Shpëtohen rreth 700 emigrantë në brigjet italiane

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Shpëtohen rreth 700 emigrantë në brigjet italiane

Pothuajse 700 emigrantë, u shpëtuan të shtunën në brigjet jugore të Italisë. Në një njoftim të rojes bregdetare italiane të dielën thuhej se në mesin e emigrantëve u gjetën edhe pesë trupa të pajetë. Ky zhvillim vjen ndërsa flukset e emigrantëve që kalojnë Mesdheun po rriten për shkak të kushteve më të favorshme në udhëtimit në det.

Pjesa më e madhe e emigrantëve, 674 prej tyre u gjetën në një varkë peshkimi rreth 200 km larg brigjeve të Kalabrisë, të tjerët u gjetën në ujë.

Advertisement

Emigrantët u dërguan sot herët në mëngjes në Siçili dhe Kalabri ndërsa pesë trupat e pajetë janë dërguar në morgun e spitalit të qytetit siçilian, Mesina.

Sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme të Italisë më shumë se 34,000 azilkërkues dhe migrantë kanë mbërritur në Itali prej fillimit të vitit, nga rreth 25,500 që u shënuan në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Advertisement

Vendet mesdhetare kanë pritur më shumë se 150,000 emigrantë këtë vit, në një kohë kur mungesa e ushqimit shkaktuar nga konflikti në Ukrainë kërcënon një valë të re emigrantësh nga Afrika dhe Lindja e Mesme.

Të dielën në mëngjes, një anije me flamur norvegjez “Ocean Viking” vuri re një gomone të mbipopulluar në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve të Libisë dhe shpëtoi 87 persona, mes tyre 57 fëmijë të pashoqëruar.

Advertisement

Një ditë më parë, anija gjermane “Sea-Watch” shpëtoi mbi 400 emigrantë, që udhëtonin me katër varka të mbipopulluara, mes tyre disa fëmijë të vegjël dhe dy gra shtatzëna.

Në Lampeduzë, rreth 750 emigrantë kanë zbarkuar sot dhe dje duke futur në vështirësi qendrën e pritjes së emigrantëve në ishull, e cila trajton mbi 1000 vetë. VOA/

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2022 Struga.info | Privacy policy