Rusët shoqërojnë avionin “spiun” amerikan, intensifikojnë stërvitjen në kufi me Ukrainën

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Rusët shoqërojnë avionin “spiun” amerikan, intensifikojnë stërvitjen në kufi me Ukrainën

Rusia pretendon se ka shoqëruar për disa minuta një avion “spiun” amerikan në Detin e Zi, në incidentin e fundit të këtij lloji mes dy shteteve, në një moment tepër të tensionuar ku fjala “luftë” është përdorur shumë shpesh. Në videon e publikuar nga autoritetet ruse, sipas tyre nga kabina e një avioni luftarak Su-27, duket një avion amerikan RC-135 që po fluturon mbi Detin e Zi.

E gjithë zona pranë gadishullit të Krimesë, i aneksuar nga Rusia në vitin 2014, por edhe kufiri me Ukrainën është shndërruar në një pikë të nxehtë mes Moskës dhe Perëndimit, ku palët akuzojnë njëra tjetrën për shtim të pajustifikuar të pranisë ushtarake.

NATO, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara thonë që Rusia po planifikon pushtimin e vendit fqinj, ndërsa Kremlini ka denoncuar disa herë afrimin e bazave ushtarake të NATO-s dhe ka kërkuar që Ukraina të mos bëhet pjesë e aleancës.

Në disa video të tjera të publikuara nga Ministria ruse e Mbrojtjes, shihet edhe stërvitja intensive ushtarake që Rusia po realizon në kufi me Ukrainën dhe krahinat separatiste që duan të shkëputen, që mbështeten nga Moska.

Advertisement

Ndërkohë, “Washington Post” citoi një zyrtar të administratës Biden të thoshte që Rusia po mendon të bëjë lëvizjen e parë drejt pushtimit të Ukrainës në fillim të vitit 2022. Edhe pse palët kërcënojnë dhe akuzojnë njëra-tjetrën, në mediat ndërkombëtare është folur se po punohet për një takim virtual mes Biden dhe Putin, për të shmangur përballjen e armatosur.

Por ndërsa “të mëdhenjtë” diskutojnë për fatet e Ukrainës, në terren ushtarët e rregullt të Kievit dhe separatistët e Donbas dhe Donjeck kanë zënë pozicionet e tyre në llogore dhe herë pas herë, armëpushimi prishet pasi palët shkëmbjnë zjarr.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy