprurëse dhe shkatërrimtare të bombave atomike, Japonia është shumë e frikësuar për përdorimin e armëve nukleare.

“Jemi të shqetësuar, pasi një tragjedi e tillë nuk duhet të përsëritet kurrë më”, tha ambasadori Përfaqësues i Japonisë, Ichiro Ogasawara.

Advertisement

Mirëpo, ndërkohë që Rusia thotë se qëllimet e saj nukleare janë thjesht mbrojtëse dhe jo sulmuese, kjo gjë na sjell ndërmend garancinë e mëparshme se nuk do ta sulmonte Ukrainën, gjë që rezultoi ndryshe.

“Jo! Lufta nukleare nuk është në mendjen e Rusisë, por në mendjen e politikanëve të perëndimit. Ju siguroj se nuk do të lejojmë asnjë lloj provokimi të na çekuilibrojë”, tha Sergei Lavrov.

Megjithatë, vetëm presidenti Putin e di se sa larg mund të shkojë, ndërkohë që Perëndimit i duhet të jetë i përgatitur për çdo skenar.

CNN

Advertisement

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy