Ukraina: Qytetarët po i detyrojnë të votojnë për bashkim me Rusinë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ukraina: Qytetarët po i detyrojnë të votojnë për bashkim me Rusinë

Vendet perëndimore dhe Ukraina thonë se votimet e rreme që filluan të premten synojnë aneksimin nga Rusia të katër rajoneve të pushtuara ukrainase.

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden u shpreh nëpërmjet një deklarate se “Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë territorin ukrainas si asgjë tjetër përveçse si pjesë e Ukrainës. Referendumet e Rusisë janë të rreme – një pretekst fals në përpjekje për të aneksuar pjesë të Ukrainës nëpërmjet forcës, në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar, përfshirë edhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Do të punojmë me aleatët dhe partnerët për t’i sjellë me shpejtësi kosto të ashpra ekonomike Rusisë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah partnerëve tanë në mbarë botën – dhe me çdo vend që respekton parimet themelore të Kartës së OKB-së – në refuzimin e çfarëdo rezultati të fabrikuar që do të shpallë Rusia. Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin ukrainas dhe do t’u ofrojmë asistencë sigurie për t’i ndihmuar të vetëmbrohen, ndërsa i rezistojnë me kurajo sulmit të Rusisë”.

 

Advertisement

Disa zyrtarë lokalë ukrainas thanë se votuesit po frikësoheshin dhe kërcënoheshin.

Gjatë votimit, që pritet të zgjasë nga e premtja deri të martën në provincat Luhansk, Kherson dhe në rajonet ku Rusia ka vetëm kontroll të pjesshëm, Zaporizhzhia dhe Donetsk, votuesve u parashtrohet pyetja nëse dëshirojnë që zonat e tyre të bëhen pjesë e Rusisë.

 

Qendra votimi u çelën edhe në Rusi, ku mund të votojnë refugjatë dhe persona të tjerë nga këto zona.

Advertisement

 

Vendet perëndimore dhe Ukraina thanë se votimi është i jashtëligjshëm, sipas ligjeve ndërkombëtare.

 

“Çfarëdolloj votimi apo referendumi në territorin e Ukrainës mund të shpallet dhe zhvillohet vetëm nga autoritetet legjitime, në përputhje me legjislacionin vendas dhe standartet ndërkombëtare”, u shpreh në një deklaratë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. “Pra, ‘referendumet’ e planifikuara do të jenë të jashtëligjshme”.

Advertisement

 

Zyrtarët ukrainas thanë se njerëzve u ishte ndaluar largimi nga disa prej zonave të pushtuara, deri në përfundimin e votimit, dhe se grupe të armatosura shkojnë nëpër shtëpi për t’i detyruar njerëzit të votojnë, ndërsa punonjësve u është thënë se do të shkarkoheshin nëse nuk merrnin pjesë në votime.

 

Serhiy Haidai, guvernatori i rajonit ukrainas Luhansk, tha në qytetin Starobilsk, se popullatës iu ndalua të largohej dhe njerëzit po detyroheshin të dilnin nga shtëpitë e tyre për të votuar.

Advertisement

 

“Sot, gjëja më e mirë për njerëzit e Khersonit do të ishte të mos hapnin dyert e tyre”, tha Yuriy Sobolevsky, zëvendëskryetari i parë i këshillit të rajonit Kherson, i zhvendosur diku tjetër.

 

Rezultatet e referendumeve, që priten menjëherë pas votimit, janë pothuajse të sigurta se do të mbështesin bashkimin me Rusinë.

Advertisement

 

“Ne po kthehemi në shtëpi,” tha Denis Pushilin, udhëheqësi i Donetskut që mbështetet nga Rusia. “Donbasi është Rusi”.

 

“Të gjithë ne kemi pritur për një referendum për bashkimin me Rusinë për tetë vite të gjata”, tha Leonid Pasechnik, udhëheqësi i mbështetur nga Rusia i rajonit Luhansk. “Ne jemi bërë tashmë pjesë e Rusisë. Mbetet vetëm një çështje e vogël – të fitojmë [luftën]”.

Advertisement

 

Ukraina thotë se nuk do ta pranojë kurrë kontrollin rus mbi asnjë nga territoret e saj.

 

Referendumet u organizuan me shpejtësi pasi Ukraina në fillim të këtij muaji rimori pjesë të mëdha të verilindjes në një kundërofensivë.

Advertisement

 

Duke aneksuar këto katër zona, Moska mund t’i portretizojë sulmet për t’i rimarrë ato si një sulm ndaj vetë Rusisë – potencialisht edhe duke e përdorur atë për të justifikuar një përgjigje me armë bërthamore.

Në një fjalim televiziv këtë javë, Presidenti rus Vladimir Putin tha se Perëndimi po përpiqet të dobësojë dhe të shkatërrojë Rusinë dhe se vendi i tij “do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicionin tonë për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë”./R.E.L

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy