Ukraina i kërkon Erdoganit të mbyllë ngushticat turke për Rusinë, Turqia në dilemë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ukraina i kërkon Erdoganit të mbyllë ngushticat turke për Rusinë, Turqia në dilemë

Pas sulmit të Rusisë, Ukraina i ka kërkuar Turqisë që të mbyllë Bosforin dhe Dardanelet për anijet ruse, tha të enjten ambasadori i Ukrainës në Ankara.

“Ne bëjmë thirrje që hapësira ajrore, ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve të mbyllen. Kërkesën tonë ia kemi përcjellë palës turke. Në të njëjtën kohë, duam vendosjen e sanksioneve ndaj palës ruse”, tha ambasadori Vasyl Bodnar në Ankara.

Në të njëjtën konferencë për shtyp, Bodnar i kërkoi gjithashtu qeverisë turke të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Qeveria turke, deri më tani, ka qenë e kujdesshme, duke pasur parasysh marrëdhëniet e deritanishme të përzemërta të Ankarasë me Moskën.

Advertisement

“Ne nuk mund të heqim dorë nga të dyja vendet (Ukraina dhe Rusia)”, tha të mërkurën presidenti Rexhep Tajip Erdogan, duke nënvizuar lidhjet ekonomike, politike dhe ushtarake të vendit me të dyja palët.

Erdogan gjithashtu i kërkoi NATO-s, ku Turqia bën pjesë, të përcaktojë qëndrimin e saj sa më shpejt të jetë e mundur dhe kritikoi diplomacinë perëndimore për arritjet e pakta në bisedimet me Moskën.

Erdogan mblodhi Këshillin e tij të Sigurimit të enjten dhe pritej të fliste me media më vonë të enjten.

Qëndrimi i Turqisë për ngushticat do të bëhet më i rëndësishëm ndërsa kriza në Ukrainë ka të ngjarë të thellohet.

Advertisement

Konventa e Montrosë e nënshkruar në vitin 1936 i jep Turqisë kontroll të plotë mbi Bosforin dhe Dardanelet, të njohura edhe si Ngushticat Turke, dhe rregullon tranzitin e anijeve luftarake detare. Ajo garanton kalimin e lirë të anijeve civile në kohë paqeje dhe kufizon kalimin e anijeve detare që nuk i përkasin shteteve të Detit të Zi. Por në rast lufte, Turqia mund t’i mbyllë ngushticat ndaj vendeve të tjera.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy