Pse Perëndimi duhet ta pengojë një sulm rus ndaj Ukrainës?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pse Perëndimi duhet ta pengojë një sulm rus ndaj Ukrainës?

Nga Ian Bond “Center for European Reform”

Për herë të dytë gjatë këtij viti, forcat ruse po grumbullohen pranë kufijve verilindorë dhe jugorë të Ukrainës, duke rrethuar zonat e rajonit të Donbasit, që ata ose përfaqësuesit e tyre lokalë, kanë pasur nën kontroll që nga pushtimi i Ukrainës Lindore në vitin 2014.

Në prill, më shumë se 100.000 trupa ruse ishin dislokuar në rajonet afër Ukrainës, gjoja për stërvitje. Tani Ministria ukrainase e Mbrojtjes, pretendon se rreth 90.000 trupa ruse ndodhen sërish pranë kufirit. Kremlini ka ndërmarrë prej disa muajsh një fushatë informative kundër Ukrainës, për ta vënë në pikëpyetje sovranitetin e saj.

Advertisement

Rusia mund të jetë duke u përgatitur për ta pushtuar, ose thjesht synon që ta frikësojë Kievin. Presidenti rus Vladimir Putin nuk i ka fshehur ndonjëherë pikëpamjet e tij për Ukrainën. Në vitin 2008, kur samiti i NATO-s në Bukuresht premtoi anëtarësimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në aleancë, Putin i tha presidentit të atëhershëm të SHBA-së, George W.Bush: “Ti e kupton, George, Ukraina nuk është as shtet!”.

Në vitin 2013, i pyetur nga Charles Grant në lidhje me qëndrimin e tij ndaj Ukrainës, Putin  tha:“Ne kemi tradita të përbashkëta, një mentalitet të përbashkët, një histori të përbashkët dhe një kulturë të përbashkët… Dua ta ritheksoj, ne jemi një popull… Ukraina është pjesë e botës sonë të madhe ruse ose ruso-ukrainase”.

Këtë vit Putin iu rikthye kësaj teme, përmes një artikulli të gjatë të botuar në korrik me titull “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve”. Në të Putin pretendon se Ukraina e sotme ka qenë “krejtësisht produkt i epokës sovjetike … e formuar kryesisht mbi territoret historike të Rusisë”.

Ndërkohë, ai fajësoi Perëndimin për përpjekjen e tij për shndërrimin e Ukrainës në një “Rusi anti-Moskë”. Ndërkohë ish-kryeministri rus Dmitry Medvedev, aktualisht nënkryetar i Këshillit rus të Sigurimit, vazhdoi në tetor me një artikull tjetër, ku ai e krahasonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy (që është hebre) me intelektualët hebrenj në Gjermani që kërkuan të shërbenin në radhët e SS-ve nazistë.

Advertisement

Përfundimi i Medvedev, ishte se nuk ka kuptim të bisedohet me vasalët ukrainas të padronëve perëndimorë. Kremlini po i përdor këto ese për të përcjellë mesazhe të ndryshme tek audienca të ndryshme. Popullsia ruse, supozohet të ndihet e kërcënuar nga “regjimi kukull  i Perëndimit në Kiev, dhe të besojë se nëse i jepet rasti, popullsia ukrainase do të ishte më mirë si pjesë e botës ruse sesa e Perëndimit”.

Edhe pse sondazhet tregojnë se shumica e ukrainasve, e mbështesin anëtarësimin në BE dhe NATO. Mesazhi për ukrainasit është se ata po përdoren si mish për top nga Perëndimi. Për Perëndimin, mesazhi është se Ukraina do të jetë gjithmonë më e rëndësishme për Rusinë sesa për Perëndimin.

Për rrjedhojë, ai nuk duhet trajtuar si një shtet sovran, por si një anomali historike, që pashmangshmërisht do të anojë drejt Moskës. Putini i ka inkuadruar synimet e tij ndaj Ukrainës në mënyra të ndryshme në periudha të ndryshme.

Por sot ai mund të kënaqet me diçka më pak sesa aneksimi i gjithë apo një pjese të Ukrainës, duke siguruar vetëm që ajo të mbetet neutrale, pra të pengohet përgjithmonë nga synimi i anëtarësimit në BE ose NATO. Është e sigurt të supozohet, se Putin do të tentojë të përfitojë sa më shumë që mundet, me çfarëdolloj mjeti, por me kosto të arsyeshme.

Advertisement

Ndonëse numri i trupave që besohet se janë në zonën kufitare, është pak më i vogël sesa në pranverë, shërbimi sekret i ushtarak ukrainas, ka vlerësuar se atje ndodhen ende rreth 1200 tanke (ose 6 herë më shumë se në të gjithë ushtrinë britanike) dhe 1600 pjesë artilerie, të mjaftueshme për një operacion ushtarak të rëndësishëm.

Gjithsesi, kjo s’do të thotë se Putin ka marrë një vendim përfundimtar, për të nisur një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës. Në operacionin e vitit 2014 për aneksimin e Krimesë, ai tregoi se bashkë me komandantët e tij ushtarakë, e kuptojnë shumë mirë thënien e strategut ta famshëm kinez Sun Tzu:”Arti më suprem i luftës, është ta nënshtrosh armikun pa luftuar”.

Ajo që do të bëjë më pas Putin, do të varet pjesërisht nga ajo që do të bëjë Perëndimi. Në këto kushte ky i fundit duhet të marrë parasysh 3 qasje themelore. Së pari ai duhet të kërkojë nga Zelenskyy të bëjë lëshime ndaj Putinit. Por këtu ka dy probleme. I pari është që kur Putin kërkon që Ukraina të përmbushë pikat e Marrëveshjes së Minskut, ai nënkupton interpretimin e Rusisë mbi të.

Kjo do të kërkonte që lëvizjen e parë të bëjë Ukraina, duke ndërmarrë hapa, të cilat do të vendosin në një rrezik akoma më të madh sigurinë e saj. Për shembull, duke i dhënë de facto të drejtën e vetos autoriteteve separatiste në Donbas, mbi orientimin e politikës së jashtme të Ukrainës, përfshirë marrëdhëniet e Kievit me BE-në dhe NATO-n.

Advertisement

Në këmbim, Ukraina mund të shpresonte vetëm që Rusia të përmbushte pjesën e saj të marrëveshjes, duke ua rikthyer autoriteteve ukrainase kontrollin e kufirit. Për këtë të fundit, mjafton që Ukraina të shohë shembullin e Gjeorgjisë, për të mësuar se sa gjasa ka që Putin ta bëjë këtë.

Rusia nuk i ka përmbushur asnjëherë detyrimet e saj sipas marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2008, të negociuar nga presidenti i atëhershëm francez, Nicolas Sarkozy. Problemi i dytë është se Putini ka treguar tashmë se dëshiron më shumë sesa thjesht zbatimin e Marrëveshjes së Minskut.

Ai dëshiron t’i japë fund bashkëpunimit të NATO-s me Kievin, dhe të ndalë furnizimin e ushtrisë ukrainase me armë perëndimore, duke e rritur kësisoj cenueshmërinë e Ukrainës në të ardhmen. Qasja e dytë që mund të zbatojë Perëndimi është të mbetet neutral, duke u bërë thirrje të dyja palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje.

Deri kohët e fundit kjo ishte qasja e Francës dhe Gjermanisë. Kur u shtuan forcat ruse pranë kufirit ukrainas në muajin prill, Berlini dhe Parisi u bënë thirrje “të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, dhe të punojnë drejt de-përshkallëzimit të menjëhershëm të tensioneve”, ​​duke injoruar faktin se ishte Rusia, ajo që po kërcënonte Ukrainën, dhe jo anasjelltas.

Advertisement

Një qëndrim i tillë, mund ta inkurajojë Putin të mendojë se një sulm do të ishte në thelb pa kosto, apo se ashtu si në skenarin e parë, Perëndimi do ta detyrojë Ukrainën të rikthehet në tryezën e  negociatave, në interes të rivendosjes së “stabilitetit”.

Po ashtu, refuzimi i Perëndimit për të marrë anë në këtë konflikt, mund të bëjë që Ukraina të besojë se nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të luftojë vetë kundër Rusisë, dhe të vlerësojë (në mënyrë të gabuar) se shpresa e saj më e mirë për të pasur sukses, do të ishte një ofensivë parandaluese ushtarake në Donbas.

Zelenskyy, një president relativisht i dobët dhe i papërvojë, mund të mendojë se mund t’i mposhtë forcat separatiste pro-ruse, përpara se mund të reagojë Moska, ose të shpresojë se partnerët perëndimorë të Ukrainës nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse ta ndihmojnë Kievin, në rast se do të kundërsulmojë Rusia.

Qasja e tretë që mund të ndjekë Perëndimi, është të fokusohet në frenimin e Rusisë dhe garantimin e sigurisë së Ukrainës. Ky është një opsion aspak i lehtë. Sfida e parë do të ishte bindja e opinionit perëndimor dhe Kremlinit, se Ukraina është po aq e rëndësishme për Perëndimin sa është për Rusinë.

Advertisement

Analistët rusë, kanë bërë një punë të mirë gjatë shumë viteve, duke argumentuar se Ukraina ka një rëndësi ekzistenciale për Moskën. Por mbijetesa e Ukrainës si një shtet i pavarur dhe demokratik, është po aq jetike për Perëndimin, dhe veçanërisht për evropianët.

Nëse Rusia do të synonte të kontrollonte Ukrainën Lindore, Qendrore dhe atë Jugore, duke lënë një pjesë perëndimore të paqëndrueshme, efektet mbi sigurinë evropiane do të ishin shumë më të mëdha se sa nga aneksimi i Krimesë. Flukset e refugjatëve do të destabilizonin fqinjët perëndimorë të Ukrainës:Sllovakinë, Hungarinë, Poloninë dhe Rumaninë.

Do të rritej dominimi i Rusisë në Detin e Zi, duke i lënë më të brishtë aleatët e NATO-s, Bullgarinë dhe Rumaninë. Forcat ruse do të ishin disa qindra kilometra më pranë territorit të NATO-s, teksa pushtimi i Ukrainës do të dëmtonte rëndë edhe reputacionin e SHBA-së.

Prandaj vendet perëndimore duhet të përshpejtojnë furnizimin e Ukrainës me sisteme të armëve mbrojtëse. Por nëse ato duan që ta frenojnë Rusinë, hapi më efektiv, por më i vështiri në aspektin politik, do të ishte vendosja e disa forcave perëndimore pranë vijës së frontit.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy