SHBA: Të nisin urgjentisht negociatat për Asociacionin

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

“Duhet të ketë një propozim për Asociacionin në tryezë”, tha Hovenier në një takim me gazetarët në Prishtinë.

 

Advertisement

Ai, po ashtu, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

 

Për më tepër, tha ai, Qeveria e Kosovës nuk duhet të nisë me gjobitjen e shoferëve që vozisin makina me targa të tilla.

 

Advertisement

Hovenier tha se e ka kërkuar një gjë të tillë direkt nga Qeveria.

 

I pyetur nëse Qeveria u është përgjigjur kërkesave të tij, Hovenier tha:

 

Advertisement

“Mendoj se ju e dini, ashtu sikurse unë, se si po u përgjigjet Qeveria kërkesave aktualisht. Por, unë jam diplomat, dhe kjo do të thotë se unë gjithmonë kërkoj rrugë pozitive përpara. Më duhet të besoj se mund të gjejmë një rrugë të përbashkët përpara, që është në interes të të gjithëve dhe në interes të paqes dhe sigurisë”.

 

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

 

Advertisement

Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999.

 

Qeveria e Kosovës kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

 

Advertisement

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

 

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

 

Advertisement

Ata kanë thënë se nuk do të rikthehen, nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nuk e tërheq vendimin për riregjistrimin e makinave.

 

“Të gjithë jemi të shqetësuar për situatën në veri”, sepse ajo ka “potencial për të eskaluar”, tha ambasadori Hovenier.

 

Advertisement

Ai, gjithashtu, tha se Qeveria e Kosovës duhet të bisedojë me komunitetin serb, duke shfaqur shpresën se përfaqësuesit e tij do të kthehen në institucionet e Kosovës.

 

“Shpresojmë që kjo gjë të jetë e përkohshme”, tha Hovenier duke komentuar dorëheqjet e serbëve.

 

Advertisement

 

Tensionet në veri “për shkak të planit franko-gjerman”

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi më 7 nëntor presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për destabilizmin e situatës në veri të Kosovës.

 

Advertisement

Ai tha se kjo po bëhet për shkak të, siç u shpreh, refuzimit të planit franko-gjerman nga pala serbe. Ky plan, siç është raportuar më herët, parasheh zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

 

Sipas Kurtit, Vuçiq është duke i përdorur pjesëtarët e strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës për destabilizim të situatës.

 

Advertisement

Për Kosovën, sipas Kurtit, plani franko-gjerman është “hap në drejtimin e duhur”.

 

 

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza.

Advertisement

 

“Një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël – që ata thonë se është 1 për qind – do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, ka thënë Bislimi, pa specifikuar më shumë.

 

Vuçiq ka thënë, muajin e kaluar, se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia ta lejojë Kosovën të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të integrimit të shpejtë të saj në BE.

Advertisement

 

BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht kanë bërë thirrje që Kosova të bëjë hapa drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e këtij asociacioni në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Advertisement

 

Më 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

 

Kurti ka deklaruar disa herë që është kundër formimit të një asociacioni njëetnik.

Advertisement

 

Serbia, në anën tjetër, insiston që asociacioni të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive./rel

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy