Rusët do mësyjnë në Ukrainë, pasi duan të rindërtojnë perandorinë e tyre

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Rusët do mësyjnë në Ukrainë, pasi duan të rindërtojnë perandorinë e tyre

Nga Peter Conradi

“The Times” 

Për Denis Semyrog-Orlyk, çështja nuk është nëse rusët do ta pushtojnë Ukrainën, por kur do të ndodhë kjo. Në një mbrëmje të ftohtë dhe me shi javën e kaluar, arkitekti 46-vjeçar ishte ulur me anëtarët e tjerë të batalionit të 130-të të Forcave të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës në një kasolle në periferi të Kievit, duke marrë leksione se si të ndalojnë pushtuesit rusë.

Kryeqyteti ukrainas, një vend plot me kisha piktoreske, me kube të arta dhe me bllokime të tmerrshme të trafikut, nuk ndihet si një qytet në prag të luftës. Këtu nuk ka shenja të blerjeve për shkak të panikut; dhe asnjë eksod masiv drejt zonave rurale. Rreth 100.000 trupa ruse të pozicionuara në mënyrë kërcënuese në kufijtë veriorë, lindorë dhe jugorë të vendit ndjehen sikur janë shumë larg.

Advertisement

Megjithatë, Semyrog-Orlyk dhe shokët e tij, po përgatiten për më të keqen. Çdo të enjte në mbrëmje ata vijnë në këtë barakë për të mësuar taktika nga veteranë të ushtrisë ukrainase dhe speciale. Të shtunave, ata shkojnë në pyll apo në godinat e braktisura përreth qytetit për të praktikuar patrullimin, mbrojtjen e pozicioneve dhe aftësi të tjera ushtarake.

“Sigurisht që rusët janë duke ardhur. Ata duan që të rindërtojnë perandorinë e tyre. Dhe për të rindërtuar perandorinë e tyre, ata duhet të pushtojnë Ukrainën. Rusët i kanë ezauruar të gjitha metodat e tjera për të ushtruar presion ndaj Ukrainës, prandaj ata do të kalojnë kufirin. Por nuk do të arrijnë dot deri këtu, pasi ne do t’i ndalojmë”- thotë Semyrog-Orlok, ndërsa kolegët e tij, njëri biznesmen, tjetri fotograf dhe i treti ekspert i IT e miratojnë duke tundur kokën.

Serhii, 50 vjeç, është një veteran i forcave speciale të Ukrainës, puna e përditshme e të cilit këto ditë është të jetë instruktori i tyre. “Putin është maniak. Kush e di se çfarë po bluan në kokë dhe çfarë do të bëjë?”- thotë ai. Dhjetë burra dhe një grua u mblodhën për trajnimin ushtarak, dhe secili prej tyre do të komandojë 20-25 ushtarë të togës së tij.

Ata janë në mesin e 250 mijë trupave territoriale që do të dislokohen bashkë me ushtrinë e rregullt dhe rezervat, duke ndërtuar kësisoj një forcë luftarake që i afrohet një milionëshit. Detyra e tyre, shpjegon Serhii, është të sigurohen që rekrutët ta njohin aq mirë zonën e tyre sa të mund ta “mbrojnë atë me sy mbyllur”, dhe t’i rezistojnë pushtuesve në çdo moment. “Ne u themi atyre se gjithçka ka të bëjë me mbrojtjen e shtëpisë së tyre, shtëpive të tjera në rrugë, komunitetit të tyre”- shton ai.

Advertisement

Ata që bëjnë pjesë në njësitë e tjera do të përfshihen në një luftë partizane, duke u përpjekur madje të depërtojnë tek njësitë ruse dhe t’i shkatërrojnë ato nga brenda, duke u bërë jehonë paraardhësve të tyre në perëndim të vendit që luftuan kundër forcave sovjetike deri në mesin e viteve 1950.

Ukrainasit do të luftojnë kundër rusëve, forcat konvencionale të së cilës janë 10 herë më të fuqishme, thotë Oleksiy Melnyk, ekspert për çështjet e sigurisë në qendrën “Razumkov”, një institut kërkimi në Kiev. “Por Ukraina ka një potencial shumë të fortë, nëse jo për të rezistuar për një kohë të gjatë, të paktën për t’i shkaktuar humbje të mëdha trupave ruse”- shtoi ai.

Oleksiy Reznikov, Ministri ukrainas i Mbrojtjes, e shprehu më grafikisht këtë gjë në një intervistë televizive:“Do të jetë një masakër vërtet e përgjakshme, dhe djemtë rusë do të kthehen gjithashtu në arkivole”.Ukraina ka qenë në luftë me Rusinë që nga viti 2014, kur Vladimir Putin dërgoi forcat speciale për të pushtuar Gadishullin e Krimesë, dhe për të nxitur një kryengritje nga separatistët pro-rusë në lindje të vendit.

Deri më tani atje kanë vdekur mbi 14.000 njerëz, ndërsa zona të mëdha të Donbasit, dikur zemra industriale e Ukrainës, janë kthyer në një shkretëtirë. Kërcënimi i dukshëm i një pushtimi të plotë rus është rritur muajt e fundit. Por zyrtarët e shërbimeve sekrete amerikane, kanë zbuluar hartimin e planeve për një sulm ushtarak që përfshin rreth 175.000 trupa, dhe që mund të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm.

Advertisement

Putin e ka vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si një shtet vërtet i pavarur. Në një ese të gjatë të botuar verën që shkoi, ai pohoi se “sovraniteti i vërtetë i vendit . . . është i mundur vetëm në partneritet me Rusinë”.

Por ky mund të jetë një blof i madh i Putin, që në mënyrë të përsëritur e ka mohuar se synon të pushtojë Ukrainën dhe e ka fajësuar për tensionet në rritje Kievin dhe mbështetësit e saj perëndimorë, të cilët kanë organizuar manovra detare në Detin e Zi dhe kanë dërguar avionët bombardues strategjikë deri në kufijtë e Rusisë.

Në një analizë të detajuar të opsioneve ushtarake të Rusisë, ish-Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Andriy Zagorodniuk, tha se është plotësisht i mundur një pushtim në shkallë të plotë, por kjo do të kërkonte 400.000 trupa, do të kushtonte dhjetëra e mijëra jetë njerëzish, dhe do ta dëmtonte rëndë ekonominë ruse.

Reagimi që mund të shpërthejë në Rusi mund të çojë në “fundin e regjimit aktual rus”, shkroi ai në gazetën “Ukrainska Pravda”. Qëllime të tjera më të arritshme përfshijnë pushtimin e më shumë territoreve në lindje apo afër Krimesë.

Advertisement

Në vend të kësaj, qëllimi i Putinit duket se është fitimi i lëshimeve të reja nga Perëndimi pa pasur nevojë për asnjë të shtënë armësh, midis tyre anulimi nga NATO i premtimi që iu bë Ukrainës në samitin e Bukureshtit në vitin 2008, se ajo një ditë mund të bëhet anëtare e aleancës.

Presidenti Joe Biden, që zhvilloi një video-takim 2-orësh me Putinin të martën e javës së kaluar, ka refuzuar ta bëjë këtë,dhe ka përsëritur pohimin e tij se u takon ukrainasve të vendosin nëse duan që t’i bashkohen NATO-s, edhe pse nuk duket se ka shumë entuziazëm  në mesin e anëtarëve të aleancës, për ta pranuar sa më shpejt Ukrainën.

Rreth 30 për qind e burrave dhe grave të anketuar nga qendra “Razumkov”janë shprehur të gatshëm të rrëmbejnë armët për të mbrojtur vendin e tyre. Sondazhe të tjera flasin për një shifër shumë më të lartë. Në rast se forcat ruse do ta pushtojnë Ukrainën, ato do të përballen me një kundërshtare shumë më të frikshme se ajo me të cilën u përballën në vitin 2014.

Gjatë viteve të fundit, në Ukrainë kanë mbërritur qindra miliona paund armatime perëndimore, shumica e tyre nga Amerika, e cila nën presidentin Donald Trump e zemëroi Rusinë kur e furnizoi Kievin me raketat e sofistikuara antitank “Javelin”. Po ashtu Kremlini

Advertisement

u zemërua edhe me vendimin e Turqisë për t’i shitur Ukrainës dronët e saj luftarakë “Bayraktar TB2”, të cilët Ukraina i përdori për herë të parë në tetor për të shkatërruar artilerinë e separatistëve.

Po ashtu Ukraina ka kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake me trupat amerikane, britanike dhe trupat e tjera të NATO-s, ndërsa atje janë vendosur një numër këshilltarësh perëndimorë. Ndikimi i aleancës perëndimore ishte i dukshëm në kursin e së enjtes së kaluar, kushtuar komunikimit, kur një kolonel në pension u mësoi rekrutëve protokollet e NATO-s dhe jo ato të trashëguara nga epoka sovjetike.

Megjithatë, një armatim i tillë i sofistikuar nuk ka arritur ende në territore. Një nga rreshterët e pranishëm, Vasiliy Hryhoruk, një sipërmarrës28-vjeçar, tha se e kishte blerë vetë armën e tij, një version ukrainas AR15, një pushkë gjysmë automatike e lehtë, e njohur për përdorimin e saj në disa nga masakrat më të këqija në SHBA.

“Është një armë e shkëlqyer. Gati të gjithë kanë armën e tyre. Ndoshta një kallashnikov apo edhe një armë gjahu”- thotë Hryhoruk, teksa shton se bashkë me syzet e natës dhe aksesorët e tjerë i kushtuan më shumë se 2.000 paund.

Advertisement

Biden tha se e paralajmëroi Putinin gjatë takimit të tyre virtual se një pushtim rus do të ndëshkohej me “pasoja ekonomike ta papara ndonjëherë më parë”, dhe që mendohet të përfshijnë edhe ndalimin e Rusisë nga SWIFT, një sistem global i pagesave elektronike, dhe një vonesë të mëtejshme për nisjen nga puna të gazsjellësit “Nord Stream2” që transporton gazin rus në Gjermani.

Por nga ana tjetër presidenti amerikan e pranoi se dërgimi i trupave amerikane në Ukrainë për të penguar një sulm rus“nuk ishte në tryezë”.Por Biden shkaktoi tronditje në Kiev dhe në kryeqytetet fqinje, kur u shpreh i gatshëm të diskutojë me Putin mbi një “arkitekturë të re të sigurisë” për rajonin.

Ukraina druhet se kjo e fundit mund ta lërë vendin të bllokuar përgjithmonë brenda orbitës ruse, duke i dhënë njëherë e mirë fund perspektivës së anëtarësimit të NATO-s dhe ndoshta edhe në BE. Biden u përpoq t’i qetësonte aleatët e tij me një sërë telefonatash të enjten e shkuar,kur ai i premtoi presidentit Zelensky dhe udhëheqësve të 9 anëtarëve të NATO në Evropën Lindore, se nuk do të marrë vendime të përbashkëta me Putinin në kurriz të tyre.(Bota.al)

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy