Si do të pozicionohet Turqia nëse Rusia pushton Ukrainën?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Si do të pozicionohet Turqia nëse Rusia pushton Ukrainën?

Nga Asli Aydıntaşbaş “European Council on Foreign Relations

Ndërsa Evropa po përndiqet nga hija e luftës së mundshme në Ukrainë, ajo që anëtarët individualë të NATO-s do të bëjnë – ose zgjedhin të mos bëjnë – do të ketë një pasojë gjeopolitike të rëndësishme sa i përket mënyrës se si zhvillohet çdo konflikt.

Kur flitet për Ukrainën, Turqia nuk është një anëtare dosido e NATO-s. Kohët e fundit Ankaraja i ka shitur Kievit dronë luftarakë – disa prej të cilëve ushtria ukrainase i ka përdorur tashmë në Donbas, me një efekt shumë të madh kundër separatistëve pro-rusë.

Po ashtu Turqia është një aleate e ngushtë e Rusisë dhe një partnere tregtare kryesore e saj. Prandaj Ankaraja është treguar shumë e kujdesshme që të mos dëmtojë interesat e Moskës nëpër zona të ndryshme ku ka sot konflikte.

Advertisement

Nën drejtimin e Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin, Turqia dhe Rusia ndajnë shumë më tepër interesa të përbashkëta nga sa mund të duket në pamje të parë. Dy fuqitë e ringjallura duan të shkundin rendin botëror post-sovjetik, secila prej tyre ka një përbuzje për normat liberale, dhe të dyja duan një rol më të madh në skenën botërore për vendet e tyre përkatëse.

Turqia dhe Rusia kanë zhvilluar gjithashtu një formë unike të marrëdhënieve, të quajtur shpesh “bashkëpunimi konkurrues”, ku mbështesin palët kundërshtare në konfliktet në Libi, Siri dhe Kaukazin e Jugut, por e bëjnë këtë duke e njohur sferën e zgjeruar të ndikimit të njëra-tjetrës.

Kjo marrëdhënie unike midis Erdogan dhe Putin, mund të jetë e vështirë që të kuptohet plotësisht nga vendet perëndimore. Në vitin 2014, Turqia e kritikoi pushtimin rus të Krimesë, por nga ana tjetër nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë të udhëhequra nga SHBA.

Në vitin 2017, Turqia nënshkroi një marrëveshje për të blerë sistemin raketor S-400 të prodhuar nga Rusia dhe pavarësisht kundërshtimit të fortë të Uashingtonit, e mori atë në vitin 2019, pavarësisht kërcënimit me sanksione nga Amerika.

Advertisement

Nuk ka asnjë dyshim se Ankaraja do të dëshironte të qëndronte jashtë çdo konflikti ushtarak me Rusinë, për shkak të Ukrainës. Pavarësisht shtimit të shitjeve të armëve ndaj Ukrainës, instinkti i Turqisë do të jetë një qasje në thelb neutrale.

Sipas të gjitha gjasave, Ankaraja do t’i bashkohej formalisht partnerëve të saj të NATO-s për ta denoncuar pushtim rus të Ukrainës; por nuk do t’i bashkohej vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Moskës. Erdogan do të synojë ta vazhdojë bashkëpunimin me Rusinë në Siri dhe në fushën ekonomike.

Por nga ana tjetër ai do të thellojë edhe angazhimin me NATO-n, me synim përmirësimin e pozitës së tij në skenën globale dhe pakësimin e kritikave ndërkombëtare për sjelljen e tij brenda vendit. Kjo e fundit po bëhet më e rëndësishme për liderin turk, pasi kundër tij është krijuar një opozitë e bashkuar, dhe sondazhet tregojnë ekzistencën e një shumice anti-Erdogan.

Por ky është një kurs i vështirë për t’u ndjekur. Nëse ndodh një pushtim rus i Ukrainës, dhe NATO nis të furnizojë me armë forcat ukrainase, a do të vazhdojë Ankaraja të dërgojë dronë ushtarakë në Kiev? A do ta lehtësonte ajo qasjen e trupave të NATO-s në Detin e Zi?

Advertisement

Dhe a do t’i frenonte marrëdhëniet e saj aktualisht shumë të mira me Rusinë?Është shumë herët për të ditur përgjigjet e këtyre pyetjeve. Por duke pasur parasysh ndikimin e rëndësishëm që ka Rusia mbi Turqinë në Siri, por edhe mbi ekonominë e saj me jo pak probleme vitet e fundit, Ankaraja ka të ngjarë të synojë të bëjë aq sa duhet për ta forcuar pozitën e saj në gjirin e NATO-s (dhe ta përdorë këtë si një mundësi për të përmirësuar lidhjet me Uashingtonin), por më pak se sa do të duhej për të shmangur hakmarrjen e Rusisë.

Dhe ja cila është arsyeja:Në Siri, Ankaraja varet nga pëlqimi i Moskës për të vazhduar kontrollin e zonës së sigurt të trupave turke, të krijuar pas inkursioneve të njëpasnjëshme në vend. Rusia e kontrollon hapësirën ajrore dhe gjithçka tjetër përreth.

Dhe është kryesisht prania e Rusisë, ajo që garanton disi armëpushimin e brishtë në Sirinë veriore midis opozitës siriane, regjimit sirian, Turqisë dhe kurdëve sirianë. Prandaj, Turqia do të paguante një kosto të lartë në Siri, në rast se Rusia do të kthehej kundër saj për shkak të qasjes së Ankarasë ndaj Ukrainës.

Për shembull, në Idlib, disa miliona sirianë jetojnë në një strehë të sigurt nën menaxhimin e opozitës siriane, dhe me mbështetjen e Turqisë. Por kjo pjesë e vendit është shumë e brishtë ndaj një sulmit të ardhshëm të regjimit të Assad, dhe nëse këtë gjë e lejon Rusia.

Advertisement

Do të mjaftonin vetëm disa sulme ajrore nga forcat siriane apo ruse për të krijuar panik në mesin e popullatës sunite në Idlib, dhe për të detyruar miliona sirianë të niseshin drejt kufirit turk, diçka që Ankaraja nuk ka luksin ta përballojë, duke pasur parasysh praninë aktuale të mbi 4 milionë sirianëve dhe ndjenjat në rritje anti-siriane në opinionin turk.

Ndërkohë Rusia gjithashtu ka një mekanizëm të madh ndikimi ekonomik mbi Turqinë. Përveç sistemit S-400, Rusia po ndërton reaktorin e parë bërthamor të Turqisë, dhe së fundmi ka ndërtuar një gazsjellës nën Detin e Zi që çon gazin rus drejt Turqisë, dhe po e furnizon këtë vend me sasinë më të madhe të gazit natyror që i nevojitet.

Pavarësisht dëshirës së Ankarasë për diversifikimin e furnizimeve energjitike, qytetet turke kanë ende nevojë për gaz natyror rus që të garantojnë ngrohjen e banorëve. Por kjo nuk do të thotë se Ankaraja është një vasale e rusëve apo se është e lumtur për këtë varësi që ka nga Moska.

Përkundrazi, kjo do të thotë se turqit do të sillen me shumë kujdes kur bëhet fjalë për Ukrainën. Ndërkohë, Ankaraja ka gjithashtu një marrëdhënie të ngushtë me Kievin, dhe e ka mbështetur vazhdimisht pavarësinë e Ukrainës, Moldavisë dhe vendeve të tjera post-sovjetike.

Advertisement

Ashtu siç osmanët tentuan të parandalonin zgjerimin rus për shekuj, për shembull duke u rreshtuar me Perëndimin kundër Rusisë në Luftën e Krimesë. Në fillim Turqia kemaliste u rreshtua me Bashkimin Sovjetik, por më vonë u përpoq ta kufizonte ndikimin e saj duke iu bashkuar NATO-s në vitin 1952.

Erdogan u takua disa herë me Volodymyr Zelensky gjatë vitit 2021, dhe Ukraina ka blerë të paktën një duzinë dronë Bayraktar TB2, lëvizje që e zemëroi aq shumë Moskën, sa të nxiste zhvillimin e një bisedë telefonike midis Erdogan dhe Putin.

Kompanitë ukrainase kanë atë që i mungon industrisë së mbrojtjes së Turqisë:njohuritë se si të prodhojnë motorë me naftë për projektet ambicioze të mbrojtjes së Turqisë, përfshirë tanket dhe avionë luftarakë. Nëse ndodh një pushtim, Turqia do të ishte nën presionin e NATO-s për të vazhduar furnizimin e Ukrainës me dronë ushtarakë dhe pajisje të tjera.

Mund të ketë kërkesa për hyrjen dhe daljen e anijeve të aleancës nga Deti i Zi, që kontrollohet në Bosfor nga Turqia. Dhe nëse kjo e fundit dëshiron një përjashtim nga sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, do t’i kërkohet të bëjë më shumë për të ndihmuar një kryengritje anti-ruse në Ukrainë, të cilën zyrtarët amerikanë kanë thënë se janë të gatshëm ta mbështesin nëse dështon diplomacia.

Advertisement

Por, ndërsa Ukraina mund të jetë një partnere e dobishme për Turqinë, dhe një mjet i mirë për të përmirësuar marrëdhëniet e trazuara të Ankarasë me NATO-n, nga këndvështrimi turk, ky vend nuk ka ndonjë rëndësi aq strategjike për të, që t’ia vlejë të shkohet në luftë.

Në krizën që do të nxiste konflikt, as NATO dhe as Rusia nuk do ta vlerësonin sjelljen  e paqartës të Turqisë, dhe secila do të kërkojë mënyra delikate për t’i bërë presion Turqisë që të mbajë një qëndrim të qartë. Ankaraja ka qenë edhe më parë në një pozitë të ngjashme.

Ajo tentoi një qasje të ngjashme si në Luftën e Parë ashtu edhe Luftën e Dytë botërore, duke pasur sukses në rastin e dytë, por duke dështuar me pasoja katastrofike në të parin. Në të kaluarën Erdogan e ka treguar veten si mjeshtër i një balancimi të tillë gjeopolitik. Por, me një pozitë të dobësuar në vend, dhe me partnerët e distancuar jashtë vendit, një luftë në Ukrainë do të ishte sfida e tij më e madhe deri më sot. /abcnews.al

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy