Pse Kina po e zgjeron arsenalin e saj bërthamor?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pse Kina po e zgjeron arsenalin e saj bërthamor?

Nga Tong Zhao “The New York Times”

Harrojeni fuqinë bërthamore. Është koha që Shtetet e Bashkuara të bisedojnë me Kinën për cenueshmërinë reciproke. Është e qartë se Pekini po e zgjeron me shpejtësi arsenalin e vet bërthamor. Imazhet satelitore tregojnë se Kina po ndërton më shumë se 100 kapanone të reja të lëshimit të raketave balistike ndërkontinentale.

Muajin e kaluar u raportua mbi testimin nga Kina të një rakete hipersonike me aftësi bërthamore, e cila qarkulloi përreth globit. Ai është vendi e parë që e ka bërë këtë. Ndërkohë, Pentagoni po paralajmëron se Kina mund ta4-fishojë arsenalin e saj bërthamor deri në vitin 2030.

Të marra së bashku, shqetësimet në SHBA për një “sukses strategjik” të Kinës janë mëse të kuptueshme. Në këto kushte, pa vullnetin e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për të hyrë në një dialog të qartë, pasojat mund të jenë katastrofike.

Advertisement

Disa ekspertë amerikanë mendojnë se Kina po teston sistemet e saj të lëshimit të armëve bërthamore, pasi po kërkon mënyrën për të anashkaluar mbrojtjen raketore të SHBA-së, për të cilën ekspertët bërthamorë të Pekinit kanë frikë se mund t’ia mohojë aftësinë e vendit të tyre për të absorbuar një sulm bërthamor të SHBA-së, dhe më pas për t’u hakmarrës.

Ndonëse kjo mund të jetë teknikisht e saktë, asaj i mungon tabloja më e plotë gjeopolitike. Zhvillimi në rritje i mbrojtjes raketore të SHBA-së, nuk mund ta shpjegojë dot rritjen relativisht të papritur të Kinës në fushën ushtarake.

Përkundrazi, urdhri i muajit mars i presidentit Xi Jinping për të “përshpejtuar më tej ndërtimin e sistemeve të avancuara të parandalimit strategjik”, ka shumë të ngjarë të reflektojë shqetësimin e tij të shtuar se aftësia inferiore bërthamore e Kinës, mund të inkurajojë armiqësinë e SHBA-së dhe të minojë rritjen e Pekinit në një moment kritik të konkurrencës midis fuqive të mëdha.

Zyrtarët kinezë besojnë se Shtetet e Bashkuara janë bërë më të dëshpëruara në përpjekjet e tyre për të penguar me forcë Kinën nga tejkalimi në aspektin ekonomik (në një periudhë të shkurtër) dhe më pas atë ushtarak (në vijimësi).

Advertisement

Ata e shohin presionin në rritje të SHBA-së mbi Kinën sa i përket të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit, Hong Kongun dhe Tajvanin si dëshmi se Uashingtoni është i gatshëm.

Që të ndërmarrë rreziqe më të mëdha për ta ndalur ngritjen e Kinës, nëpërmjet delegjitimimit të qeverisë, duke e destabilizuar vendin komunist dhe duke e bllokuar bashkimin kombëtar me Tajvanin.

Unë kam punuar për një periudhë të shkurtër,më shumë se një dekadë më parë,si nëpunës civil në Pekin mbi çështjet e punëve të jashtme, ndërsa i kam kaluar 7 vitet e fundit si ekspert i pavarur i politikave bërthamore. Për mua është e qartë se zgjerimi i arsenalit bërthamor të Pekinit, është në fund të fundit një përpjekje për ta detyruar Uashingtonin që të heqë dorë nga sulmi strategjik i perceptuar, dhe për të pranuar një marrëdhënie “brishtësie të ndërsjellë” – në të cilën asnjë vend nuk do të kishte aftësinë apo vullnetin për të kërcënuar tjetrin me luftë bërthamore, pa rrezikuar shkatërrimin e vet.

Shtetet e Bashkuara kanë ngurruar ta adresojnë dëshirën e Kinës për një marrëdhënie të tillë, gjë që ka prodhuar ankthin që ka Pekini se mos SHBA-ja do të tentojë “sigurinë absolute. Për të parandaluar përshkallëzimin e konkurrencës së tyre bërthamore, ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara ta pranojnë ekzistencën de facto të cënueshmërisë së ndërsjellë bërthamore me Kinën.

Advertisement

Ky mund të duket si një veprim i guximshëm. Por duhet të kujtojmë se kjo nuk është e paprecedentë. Deklarata e përbashkët Regan-Gorbaçov e vitit 1985 se “një luftë bërthamore nuk mund të fitohet, dhe as nuk duhet të zhvillohet kurrë”, ndihmoi në uljen e temperaturës së Luftës së Ftohtë.

Një angazhim i ngjashëm i ndërsjellë nga udhëheqësit e SHBA-së dhe Kinës, do të ndihmonte në zbutjen e garës së sotme të armatimeve. Gjithashtu, ai do të ndihmonte në stabilizimin e marrëdhënieve dypalëshe që sot janë më të rëndësishmet në botë.

Ndërkohë, kjo gjë do t’i jepte Pekinit sigurinë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta pranojnë bashkëjetesën paqësore, dhe të shmangin sfidimin e interesave thelbësore të Kinës. Nga ana tjetër, zvogëlimi i kërcënimit të holokaustit bërthamor, mund të krijojë mundësi për nisjen e negociatave thelbësore për kontrollin e armëve.

Për shembull, për kufizimin e zhvillimit të sistemeve të reja raketore dhe të armëve të hapësirës, por edhe të ndihmojë në frenimin e konkurrencës dypalëshe ushtarake. Duke pasur më shumë besim mbi qëllimet e ardhshme të marrëdhënieve SHBA-Kinë, Pekini mund të priret të veprojë në një mënyrë më pro-aktive,dhe të bashkëpunojë me Uashingtonin për probleme të tjera dypalëshe, si mosmarrëveshjet tregtare dhe sulmet kibernetike, apo sfidat më të ngutshme globale sikurse është pandemia e Covid-19.

Advertisement

Sigurisht, ka rreziqe që bashkëpunimi mund të dështojë. Kina mund të arrijë në përfundimin se shtimi i arsenalit të saj bërthamor, ka funksionuar shumë mirë si një taktikë presioni, ndaj forcimi i mëtejshëm i fuqisë ushtarake mund të sjellë lëshime edhe më të mëdha nga ana e SHBA-së.

Sidomos aleatët amerikanë në Azinë Lindore, kanë shqetësime të kuptueshme se Kina mund ta rrisë agresionin e saj ushtarak në nivel konvencional, pasi të jetë larguar rreziku i përshkallëzimit bërthamor. Dhe mund të qëllojë që Kina ta interpretojë pranimin nga SHBA të cënueshmërinë reciproke, si një shenjë se Uashingtoni është i gatshëm të tolerojë përpjekjet e Pekinit për të avancuar “interesat thelbësore”, si pushtimi i territorit të diskutueshëm në Detin e Kinës Jugore apo arritja e bashkimit me Tajvanin.

Po ashtu, Kina mund të presë që Shtetet e Bashkuara të ndalojnë së evokuari të drejtat e njeriut dhe shtypjen në vend, duke pretenduar se kritika të tilla e cënojnë sigurinë e regjimit të Pekinit. Dhe se kjo qasje mund të minojë përpjekjet e presidentit amerikan Joe Biden për t`u mbështetur tek një diplomaci me bazë vlerat universale.

Gjithsesi, pranimi i cënueshmërisë së ndërsjellë nuk duhet të bëjë që palët të flenë mbi gjethe dafinash. Shtetet e Bashkuara mund të marrin disa masa për të zbutur rreziqet. Amerika duhet qëta ftojë Kinën për të biseduar sinqerisht për cënueshmërinë reciproke, duke e përdorur dialogun si një mundësi për t’u sqaruar dhe angazhuar reciprokisht, për të krijuar kushtet e nevojshme për pranimin formal të cënueshmërisë reciproke.

Advertisement

Kina duhet të paraqesë një kuadër të pranueshëm reciprokisht, lidhur me pritshmëritë e saj specifike. Këtu duhet të përfshihet detajimi i asaj që përbën një shkelje të vërtetë të interesave thelbësore të Kinës, përkundrejt një mosmarrëveshjeje politike të nivelit të lartë.

Për shembull, mostrajtimi i debateve normale mbi çështjet e të drejtave të njeriut si përpjekje për të rrëzuar regjimin, dhe çfarë sigurie mund të japë Pekini për të adresuar shqetësimet e SHBA-së rreth sjelljes dhe planeve të saj ushtarake rajonale në lidhje me Tajvanin.

Kina nuk ka gjasa të dëshirojë të përkulet. Por që të funksionojë marrëdhënia e re me SHBA-në, ajo duhet të jetë më fleksibël. Po ashtu, është në interesin e Kinës që të kuptojë se, ashtu si cënueshmëria reciproke SHBA-Rusi, nuk e mbrojti Moskën nga kritikat amerikane mbi të drejtat e njeriut, edhe cënueshmëria reciproke SHBA-Kinë ka shumë të ngjarë të mos e detyrojë Uashingtonin ta“respektojë Kinën” ashtu diç duan zyrtarët kinezë.

Dhe kjo jo sepse arsenali bërthamor i Kinës është shumë i vogël. Përkundrazi, refuzimi publik i Kinës ndaj një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, i nxit ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër zyrtarët amerikanë që të vënë në dyshim mençurinë e pranimit të cënueshmërisë reciproke.

Advertisement

Shënim:Tong Zhao,studiues në Programin e Politikave Bërthamore në fondacionin “Carnegie për International Peace” me qendër në Pekin./ Përkthyer nga CNA.al

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy