Vrasja e presidentit Kennedy, Oswald u takua me agjentin e KGB-së në Meksikë, dy muaj para atentatit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Vrasja e presidentit Kennedy, Oswald u takua me agjentin e KGB-së në Meksikë, dy muaj para atentatit

Më shumë se 1500 dokumente të dosjes së vrasjes së presidentit amerikan, John Fitzgerald Kennedy, që deri tani ishin të klasifikuara, u publikuan të mërkurën. Mes tyre janë edhe dokumente ku flitet për takimin e vrasësit të presidentit, Lee Harvey Oswald, me një agjent të KGB-së në Meksiko Siti, dy muaj para ngjarjes tragjike, të ndodhur më 22 nëntor 1963.

Publikimi i dokumenteve nga Arkiva Kombëtare ishte shtyrë disa herë nga presidenti Biden, por edhe Trump më parë. Në to, tregohet edhe për një telefonatë drejt Ambasadës Amerikane në Australi, një vit para vrasjes, ku telefonuesi thotë se Bashkimi Sovjetik po komplotonte të vriste Kennedy-n dhe do të paguante një polak 100 mijë dollarë për të kryer këtë mision. Por telefonata u konsiderua e rreme në atë kohë.

Gjithashtu, në dokumentet e deklasifikuara tregohet për përpjekjet e Oswald për të lënë nënshtetësinë amerikane dhe për të marrë atë ruse, duke qenë se edhe bashkëshortja e tij, Marina, ishte ruse.

Megjithatë, studiuesit e JFK nuk u treguan të kënaqur për këtë set dokumentesh, duke i quajtur shumicën e dokumenteve si kopje të publikimeve të mëparshme, ku shpesh ka fshirje të emrave të agjentëve të CIA-s. Dokumente të tjera, deri në 10 mijë, janë programuar të publikohen brenda dhjetorit të vitit 2022, sipas një urdhri të lëshuar nga presidenti Biden në tetor.

Advertisement

Studiuesit thonë se CIA, FBI dhe agjenci të tjera gjithmonë kanë shtyrë këto publikime dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore për lulëzimin e aq shumë teorive konspirative rreth vrasjes së presidentit amerikan. “Gjithmonë na thonë se do të publikohen herën tjetër”, tha për CNN Larry Sabato, profesor i Universitetit të Virxhinas dhe kërkues. “Mungesa e transparencës për të marrë këto dokumente 58 vite pas vrasjes vërteton pse qarkullojnë aq shumë teori të tjera”. Por ish-anëtarë të agjencive të sigurisë në SHBA thonë që, duke qenë se bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur gjatë Luftës së Ftohtë, është normale që të fshihen emrat e efektivëve të CIA-s.

Vendimi për publikimin e dokumenteve në lidhje me vrasjen e presidentit Kennedy u miratua nga Kongresi amerikan në vitin 1992, pjesërisht edhe për shkak të zhurmës që shkaktoi filmi konspirativ i Oliver Stone, “JFK”. Vendimi parashikonte që të gjithë dokumentet të publikoheshin brenda vitit 2017, por Trump dhe tani Biden kanë lejuar shtyrje të shumta, duke pranuar këshillat e FBI-së, CIA-s dhe agjencive të tjera të sigurisë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy