SHBA pritet të rikthehet në Këshillin e diskutueshëm të OKB -së për të drejtat e njeriut

Pinterest LinkedIn Tumblr +
SHBA pritet të rikthehet në Këshillin e diskutueshëm të OKB -së për të drejtat e njeriut

Shtetet e Bashkuara do të rikthehen në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, pasi u tërhoqën nga ky organizëm i diskutueshëm gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump në vitin 2018.

Të enjten, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë për 18 anëtarë të rinj që pritet t’i bashkohen këshillit prej 47 anëtarësh. Shtetet e Bashkuara janë ndër kandidatët që kanë nevojë për një shumicë të thjeshtë votash në mënyrë që të sigurojnë një vend në këtë këshill. Asnjë nga shtetet nuk përballet me ndonjë konkurrencë brenda rajoneve që përfaqësojnë, çka i bën rezultatet kryesisht të paracaktuara.

Mes shteteve që kandidojnë për një vend në këtë këshill janë Argjentina, India, Lituania, Katari dhe Somalia. Disa prej kandidatëve janë më të diskutueshëm se të tjerët për shkak të historisë së tyre me respektimin e të drejtave të njeriut.

“Mungesa e konkurrencës në votimin e këtij viti për anëtar të Këshillit për të Drejtat e Njeriut është një tallje me fjalën “zgjedhje”, tha Louis Charbonneau, drejtor për OKB-në në organizatën Human Rights Watch. “Zgjedhja e shkelësve seriozë të të drejtave të njeriut si Kameruni, Eritrea dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dërgon një sinjal të tmerrshëm, se vendet anëtare të OKB-së nuk janë serioze në lidhje me misionin themelor të këshillit për të mbrojtur të drejtat e njeriut”.

Advertisement

Zoti Charbonneau u bëri thirrje shteteve të mos votojnë për kandidatët e pakualifikuar. Vendet që bëhen pjesë e këtij këshilli pritet të “mbajnë standardet më të larta në mbrojtjen e të drejtave të njeriut” si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Disa diplomatë thonë se këshilli ka nxjerrë disa raporte të rëndësishme dhe të forta mbi krimet e luftës në vende si Siria, si dhe ka vënë në pah abuzimet që ndodhin në vende si Korea e Veriut, Irani e Mianmari. Por këshilli kritikohet shpesh se e përqëndron vëmendjen tek Izraeli dhe për përfshirjen në gjirin e tij të disa vendeve me historik problematik në raport me të drejtat e njeriut, si Kina, Rusia dhe Pakistani.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut u krijua në vitin 2006 për të zëvendësuar Komisionin jofunksional të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, i cili u shpërbë. Administrata e ish-Presidentit amerikan George W. Bush vendosi të mos i bëjë Shtetet e Bashkuara anëtare të tij dhe Uashigtoni nuk iu bashkua këtij organizmi deri në vitin 2009, kur administrata e Presidentit Barack Obama tha se kërkonte ta përmirësonte këshillin duke punuar nga brenda. Uashingtoni u tërhoq sërish nga ky këshill në 2018 gjatë administratës Trump.VOA

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy