Pse po dështon plani i madh i Vladimir Putinit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pse po dështon plani i madh i Vladimir Putinit

Nga Ian Birrell “Unheard

Muajin e kaluar në parlamentin britanik u zhvillua një debat 3-orësh me temë “Cila është strategjia e madhe e Putinit?”.Ai nisi me një fjalim pasionant nga konservatori, Sër Bernard Jenkin, që foli për fokusin “shumë të saktë” të presidentit rus, ndërsa ankohej për mungesën e synimeve të ngjashme dhe të qarta midis shumë shteteve demokratike.

Jenkin përshkroi në detaje strategjinë e Kremlinit:ajo synon t’i japë fund hegjemonisë globale të Shteteve të Bashkuara, të krijojë të çara midis Uashingtonit dhe Evropës, të bëhet fuqia kryesore në kontinentin tonë dhe të “rivendosë sa më shumë të jetë e mundur kontrollin de facto të Rusisë mbi pjesën më të madhe të ish-republikave sovjetikëve, dhe të zgjerojë sa më shumë sferën e tij të ndikimit”.

Analiza e Jenkin u mbështet nga shumë figura të njohura nëWestminster, përfshirë kryetarët e komitetit të mbrojtjes dhe të punëve të jashtme. David Lammy, Sekretari i Jashtëm i qeverisë laburiste në hije, deklaroi se Putini synon “të rivendosë statusin dhe ndikimin e Rusisë, duke përfshirë dominimin mbi vendet sovrane afër saj”.

Advertisement

Ai kundërshtoi ata që i bëjnë jehonë pretendimit të Kremlinit, se Perëndimi po e provokon Rusinë që të veprojë nëpërmjet zgjerimit të vazhdueshëm në lindje të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ishte mirë të shihej një unitet i tillë mbi këtë çështje qendrore të sigurisë evropiane.

Gjithsesi pas këtij debati, qëndron ideja e dëmshme se Putini po e poshtëron Perëndimin dhe demokracitë e tij të dobësuara. Natyrisht kjo është perspektiva e makinerisë propagandistike ruse. Politikanët, kolumnistët dhe think-tanket në Perëndim, e lavdërojnë shpesh gjenialitetin keqdashës të Moskës.

Unë e kam bërë diçka të tillë në të kaluarën. Tipike ishte një artikull i kohëve të fundit nga gjenerali amerikan në pension Keith Kellogg, ish-këshilltar i presidentit Donald Trump, i cili thoshte se Putin ishte në prag të dhënies së “goditjes përfundimtare për ta zvogëluar NATO-n”, përpara se të shtonte:“Historia është në anën e tij … është vetëm çështje kohe se kur ai do të zërë shah-mat Evropën”.

Admiruesit dhe ata që mbrojnë një qasje të butë ndaj Putin – të cilët mund të gjenden në të gjithë spektrin politik britanik – përsërisin shpesh klishenë se Putin po luan shah ndërsa armiqtë e tij damë. Ai pushtoi Krimenë, i shtypi rebelët çeçenë, e dobësoi Ukrainën dhe e ka vendosur nën kontrollin e tij të plotë Bjellorusinë, teksa ka marrë një pjesë të Gjeorgjisë dhe republikave të shkëputura në Donbas.

Advertisement

Ai ndërhyri në Siri për të mbështetur diktatorin Bashar Al Assad. Dhe supozohet se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane, si dhe ka ndërmarrë operacione tinëzare në disa shtete afrikane. Por a është vërtet Putin një mjeshtër kaq i madh në skakierën gjeopolitike?

Është e dukshme se ai ka një strategji të qartë për ta rikthyer krenarinë e Rusisë pas rënies së perandorisë sovjetike, një ngjarje që ai e ka quajtur si “katastrofën gjeopolitike më të madhe të shekullit XX”. Në fillim të presidencës së tij, ai flirtoi duke iu afruar armikut të tij tashmë të përbetuar, NATO-s.

Tani forcat e tij të armatosura por grumbullohen në mënyrë kërcënuese në kufirin me Ukrainën. Megjithatë, një gjë më është bërë shumë e qartë pas një raportimi 2 javor në këtë vend. Dhe ajo është dështimi i këtij organizatori të supozuar makiavelist, qëllimi i të cilit për të rindërtuar perandorinë ruse dhe për të shkatërruar NATO-n ka dështuar, edhe pse ai po terrorizon fqinjin e tij, dhe po i detyron të gjithë të hamendësojnë se cila do të jetë lëvizja e tij e radhës në fushën e lojës.

Ukraina po largohet me shpejtësi nga sfera e ndikimit të Moskës, në orbitën e Perëndimit. Presidenti Putin duhet ta dijë këtë, pasi ai mendon të nisë një konflikt tjetër. Sondazhet tregojnë një ndryshim drastik në qëndrimin e njerëzve.

Advertisement

Për shembull, në korrik të vitit 2009 vetëm 1 në 5 ukrainas e mbështesnin anëtarësimin në NATO, por tani kjo shifër është rritur në58 për qind, dhe akoma më shumë duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. “Unë e di se si është jeta në Evropë, dhe e di se si është jeta në Rusi’- tha Marina Polyakova, një ukrainase shtëpiake rreth të 50-ave, djali i së cilës u keqtrajtua përgjatë protestave pro-demokracisë në Kharkiv.

“Unë dua që Ukraina të jetë një vend i drejtë dhe demokratik”-theksoi ajo. Reagimi brutal i Putinit ndaj atyre protestave mbarëkombëtare në vitin 2014, ka shtuar qëndrimet kundër tij. Vrasja e 104 demonstruesve në Kiev, çoi në rrëzimin e aleatit të tij, presidentit Victor Janukovich.

Një sondazh i krye pak para asaj masakre, zbuloi se 88 për qind e ukrainasve kishin një pikëpamje pozitive për Rusinë. Tek e fundit, ato janë dy kombe me lidhje të thella kulturore, tregtare, historike dhe familjare.

Më pas erdhi aneksimi i Krimesë, revoltat separatiste në dy krahinat kufitare, dhe fillimi i një lufte që vazhdon edhe sot e kësaj dite, me 14 mijë të vdekur dhe 2 milionë të zhvendosur. Deri në vitin 2020, pothuajse gjysma e ukrainasve, kishin ende një pikëpamje pozitive për fqinjin e tyre.

Advertisement

Kjo shifër ka rënë në më pak se 40 për qind në sondazhin më të fundit, ndërsa trupat e Moskës e kanë rrethuar vendin e tyre. Pra, pavarësisht përpjekjeve të Putinit për të fajësuar Perëndimin për ndërhyrjen në Ukrainë, realiteti është se armiqësia e tij dhe ndërhyrja toksike, e kanë përshpejtuar lëvizjen e këtij vendi drejt Evropës.

“Ndikimi i Rusisë në Ukrainë ka dështuar në mënyrë spektakolare që nga fillimi i agresionit në vitin 2014. Popullsia e Ukrainës është shumë më e bashkuar dhe më anti-ruse. Kjo ndjenjë është rritur edhe për shkak të retorikës armiqësore të zyrtarëve dhe mediave të Kremlinit, së bashku me refuzimin e tyre për të njohur zgjedhjen gjeopolitike të Ukrainës. Ukrainasit nuk e shohin të ardhmen e tyre në bashkim me Rusinë, apo me ndonjë formë të kontrollit rus mbi vendin tonë”- thotë Maria Avdeeva, një eksperte e sigurisë dhe fushatave të keqinformimit në Kharkiv.

Ndërkohë në Ukrainën Lindore, ka ende një pakicë e konsiderueshme që e sheh ende me simpati Moskën. Shoferi im i parë i taksisë në Kharkiv e lavdëronte Putinin që sipas tij ka thënë të vërtetën, ndryshe nga politikanët në Kiev. Sondazhet tregojnë se rreth 1 në 6 votues do t`i mbështeste ende partitë pro-ruse, edhe pse kjo mbështetje ka rënë në 3 muajt e fundit.

Por është e gabuar të supozohet apriori se rusisht-folësit – madje edhe rusët etnikë- nuk janë patriotë. Unë takova një burrë të lindur në Siberi, që ishte pajisur tashmë me një armë automatike, gati për të luftuar për mbrojtjen e Kievin. Ndërkohë një grua e re ruse, e detyruar të largohej nga Donjeckut pas kryengritjes së separatistëve, më tha se donte ta shihte Putinin të vdekur.

Advertisement

Ndjenjat pro-evropiane janë veçanërisht më të dukshme tek brezat e rinj. Një gazetare rreth të 30-ve më tha se para vitit 2014, miqtë që dëshironin një arsimim më të mirë universitar apo stazh pune do të shkonin në Moskë, pjesërisht për shkak të gjuhës së përbashkët, por edhe sepse “ishte për ne vendi i lezetshëm dhe prestigjioz”.

Ndërkaq, tani ata e shohin Rusinë si një agresore, tha ajo, ndaj kanë më shumë gjasa të shkojnë në Poloni ose në ndonjë vend tjetër të BE-së. Përveç kësaj, aktualisht nuk ka asnjë fluturim direkt midis Kievit dhe Moskës. Dikur, studentët më të mirë do të qëndronin në Rusi për të punuar; tani ka më shumë gjasa të jetojnë në Berlin, Londër apo Varshavë.

Vetë qeveria po nxit një ndryshim të madh kulturor. Vitet e fundit, janë miratuar ligje të reja për një përdorim më të gjerë të gjuhës ukrainase në shkolla dhe hapësira publike. Dikur shiheshin filmat hollivudianë të dubluara në rusisht; sot janë që të gjithë në ukrainisht.

Nga ana tjetër, ka ligje që e kufizojnë përmbajtjen e huaj në radio dhe librari. Shkollat ​​u ofrojnë nxënësve aktivitete patriotike pas përfundimit të mësimit. Kanalet televizive ruse janë të ndaluara. Tregtia dypalëshe ka rënë; Ukraina nuk është më e varur ekonomikisht nga Rusia, pasi është fokusuar më shumë drejt Evropës dhe Kinës.

Advertisement

Problemi i vërtetë i Putinit nuk është se Ukraina mund t’i bashkohet NATO-s, por se ky vend po e refuzon regjimin e tij represiv, pasi po kristalizon një ndjenjë identiteti kombëtar, po sheh nga Evropa për të ardhmen e saj, dhe po lufton për të qenë një vend demokratik.

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy