Polonia: Nuk do ta armatosim më Ukrainën

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Polonia: Nuk do ta armatosim më Ukrainën

Polonia tha se nuk do ta armatosë më Ukrainën dhe vend të dërgimit të armëve atje do të përqendrohet në mbrojtjen e vet. Kjo përplasje mes dy aleatëve vjen në një moment kyç të kundërofensivës së Kievit ndaj forcave ruse.

 

Pasi u rritën mospajtimet lidhur me eksportet e drithërave nga Ukraina, Polonia thirri ambasadorin ukrainas për të protestuar ndaj deklaratave e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kombet e Bashkuara.

 

Advertisement

Lideri ukrainas tha se disa shtete vetëm po pretendojnë se po mbështesin shtetin e tij, që po synon të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia. Varshava i konsideroi ofenduese këto deklarata.

 

Polonia ka qenë një prej mbështetësve më të vendosura të Ukrainës pasi Rusia nisi pushtimin në shkurt të vitit 2022. Varshava po ashtu është një prej furnizueseve kryesore me armë për Kievin.

 

Advertisement

Shumica e armatimeve që Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera kanë dërguar në Ukrainë kanë kaluar përmes Polonisë, shtet që gjendet në kufi me Ukrainën.

 

Polonia po ashtu ka pranuar rreth një milion refugjatë ukrainas të cilët kanë përfituar lloje të ndryshme të ndihmave shtetërore.

 

Advertisement

Tensionet midis Varshavës dhe Kievit u nxitën pasi Polonia vendosi ndalesë ndaj importeve të drithërave ukrainase, duke synuar që të mbrojë fermerët e saj.

 

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, u pyet të mërkurën nëse shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë Kievit, pavarësisht këtyre mospajtimeve.

 

Advertisement

“Ne më nuk do të transferojmë armë në Ukrainë, sepse ne tani po armatosim Poloninë me armë më moderne”, tha Morawiecki.

 

Pushtimi rus i Ukrainës ka mbyllur rrugët e eksporteve në Detin e Zi që ishin përdorur para luftës, duke bërë që Bashkimi Evropian të shndërrohet në një rrugë kyçe për transportin e drithërave ukrainase.

 

Advertisement

Në maj, BE-ja u pajtua të kufizojë eksportet ukrainase për në Bullgari, Hungari, Poloni, Rumani dhe Sllovaki me synim që të mbroheshin fermerët e këtyre shteteve të cilët janë ankuar se produktet ukrainase po shiten në tregjet lokale me çmime shumë të ulëta.

 

Kjo masë lejoi që produktet ukrainase të kalonin transit nëpër këto pesë shtete, por u ndalua që ato të shiteshin në tregjet lokale.

 

Advertisement

Por, të premten Komisioni Evropian njoftoi se do t’i jepte fund ndalesës, duke argumentuar “se më nuk ka çrregullim në tregjet e pesë shteteve anëtare që gjenden në kufi me Ukrainën”.

 

Polonia, Hungaria dhe Sllovakia menjëherë njoftuan se do ta sfidojnë këtë vendim.

 

Advertisement

Çështja e drithërave është veçanërisht e ndjeshme në Poloni, shtet që do të mbajë zgjedhje parlamentare muajin e ardhshëm.

 

Ukraina është kundërpërgjigjur duke paralajmëruar Poloninë, Hungarinë dhe Sllovakinë se do të dërgojë ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

 

Advertisement

Kryeministri polak Morawiecki, paralajmëroi se do të zgjerojë listën e produkteve ukrainase të cilat ndalohen të importohen, nëse Kievi përshkallëzon mospajtimet për drithërat.

 

Kievi e ftoi ambasadorin polak në bisedë dhe kërkoi nga Varshava një qasje “konstruktive” për këtë mospajtim./rel

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy