Si duhet të përballemi me “Luftën e Re Hibride” të Kremlinit në Evropë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Si duhet të përballemi me “Luftën e Re Hibride” të Kremlinit në Evropë

Nga Anders Aslund “Project Syndicate

Me afrimin e dimrit, Kremlini po nxit jo pak telashe në Evropë. Makinacionet e tij të fundit përfshijnë një luftë të furnizimeve me gaz kundër vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore; një krizë të emigracionit përgjatë kufijve të Bjellorusisë me Lituaninë, Letoninë dhe Poloninë; një mobilizim të ri ushtarak në kufirin lindor të Ukrainës; dhe një fushatë propagandistike për shkëputjen e Repubulikës Srpska nga Bosnje Hercegovina.

Ndonëse kjo fushatë ka objektiva të shumëfishtë, përmes saj kalon një “fill” i përbashkët: dëshira e Kremlinit për ta përçarë dhe dobësuar Bashkimin Evropian. Kjo nënkupton marrjen sa më shpejt që të jetë e mundur të miratimit nga Gjermania për gazsjellësin “Nord Stream 2”; prishjen e tregut të gazit në BE, me synim rikthimin tek kontratat afatgjata të stilit sovjetik, me çmimet e gazit të lidhura me naftën; dobësimin e Ukrainës dhe detyrimin e Moldavisë që të braktisë Marrëveshjen e saj të Asociimit me Bashkimin Evropian, dhe bashkimin me Unionin Ekonomik Euroaziatik të drejtuar nga Rusia.

Kremlini pritet të bëjë disa paralajmërime serioze, përpara se të godasë më fort nëse krijohet mundësia. Kjo do të thotë që Perëndimi – Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe Britania e Madhe – duhet të veprojnë shpejt për të shmangur çdo gjë që do të ndodhë më pas.

Advertisement

Gabimi më i madh që dikush mund të bëjë në reagimin ndaj provokimeve ruse, është të mos bëjë asgjë, ose të reagojë shumë ngadalë dhe tepër butë. Sikurse argumenton Keir Giles i “Chatham House”, Perëndimi duhet të pranojë se “përballja me Rusinë nuk mund të shmanget më, pasi po ndodh tashmë”.

Historia tregon se “Rusia e respekton forcën, teksa e përçmon kompromisin dhe sjelljen e butë”. Dhe fatmirësisht, Perëndimi zotëron tashmë shumë mjete efektive, dhe me krijimin e një qeverie të re gjermane, e cila ka të ngjarë të jetë më pak miqësore ndaj presidentit rus Vladimir Putin, ekziston mundësi për një mendim të ri strategjik.

Lufta e gazit, duhet të jetë mjaft e lehtë për t’u zhvilluar. Më 21 korrik, SHBA-ja dhe Gjermania lëshuan një deklaratë të përbashkët mbi “Nord Stream 2”, duke shpallur “vendosmërinë e tyre për të kërkuar llogari nga Rusia mbi agresionin dhe aktivitetet e saj keqdashëse, duke i shkaktuar kosto nëpërmjet sanksioneve dhe mjeteve të tjera”.

Pas 4 muajsh të përshkallëzimit të veprimeve të Rusisë, administrata e presidentit amerikan Joe Biden, duhet të ndihet e detyruar që t’i japë fund heqjes dorë nga sanksionet e miratuara nga Kongresi mbi “Nord Stream 2”, dhe qeveria gjermane duhet të bjerë dakord me këtë gjë.

Advertisement

Kjo qasje do ta ndalonte njëherë e mirë këtë gazsjellës. Por nëse nuk vepron administrata Biden, Kongresi e ka ende këtë mundësi, duke shtuar sanksione të reja të detyrueshme në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2022.

Evropa ka aktualisht rezerva të pamjaftueshme të gazit, pasi kompania ruse “Gazprom” ka bërë disa manovra për të krijuar një mungesë artificiale të gazit në treg. Ajo zotëron një të katërtën e kapacitetit të magazinimit të gazit në Gjermani, Austri dhe Holandë, dhe i ka mbajtur bosh depozitat e jashtme, ndërsa i ka mbushur plot depozitat tij të brendshme.

Zgjidhja e qartë është se BE-ja duhet që ta ndalojë “Gazprom” dhe furnizuesit e tjerë të huaj të zotërojnë depozita të magazinimit në BE, dhe të caktojë nivele minimale të stoqeve në kapacitetin ekzistues të magazinimit. Për shkak se unioni është në fakt blerësi i vetëm i gazit të “Gazprom”, ai duhet të fillojë të operojë kolektivisht për të kufizuar fuqinë monopol të kompanisë ruse.

Megjithëse administrata e Biden e ka toleruar “Nord Stream 2” (teksa ka ndalur gazsjellësin kanadez Keystone XL), ajo ka refuzuar që të përfshihet në krizën evropiane të gazit. Kjo qasje duhet të ndryshojë. SHBA duhet të angazhohet për ta furnizuar vetë Evropën me gazin natyror të lëngshëm (LNG), pikërisht tani që Evropa ka ndërtuar kapacitetin për marrjen e dërgesave të tilla.

Advertisement

Sa i përket dramës në kufirin Poloni-Bjellorusi, ne jemi dëshmitarë të një lloji të ri të luftës hibride, të nxitur nga sundimtari i paligjshëm i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. NATO dhe BE duhet që ta njohin situatën si të tillë, dhe të ofrojnë mbështetjen e tyre të plotë për Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë.

Këshilli i Jashtëm i BE-së kishte të drejtë kur vendosi sanksione ndaj të gjitha linjave ajrore dhe kompanive të përfshira në trafikimin e njerëzve nga Lindja e Mesme në kufirin bjellorus. SHBA duhet ta ndjekë këtë shembull, duke forcuar sanksionet e veta (deri tani shumë të buta) kundër Bjellorusisë.

Që kur Biden ka marrë detyrën, SHBA është ngritur me vendosmëri në mbrojtje të fqinjëve jugorë të Bjellorusisë dhe Ukrainës. Vizita e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë në shtator, ishte një ngjarje vendimtare. Për më tepër, jo më pak se ajo e 3 sekretarëve të qeverisë amerikane, që e vizituan tashmë Ukrainën këtë vit.

Ndërkohë më 10 nëntor, SHBA miratoi Kartën për Partneritetin Strategjik SHBA-Ukrainë. Dokumenti e angazhon SHBA-në të mbështesë “të drejtën e Ukrainës për të vendosur vetë kursin e saj të politikës së jashtme, pa ndërhyrje të jashtme, përfshirë atë në lidhje me aspiratat e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO”.

Advertisement

Por ndërkohë duhet të veprojnë edhe BE, NATO, Gjermania dhe Franca. Ditët e fundit, ata kanë folur që të gjithë kundër agresionit rus kundër Ukrainës. Edhe Britania ka angazhuar 600 forca speciale në Ukrainë. Nëse qeveria e re gjermane do të jetë serioze në sigurimin e paqes në Evropë, gjëja e vetme më efektive që mund të bëjë është ta mirëpresë Ukrainën në NATO.

Ukraina i ka rezistuar për vite me radhë agresionit ushtarak rus, duke shërbyer si një mburojë për pjesën tjetër të Evropës. Gjermania nuk është gati të mbrohet, ndaj duhet ta ndihmojë Ukrainën që ta bëjë këtë duke e furnizuar me armë, siç po bëjnë tashmë SHBA-ja, Britania e Madhe, Kanadaja, Polonia dhe Lituania.

Së fundmi, është çështja e Ballkanit. Tensionet po rriten sërish në ish-Jugosllavi, pasi BE-ja e ka refuzuar angazhimin e saj për të hapur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në Shkup, një qeveri pro-evropiane sapo e ka humbur pushtetin, pasi ka bërë lëshime të shumta ndaj BE-së në këmbim të asgjësë.

Do të ishte mirë që BE të ishte serioze në lidhje me ndjekjen e idesë së një “Evrope të plotë, të lirë dhe në paqe”, siç e theksoi George H.W. Bush në majin e vitit 1989. Ajo duhet që ta bëjë këtë duke nisur menjëherë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe ta pengojë Republika Srpska nga flirtimi me shkëputjen nga Bosnja. SHBA dhe BE kanë në duar “karta” me shumë vlerë. Por duhet që t’i përdorin ato shpejt dhe në mënyrë efektive, për të shmangur sulmin e fundit nga Rusia. / abcnews.al

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy