Me një kombinim të dronëve dhe raketave, Ukraina po intensifikon sulmet ndaj pozicioneve ushtarake ruse në Krime. Pse konsiderohet gadishulli i aneksuar vendimtar për luftën?
Kjo është nata e dytë radhazi që kjo ndodh. Të enjten herët në mëngjes, trupat ukrainase sulmuan pozicionet ushtarake ruse në gadishullin e aneksuar të Krimesë. Sipas mediave ukrainase, objektivi ishte një sistem mbrojtjeje ajrore edhe më moderne S-300 ose S-400 pranë qytetit Evpatoriya.
Ky do të ishte sistemi i dytë i tillë që sulmohet në Krime brenda pak javësh. Ushtria ruse këtë herë raportoi vetëm një sulm me dron të supozuar të zmbrapsur, pa detaje.
Një natë më parë, Ukraina kishte raportuar një sulm spektakolar në Sevastopol, bazën kryesore të Flotës së Detit të Zi. Sipas raporteve nga Kievi, disa raketa lundrimi goditën një anije luftarake dhe një nëndetëse. Të dy u dëmtuan rëndë. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se anijet do të riparohen.
Ukraina shkatërron urën e Krimesë
Prej javësh, ushtria ukrainase ka shtuar sulmet kundër Krimesë. Sulmet kurrë nuk kanë qenë kaq intensive dhe kurrë nuk kanë rezultuar në kaq shumë humbje për palën ruse. Gadishulli, i aneksuar tashmë në vitin 2014, u shndërrua nga Rusia në vitet në vijim në një kështjellë ushtarake me disa baza për forcat detare dhe ajrore.
Pak para pushtimit rus në shkurt 2022, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës vlerësoi se trupat ruse në Krime ishin 32.000 vetë. Aty thuhet se janë të vendosura edhe armë bërthamore.
Ukraina e sulmoi ishullin masivisht për herë të parë në gusht 2022. Në atë kohë, u godit një aeroport ushtarak pranë Sakit dhe u shkatërruan disa avionë luftarakë. Në tetor, rreth një vit më parë, ura e Krimesë u shkatërrua për herë të parë. Që atëherë, kjo urë, thelbësore për furnizimin e trupave ruse, ka qenë objekt i sulmeve të përsëritura, i fundit prej të cilave u krye nga dronët detarë.