
Një shfaqje e rrallë e mbështetjes publike për Rusinë, pas sulmit të saj kundër Ukrainës është shfaqur në qendër të Beogradit, në Serbi. Mijëra qytetarë me flamuj rusë dhe fotografi të presidentit Vladimir Putin marshuan në kryeqytet, duke ecur drejt Ambasadës ruse.
Në mesin e demonstruesve ishin edhe anëtarët e grupit rus “Ujqërit e Natës”, të njohur për pjesëmarrje në luftimet e Ukrainës përkrah separatistëve pro-rusë gjatë krizës së Krimes më 2014.
Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimore që ka refuzuar të vendosë masa ndëshkuese kundër Moskës. Kjo ndodh pasi presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin kanë marrëdhënie të mira diplomatike edhe ekonomike. Aktualisht, Beogradi po tenton të ruajë balancën midis synimeve evropiane dhe aleancës me Rusinë.
Nga ana tjetër, në kryeqytetet evropiane janë mbajtur protesta kundër pushtimit rus të Ukrainës. Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin qendror të Pragës duke mbajtur pankarta që lexonin: “Ndaloni luftën”, “Ne qëndrojmë me Ukrainën” dhe “Putini është Hitler” .
Edhe kryeqyteti i Gjeorgjisë i është bashkuar demonstratave në mbështetje të Ukrainës, ku mijëra njerëz dolën rrugëve të qytetit me flamuj nëpër duar dhe himnin ukrainas në sfond. Parisi dhe Frankfurti janë solidarizuar së bashku në mbështetje të Ukrainës.