Regjisori amerikan ngre dyshime: Kam pyetje për 11 Shtatorin, godina duket sikur u shemb me shpërthim të komanduar

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Regjisori amerikan Spike Lee thotë se beson teoritë konspirative lidhur me sulmet e 11 Shtatorit, përfshi edhe pretendimin se një godinë e Qendrës Tregtare Botërore është rrëzuar me shpërthim të komanduar dhe jo për shkak të përplasjes së avionit nga terroristët.

Në një intervistë të dhënë për “New York Times”, Lee foli për dokumentarin e tij të ri, që përqendrohet në ngjarjet tragjike të 11 shtatorit 2001, ku terroristët morën peng 4 avionë, 2 prej të cilëve i përplasën në Kullat Binjake në Nju-Jork, njërin në Pentagon, ndërsa një tjetër u përplas në tokë pasi ishte drejtuar për në Uashington.

Dokumentari rrëfen një prej historive më tragjike të Amerikës përmes personave që e kanë jetuar në vetë të parë, por në episodin e fundit janë intervistuar edhe pjesëtarë të grupit “Arkitektët dhe Inxhinierët për të vërtetën e 11 Shtatorit”, të cilët mendojnë se në shembjen e Qendrës Tregtare Botërore ka qenë e përfshirë edhe qeveria amerikane.

I pyetur nga gazetari i “New York Times”, Reggie Ugwu, Lee, tha: “Edhe unë kam pyetje dhe shpresoj që trashëgimia e këtij dokumentari të jetë mbajtja e një dëgjese në Kongres rreth sulmeve”. Ndërsa pyetjes nëse i besonte shpjegimit zyrtar për shembjen e kullave, Lee u përgjigj: “Sasia e nxehtësisë që duhet për të shkrirë çelikun, temperatura, nuk është arritur. Pastaj, mënyra sesi godina 7 u shemb në tokë, duket si shpërthim i komanduar”.

Advertisement

Megjithatë, Lee shtoi se dokumentari kishte si qëllim që njerëzit ta vlerësonin vetë të vërtetën pasi të shihnin dokumentarin. “Unë sjell informacionin, pastaj njerëzit vendosin vetë. E respektoj zgjuarsinë e audiencës”.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy