Sekretari Blinken garanton mbështetjen për Moldavinë mes krizës në Ukrainë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Sekretari Blinken garanton mbështetjen për Moldavinë mes krizës në Ukrainë

Pas vizitës në Poloni, Sekretari amerikan i Shtetit qëndroi sot në Moldavi për të shprehur mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për mikpritjen e refugjatëve ukrainas. Moldavia thotë se që nga fillimi i luftës, vendi ka pranuar mbi 230 mijë refugjatë nga Ukraina, dhe se ka nevojë urgjente për asistencë ndërkombëtare.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken lavdëroi të dielën udhëheqësit e Moldavisë për pranimin e refugjatëve nga Ukraina dhe premtoi mbështetjen e Uashingtonit. Mes tensioneve në Ukrainë pasojë e agresionit rus, Sekretari Blinken po viziton disa vende të Evropës Lindore.

Moldavia thotë se rreth 230 mijë refugjatë kanë kaluar kufijtë e saj me Ukrainën, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Presidentja e Moldavisë bëri thirrje për ndihmë të menjëhershme ndërkombëtare.

“Dhjetëra mijëra familje në mbarë vendin strehuan njerëzit e ardhur nga Ukraina. Është një përpjekje domethënëse për një vend me popullsi nën 3 milionë dhe me të ardhura modeste. Por megjithë këto sfida të mëdha nga fluksi në rritje i refugjatëve nga vendi fqinj, ne nuk mund t’u kthejmë kurrizin këtyre njerëzve. Shumica e refugjatëve janë gra, fëmijë dhe të moshuar. Ata kalojnë kufirin të rraskapitur, të dëshpëruar pas orësh të gjata udhëtimi, ndërsa i largohen luftës. Është detyra jonë morale t’i ndihmojmë dhe do të vazhdojmë ta përmbushim këtë mision me sa mundemi. I dashur Sekretar i Shtetit, Republika e Moldavisë ka nevojë për asistencën dhe kontributin e menjëhershëm të komunitetit ndërkombëtar”, tha Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Advertisement

Sekretari Blinken premtoi ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

“Siç i thashë Presidents Sandu, Moldavia meriton mirënjohje ndërkombëtare për mikpritjen dhe mbrojtjen e ukrainasve. Siç diskutova sot me kryeministren, presidenten dhe ministrin e jashtëm, Shtetet e Bashkuara do të bëjnë ç’të munden për ta ndihmuar Moldavinë që po kujdeset për njerëzit që kanë kaluar kaq shumë peripeci. Administrata jonë i ka kërkuar Kongresit 2.75 miliardë dollarë fonde asistence urgjente humanitare, jo vetëm për të plotësuar nevojat e komuniteteve brenda Ukrainës, por edhe për të ndihmuar vende si Moldavia që po mbështesin refugjatët dhe po ndihmojnë për krizën humanitare jashtë territorit të Ukrainës”, tha Sekretari Blinken.

Ai informoi se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Poloni, nëse Varshava do të vendoste të dërgonte avionë luftarakë në Ukrainë.

“Po shqyrtojmë tashmë çështjen e avionëve që Polonia mund t’i ofrojë Ukrainës. Po shohim se si mund ta plotësojmë boshllëkun që do të krijohet, nëse do të mund t’i ofrojmë avionë. Nuk mund të caktoj ndonjë afat, por po e shqyrtojmë intensivisht”, tha Sekretari Blinken.

Advertisement

Vizita në Moldavi e Sekretarit amerikan të Shtetit pasoi vizitën në Poloni, një vend anëtar i NATO-s, ndërsa aleanca po përpiqet të forcojë krahun e saj lindor në kundërpërgjigje të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy