Pushtimi rus po ndikon drejtpërdrejt në ekonominë globale

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pushtimi rus po ndikon drejtpërdrejt në ekonominë globale

Pushtimi rus i Ukrainës krijoi rreziqe të reja për një ekonomi globale që po luftonte me inflacionin në rritje dhe që po rimëkëmbej nga pasojat e pandemisë së Covid-19. Ndikim të mëtejshëm do të ketë edhe përshkallëzimi i luftës, si dhe sanksionet e reja që mund të vendosë SHBA-ja dhe aleatët e saj kundër Rusisë.

Masat e ndërmarra sigurisht që do të kishin një ndikim të madh edhe në ekonominë evropiane, duke pasur parasysh varësinë e saj të madhe nga gazi rus. Veç kësaj, disa banka dhe biznese evropiane kanë lidhje të ngushtë me Rusinë.

Në pak kohë, që pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë u vu re se:

-Tregjet financiare reaguan me shpejtësi ndaj pushtimit;

-Tregjet e aksioneve në Evropë ranë ndjeshëm;

Advertisement

-Çmimet e mallrave u rritën menjëherë; 

-Rubla ruse ra në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë kundrejt dollarit;

-Çmimi i naftës u rrit mbi 100 dollarë për fuçi;

-Çmimet për mallrat si alumini apo nikeli që janë inputet kryesore në industrinë e automobilave, gjithashtu u rritën ndjeshëm.

Advertisement
Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë botërore dhe eksporteve për Evropën dhe SHBA-në. Rusia, siç dihet, është një nga furnizuesit kryesor të naftës, gazit natyror dhe mallrave të tjera. Nga ana tjetër, BE-ja mbështetet te Rusia për gati gjysmën e importeve të gazit natyror dhe pothuajse një të katërtën e importeve të saj të naftës.

“Ukraina dhe Rusia mundësojnë gati 30% të eksporteve globale të grurit, duke tregtuar miliona tonë grurë në ekonomitë e brishta në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Egjiptin, Turqinë dhe Libanin. Gjithashtu, Ukraina është ndër eksportuesit kryesorë edhe të misrit e elbit, dhe të gjitha dërgesat e saj ndërkombëtare të drithërave, kalojnë përmes Detit të Zi”, thotë Departamenti Amerikan i Bujqësisë.

Çmimet e grurit në SHBA u rritën në nivelet më të larta që nga korriku i vitit 2012. Sipas të dhënave, transporti tregtar brenda dhe jashtë Ukrainës, u ndal kryesisht pas sulmit të forcave ruse, sidomos pas shpërthimeve në portet kryesore në Odessa dhe Mariupol.

Në një kohë kur çmimet e energjisë po shënonin rritje edhe përpara nisjes së luftës, çdo ndërprerje e furnizimeve nga Rusia dhe Ukraina mund t’i rrisë çmimet akoma dhe më shumë dhe të dobësojë ekonominë globale, veçanërisht në Evropë.

“Paqja është shumë më e mirë se çdo lloj lufte edhe nga pikëpamja ekonomike. Banka Qendrore Europiane po monitoron nga afër implikimet nga situata në Ukrainë. Banka do të bëjë një vlerësim gjithëpërfshirës të perspektivës ekonomike. Këtu përfshihen edhe zhvillimet e fundit në fushën gjeopolitike”, shprehet presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.

Advertisement

Sipas zyrtarëve të Bankës Qendore, konflikti Rusi-Ukrainë do të rrisë çmimin e energjisë dhe gjithashtu mund të ketë një ndikim negativ në rritjen ekonomike, kjo pasi do të bjerë besimi dhe investimet do të jenë të pakta. “Kjo situatë jo vetëm që ndikon çmimet e naftës dhe gazit, por besimin e investitorëve, besimin e konsumatorëve, tregtinë e kështu me radhë. Pra, do të kemi efektet makroekonomike”, tha Philip Lane, kryeekonomisti i Bankës Qendrore.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy