Pse Gjermania ka një rol kyç në pengimin e lëvizjes së Rusisë kundër Ukrainës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pse Gjermania ka një rol kyç në pengimin e lëvizjes së Rusisë kundër Ukrainës

Nga Constanze Stelzenmüller “Financial Times”

Tridhjetë vjet pas shpërthimit të luftërave në ish-Jugosllavi, aleanca perëndimore po përballet sërish me mundësinë e një konflikti tjetër të madh të armatosur në periferinë e Evropës. Rusia e Vladimir Putinit ka grumbulluar rreth 100.000 trupa pranë kufirit me Ukrainën.

Shërbimet sekrete perëndimore, por edhe analistët janë shumë të shqetësuar se ai mund të jetë duke u përgatitur të nisë së shpejti pushtimin e plotë të Ukrainës. Tek të gjitha këto çështje ekzistojnë një ndjenjë rrëqethëse e déjà-vu.

E megjithatë, në shumicën e aspekteve kyçe, situata e sotme është dukshëm më e rëndë se sa ajo e tre dekadave më parë. Në vitet 1990, SHBA-ja hezitoi të përfshihej në fillim në dhënien fund të gjakderdhjes në Ballkan. Por sapo vendosi të ndërhynte, shfaqi një ndjenjë të përgjegjësisë si fituesja e Luftës së Ftohtë për të vendosur paqen në atë rajon.

Advertisement

Një Rusi post-sovjetike e demoralizuar dhe gati e falimentuar qëndroi në distancë, por presioni diplomatik nga Moska e detyroi diktatorin serb Slobodan Miloshevic të tërhiqte forcat e tij nga provinca e shkëputur e Kosovës, duke i dhënë fund fushatës së bombardimeve ajrore të NATO-s kundër Beogradit.

Gjermania mori pjesë në atë operacion, por vetëm pas një debati të ashpër nëse historia e saj ia lejonte diçka të tillë. Sot, administrata amerikane e Joe Biden thotë se është e vendosur që të ruajë me vendosmëri sigurinë e Evropës dhe sovranitetin e Ukrainës.

Megjithatë, ajo është e dobësuar nga polarizimi politik, teksa është e vetëdijshme për ndikimin e saj të kufizuar mbi një elektorat amerikan të lodhur nga lufta, dhe shumë mosbesues ndaj politikës. “Skifterët” e paktë të mbetur në Uashington, janë të fokusuar mbi Kinën.

Strategjia e “kufizimit”, po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje nga 2 kampet politike. Tërheqja kaotike nga Afganistani, e ka dëmtuar shumë pozitën e Amerikës në botë, dhe

Advertisement

e ka dëmtuar kohezionin e aleancës. Ndërkohë Rusia e ka ndihmuar Bjellorusinë ta përdorë migrimin si një armë kundër Bashkimit Evropian.

Moska ka hedhur në erë një nga satelitët e saj me një raketë, duke krijuar një grumbull mbeturinash në orbitën e ulët të tokës, e cila kërcënon infrastrukturën hapësinore të globalizimit. Gazprom, një kompani në pronësi shtetërore, nuk po i respekton angazhimet e saj për të mbushur depozitat e magazinimit të gazit në Gjermani, pavarësisht furnizimeve të pakta dhe çmimeve në rritje.

Putin i është referuar së fundmi si një “gjenocid”, luftimeve në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, ku Rusia ka zhvilluar një luftë përmes micilive pro-ruse të mbështetura prej saj që nga viti 2014, e cila ka shkaktuar më shumë se 13.000 të vrarë.

Një listë dëshirash për garanci sigurie të paraqitur nga Kremlini për SHBA-në dhe NATO-n javën e kaluar, përfaqëson de fakto një veto kundër zgjerimit të mëtejshëm të aleancës, heqjen e të gjitha armëve bërthamore amerikane nga Evropa, përfshirë bombat B-61 në Gjermani, si dhe tërheqjen e trupave amerikane nga territoret e ish Traktatit të Varshavës dhe Bashkimit Sovjetik.

Advertisement

Dhe kjo s’ka lidhje vetëm me Ukrainën. Në fakt, Rusia po kërkon një sferë të saj të interesit, që fillon në kufirin lindor të Gjermanisë, dhe mbaron me heqjen e armëve bërthamore nga Evropa, propozime që janë të papranueshme për Perëndimin.

Edhe nëse këto kërkesa janë thjesht një manovër, e cila synon të nxisë zhvillimin e negociatave diplomatike ose një grusht shteti në Kiev, mbetet gjithsesi një lëvizje shumë e rrezikshme. Por këtë vit ka edhe një përvjetor tjetër të 30-të:ai i shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, më 26 dhjetor 1991.

Në një dokumentar të transmetuar kohë e fundit, Putin e quajti këtë ngjarje si vdekjen e “Rusisë historike”, duke shtuar se ajo e kishte detyruar të punonte natën si shofer taksie. Në një ese të botuar në muajin qershor, ai mohoi ekzistencën e kombit ukrainas.

Prokurorët rusë kanë nisur të veprojnë për të nxjerrë jashtë ligjit “Memorial”, një ojq ruse e të drejtave të njeriut që merret me dokumentimin e krimeve të stalinizmit. Po sikur historiani amator Putin të nisë të rishkruajë historinë?

Advertisement

NATO  dhe BE, i janë kundërpërgjigjur me një ofertë të përgjithshme për dialog, i kanë refuzuar kërkesat për veto dhe tërheqje, dhe e kanë paralajmëruar Rusinë për “pasoja dhe kosto të mëdha”, nëse ajo ndërmerr veprime ushtarake kundër Ukrainës, duke e lënë të hapur atë që nënkuptonin me këto kosto.

Paqartësia mund të jetë edhe e qëllimshme, për të mos i ofruar Moskës një pretekst për përshkallëzimin e tensioneve. Por mund të jetë edhe një përpjekje për të fshehur ndarjet në Evropë mbi qasjen ndaj Rusisë. Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, është shprehur skeptik mbi një pushtim të mundshëm rus, ndërsa Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, thotë se Moska “po përgatitet vërtetë për luftë”.

Sa i përket Gjermanisë, koha kur ajo mund ta përdorte historinë e saj si një justifikim për të qëndruar mënjanë, ka mbaruar prej kohësh. Liderja ekonomike e Evropës, është thelbësore për çdo përpjekje të Perëndimit për të frenuar Putinin.

Çdo masë e mundshme – sanksione ndaj subjekteve ruse, dëbimi i Rusisë nga sistemi i pagesave elektronike Sëift, anulimi i gazsjellësit Nord Stream 2 – do të ishte financiarisht dhe politikisht i kushtueshëm për qeverinë e re të kancelarit Olaf Scholz.

Advertisement

Por cila është alternativa? Sipas Putinit:lufta në Evropë, e zhvilluar nga një fuqi e madhe bërthamore. Luftërat jugosllave zgjatën një dekadë, dhe vranë mbi 140.000 njerëz. Ballkani mbetet një rajon i trazuar.

Por Putin do të bëjë mirë të ketë parasysh faktin se 2 nga 6 ish-republikat e Jugosllavisë komuniste janë tani anëtarë të BE-së. Katër janë pjesëtarë të NATO-s, dhe Miloshevic përfundoi përpara një gjykate të OKB-së për krimet e luftës në Hagë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy