Turqia po u reziston thirrjeve të BE-së për mbajtjen e refugjatëve afganë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Turqia po u reziston thirrjeve të BE-së për mbajtjen e refugjatëve afganë

Me ardhjen e talebanëve në pushtet në Afganistan, Bashkimi Evropian po shpreson që Turqia do të mbajë barrën më të madhe të një eksodi të mundshëm refugjatësh afganë drejt Evropës. Por, deri më tani Turqia u ka rezistuar thirrjeve për të mbajtur refugjatët afganë.

Çdo ditë, refugjatët afganë arrijnë në Turqi nga Irani fqinj.

Ndërsa talebanët forcojnë kontrollin e tyre në Afganistan, po shtohet frika se mund të rritet numri i refugjatëve që udhëtojnë drejt Evropës.

Greqia po forcon dhe zgjeron murin e saj kufitar me Turqinë për të parandaluar hyrjen e refugjatëve afganë në Bashkimin Evropian nga Turqia. Brukseli tani po kërkon që Ankaraja të kontrollojë çdo krizë të mundshme refugjatësh.

Advertisement

“Bashkimi Evropian do të kërkojë nga Turqia të njejtën gjë që kërkoi për krizën e refugjatëve sirianë në vitin 2015. Pra, kjo do të thotë se Turqia është kthyer në një vend që shërben si depo për refugjatët”, thotë Soli Ozel, profesor i Universitetit Kadir Has.

Turqia tashmë ka një marrëveshje për refugjatët me BE-në, në bazë të cilës ajo pranoi gati katër milionë sirianë që u larguan nga lufta civile, në këmbim të një ndihme financiare prej miliarda dollarësh.

Udhëheqësit evropianë e kanë diskutuar çështjen e Afganistanit me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Disa analistë besojnë se BE-ja po kërkon të zgjerojë marrëveshjen e refugjatëve sirianë për të përfshirë edhe afganët, duke premtuar më shumë ndihmë financiare.

“Kjo funksionon për qeverinë deri në një farë mase sepse qeveria ka nevojë për fonde, por shoqërohet me një kosto të madhe politike. Mendoj se ne po shohim një rritje të ndjenjave kundër refugjatëve nga publiku i gjërë,” thotë Asli Aydintasbas nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Advertisement

Një numër dyqanesh të refugjatëve siriane u sulmuan nga një turmë e zemëruar javë më parë në një lagje në periferi të kryeqytetit turk, Ankara.

Partia kryersore e opozitës po kundërshton çdo marrëveshje të re për refugjatët me BE -në, duke thënë se Evropa duhet të ndajë barrën e refugjatëve në vend që të shmangë përgjegjësinë duke paguar të tjerët ta mbajnë këtë barrë.

“Bashkimi Evropian e sheh problemin e migrimit si diçka që mund të ndalet. Ata mendojnë se ky problem mund të zgjidhet me para, duke i ofruar Turqisë ndihmë financiare. Së pari, ndihma që po ofrohet nuk përputhet me shpenzimet që Turqia ka bërë deri tani, dhe së dyti, kjo nuk e zgjidh problemin e migrimit”, thotë Unal Cevikoz, deputet i partisë CHP.

Presidenti Erdogan, i vetëdijshëm për sondazhet që tregojnë një kundërshtim të fortë të publikut ndaj pranimit të më shumë refugjatëve, tani po përjashton mundësinë për çdo marrëveshje të re për refugjatët me BE-në, duke u përqëndruar në sigurimin e kufijve të vendit.

Advertisement

Për këtë arsye, po intensifikohen përpjekjet për ndërtimin e një muri kufitar me Iranin, rruga kryesore e tranzitit për refugjatët afganë.

Për afganët që po ikin nga sundimi i talebanëve, gjetja e një strehimi të sigurt po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy