Tani edhe nga veriu, “Goli” i radhës i NATO-s ndaj Rusisë? Anëtarësimi më i ri, që do t’i shkaktojë Putinit “dhimbje koke”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Tani edhe nga veriu, “Goli” i radhës i NATO-s ndaj Rusisë? Anëtarësimi më i ri, që do t’i shkaktojë Putinit “dhimbje koke”

Nga Andrea Muratore “Il Giornale

Vladimir Putin beson se skenari gjeopolitik më problematik për Rusinë, është një zhvendosje përfundimtare e Ukrainës në orbitën e Atlantikut, si një anëtare e plotë e NATO-s dhe rrjedhimisht pasja e një kufiri të drejtpërdrejtë midis aleancës perëndimore dhe federatës ruse.

Por ky skenar duhet lexuar paralelisht edhe me “mundësinë”, që e njëjta gjë të ndodhë në frontin tjetër më në veri, me anëtarësimin në NATO të Finlandës. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur u sulmua fillimisht nga Bashkimi Sovjetik, dhe ishte më vonë aleate e Gjermanisë, Helsinki zgjodhi një qasje të fortë neutrale për disa dekada, duke pasur marrëdhënie të mira si me Moskën, ashtu edhe me bllokun perëndimor.

Në fakt, marrëveshja me Bashkimin Sovjetik rregullohej sipas disa protokolleve të rrepta. Me nënshkrimin e një traktati të miqësisë, bashkëpunimit dhe asistencës teknike në vitin 1948,

Advertisement

ky vend u angazhua të mbronte territorin e tij nga një sulm i mundshëm nga Gjermania Perëndimore apo vendet aleate me të, si dhe të mbronte territorin sovjetik në rastin e një sulmi përmes vetë Finlandës.

Paralelisht, Helsinki e garantoi Moskën se nuk do të hynte në asnjë lloj aleance të drejtuar kundër saj, për aq kohë sa do të ekzistonte Bashkimi Sovjetik. Megjithatë, kryeministrja e re finlandeze, Sanna Marin, ka rikthyer kohët e fundit idenë se në të ardhmen Finlanda mund t’i bashkohet Aleancës Atlantike.

Ajo e bëri këtë deklaratë, pasi kritikoi presionin e fortë që po ushtron Moska ndaj Ukrainës. Në këtë mënyrë ajo riktheu në qendër të vëmendjes një temë diskutimi, e cila është aktive prej disa kohësh në politikën finlandeze, dhe që mund të sjellë pasoja të rëndësishme strategjike në zonën e Baltikut dhe Arktikut.

Bashkë me Suedinë, një vend me një traditë të gjatë ushtarake, dhe që synon prej kohësh anëtarësimin në NATO, Finlanda është vendi kryesor i Bashkimit Evropian ende jo anëtar i NATO-s, edhe pse sidomos pas ngjitjes në krye të Marin, e ka intensifikuar dialogun për këtë qëllim.

Advertisement

Aktualisht Helsinki merr pjesë aktive në politikën evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes (CSDP) dhe synon forcimin e saj. Marin iu bashkua vitin e kaluar apelit të Angela Merkel për forcimin e autonomisë strategjike dhe sovranitetit teknologjik në kontekstin evropian.

Zyrtarisht, Finlanda ka qenë gjithmonë në favor të një bashkëpunimi më të madh ndërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s në emër të multilateralizmit. Dhe në këtë kontekst, ajo ka kontribuar duke dërguar trupa dhe personel civil në Forcën Ndërkombëtare të Asistencës për Sigurinë (ISAF) në Afganistan në vitin 2002.

Më herët, ajo dërgoi trupat e saj paqeruajtëse në Kosovë në vitin 1999, në mbështetje të misionit të NATO-s, KFOR. Por sfera e sigurisë së brendshme është rikthyer në krye të axhendës politike, pas mosmarrëveshjeve të ashpra gjeopolitike midis Perëndimit dhe Rusisë gjatë viteve të fundit.

Po çfarë do të ndryshonte me hyrjen e Finlandës në NATO? Për Finlandën, anëtarësimi në NATO do të nënkuptonte një zgjerim të rolit të saj si një aktore rajonale, dhe një rritje të peshës relative të këtij vendi në Bashkimin Evropian, por edhe një zgjerim të gamës së veprimit të saj në kuadrin e qeverisjes baltike, eksplorimit të Arktikut, kërkimit teknologjik, dhe të qenit një force shtytëse për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me një lojtare kryesore të aleancës në Skandinavi, Norvegjinë fqinje.

Advertisement

Por njëherazi, për vendin që ka fituar pavarësinë vetëm nga viti 1917, kjo do të përbënte një kthesë strategjike e paprecedentë, me anëtarësimin në një aleancë të strukturuar, akt që do t‘i sillte jo pak probleme në marrëdhëniet me Rusinë.

Në politikën dhe opinionin publik finlandez, dominon ideja se anëtarësimi në NATO mund të shihet si një gafë nga Moska, dhe kjo mund të përkeqësojë marrëdhëniet midis dy vendeve, që sot kanë marrëdhënie tregtare me vlerë disa miliarda euro.

Moska i frikësohet vendosjes së trupave amerikane ose aleate në një vend që historikisht konsiderohet një “krah i mbuluar” në politikën e saj të jashtme. Hyrja e Finlandës në NATO, do të ishte një premisë e nevojshme për një anëtarësim të ngjashme të Suedisë.

Kjo do e shndërronte Baltikun në një territor në të cilin Rusia do ishte një pakicë, dhe do të sinjalizonte nisjen e presionit strategjik ndaj Moskës edhe në Arktik, një rajon i konsideruar nga Kremlini si me një rëndësi prioritare për vendin.

Advertisement

Njëkohësisht, mbështetja e ish-vendeve sovjetike baltike ndaj anëtarësimit të Finlandës në NATO, e frikëson Moskën për konvergjencën që mund të krijojë ky akt në nivel rajonal. Gjithsesi nuk mund të përjashtohet ndonjë interpretim tjetër.

Sikurse raporton “Financial Times”, të pushtetshmit në Kremlin kanë shumë respekt për aftësitë dialoguese të lidershipit finlandez. Dhe nëse nga njëra anë socialdemokratja Marin shihet me vëmendje për lëvizjet e saj, nga ana tjetër presidenti vendit Sauli Niinisto, anëtar i  Partisë së Koalicionit Kombëtar me orientim liberalo-konservator, pavarësisht se është mbështetës i afrimit të Finlandës me NATO-n, konsiderohet gjithashtu nga analistët strategjikë si “lideri evropian më i respektuar nga Putin”.

Nga ky këndvështrim, një Finlandë në NATO, mund të shihej sipas një llogaritje politike të paskrupullt si një faktor për të zbutur frymën anti-ruse në aleancë, që vërehet shpeshherë nga vendet baltike dhe ato të Evropës Lindore.

Prandaj, konteksti gjeopolitik evropian është në lëvizje të plotë. Dhe vende si Finlanda po bëhen sërish lojtare qendrore, pikërisht në një fazë të paqëndrueshmërisë akute në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pranimi në NATO për të cilin flet Marin, nuk do të arrihet domosdoshmërisht në një kohë të shkurtër.

Advertisement

Por Helsinki donte t’i kujtonte Moskës, Evropës dhe SHBA-së gatishmërinë e saj për të luajtur një rol në përballjet e nesërme mbi çështjet e sigurisë kombëtare, duke mos dashur domosdoshmërisht të ndikohet nga raportet midis fuqive të mëdha në vitet në vijim. Dhe ashtu si Finlanda, mund të veprojnë në të ardhmen edhe shumë vende të tjera. /abcnews.al

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy