Ukraina njoftoi sot se ka rrëzuar tetë dronë të prodhuar nga Irani të nisur kundër saj gjatë natës nga Rusia.
“Armiku sulmoi me tetë mjete ajrore pa pilot Shahid-136/131”, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës në një deklaratë, duke shtuar se ato u nisën nga rajoni Primorsko-Akhtarsk i Rusisë, i vendosur në bregun lindor të Detit Azov.
Dronët u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes në rajonet e Ukrainës jugore dhe qendrore. Asnjë dëm i shkaktuar nga rënia e mbeturinave nuk është raportuar në këtë fazë.
Ky sulm i ri me dron që i atribuohet Moskës pasoi bombardimin e tankeve të magazinimit të naftës në rajonet kufitare ruse. Burime në forcat e sigurisë ukrainase morën përgjegjësinë për disa nga këto sulme duke folur për AFP.
Rusia gjithashtu njoftoi dje, të dielën, se një zjarr shpërtheu në një terminal të gazit natyror në Rusi, një objektiv i mundshëm i forcave ukrainase. Zjarri u shkaktua nga një “faktor i jashtëm”, tha Novatec, e cila menaxhon objektin, pa dhënë detaje të mëtejshme. /vizionplus.tv