Turqia nuk heq dorë nga blerja e raketave ruse S-400

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Turqia nuk heq dorë nga blerja e raketave ruse S-400

Turqia tha të enjten se nuk do ta kthejë pas blerjen e sistemeve ruse të mbrojtjes S-400 pavarësisht sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, por shtoi se do të kërkonte t’i zgjidhte çështjet me aleatin e saj të NATO-s përmes dialogut.

 

Në dhjetor, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Ankarasë për blerjen e sistemeve ruse S-400 me arsyen se ato rrezikojnë avionët e saj luftarakë F-35 dhe janë të papajtueshme me mbrojtjen e përbashkët të NATO-s. Turqia e ka hedhur poshtë këtë dhe thotë se sistemet do të jenë të pavarura nga mbrojtja e NATO-s.

 

Advertisement

Pas zgjedhjes së zotit Joe Biden president i Shteteve të Bashkuara, Ankaraja ka thënë se dëshiron marrëdhënie më të mira dhe propozoi përsëri një grup të përbashkët pune për sistemet S-400. Por Uashingtoni e ka refuzuar vazhdimisht këtë ide dhe thotë se sanksionet do të mbeten derisa Turqia të mos i ketë më raketat.

 

Ministri turk i mbrojtjes tha të martën se Ankaraja do të propozojë vetëm pjesërisht aktivizimin e sistemeve S-400 në negociatat me Shtetet e Bashkuara, sipas mediave në Turqi.

 

Advertisement

Në një intervistë me televizionin shtetëror TRT Haber, zëdhënësi i presidencës turke Ibrahim Kalin tha se komentet e ministrit ishin keqkuptuar, por nuk dha hollësira, duke shtuar se me Uashingtonin ishin duke u zhvilluar bisedime për mosmarrëveshjet, por se nuk duhen pritur zgjidhje të shpejta të problemeve.

 

“Shtetet e Bashkuara kanë thënë deri tani se nuk do të përfshihen në asnjë negociatë mbi këtë çështje (S-400). Turqia nuk do të kthehet pas për sa i përket sistemeve S-400”, tha zoti Kalin.

 

Advertisement

“Po ta lexojmë tablonë strategjike si duhet, ne mendojmë se mund të bëjmë përparime”, tha ai. “Duke propozuar mënyra zgjidhjeje, ne do të jemi në negociata”, shtoi ai, pa dhënë hollësi.

 

Nga mesi i vitit 2019, Shtetet e Bashkuara e hoqën Turqinë nga programi i avionëve F-35, ku Ankaraja ishte prodhuese dhe blerëse.

 

Advertisement

Turqia ka thënë se blerja prej saj e raketave S-400 ishte një domosdoshmëri, pasi ajo nuk kishte alternativa të përshtatshme nga aleatët e NATO-s.

 

Në një telefonatë javën e kaluar që shënoi kontaktin e parë zyrtar mes aleatëve që kur zoti Biden mori detyrën, zoti Kalin i tha këshilltarit të sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, se mosmarrëveshja për sistemet S-400 duhej të zgjidhej.

 

Advertisement

Të enjten, Kalin tha se ai dhe Sullivan kishin rënë dakord të zhvillonin një telefonatë tjetër në ditët në vijim për të diskutuar në mënyrë specifike mosmarrëveshjet, duke shtuar se ministrat e jashtëm të dy vendeve do të flasin gjithashtu në ditët në vijim.

 

Aleatët janë në mosmarrëveshje për disa çështje, nga sistemet ruse S-400s te kërkesa e Turqisë që Shtetet e Bashkuara të ekstradojnë një klerik që fajësohet për grushtin e dështuar të shtetit në korrik 2016. Çështje të tjera janë politikat për Sirinë dhe shkelja nga huadhënësi shtetëror turk Halkbank i sanksioneve kundër Iranit./ Voa

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy