Zelensky: Rusia po e shantazhon Evropën përmes gazit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ukraina e ka akuzuar Moskën për “luftë gazi” kundër Evropës, si dhe për ndalje të furnizimeve për të nxitur “terror” ndaj njerëzve.

Kompania ruse e energjisë, Gazprom, ka bërë të ditur se do t’i zvogëlojë furnizimet me gaz në Gjermani, për shkak të punimeve në një turbinë në Rrjedhën Veriore 1.

Mirëpo, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se kjo gjë përbën vetëm shantazh me gaz kundër Evropës.

Gazsjellësi Rrjedha Veriore 1, që bart gazin nga Rusia në Gjermani, ka punuar nën kapacitetin që ka tash e sa javë.

Advertisement

Më herët gjatë këtij muaji, ky gazsjellës – më i madhi i Rusisë në Evropë – është mbyllur për shkak të punimeve 10-ditore, duke nxitur shqetësime në Evropë se ai mund të mos i rikthehet më punës.

Dërgesat kanë rinisur pesë ditë më parë – ndonëse me kapacitet të zvogëluar.

Mirëpo, të hënën, Gazprom-i ka thënë se do t’i ndalë furnizimet edhe një herë.

Këtë herë kompania ka thënë se i duhet të ndalë furnizimet gati përgjysmë, në mënyrë që t’i kryejë punimet.

Advertisement

Megjithatë, Qeveria gjermane ka thënë se nuk ka arsye teknike për të kufizuar furnizimet.

“Shantazhi me gaz në Evropë, që vetëm sa shkon e përkeqësohet çdo muaj, është i nevojshëm për shtetin terrorist në mënyrë që të vështirësojë jetën e çdo evropiani”, ka thënë Zelensky në adresimin e tij ditor.

Ai ka thënë se Rusia me qëllim është duke e bërë më të vështirë për Evropën që të përgatitet për dimër, pa e marrë parasysh situatën, me të cilën mund të përballen njerëzit në atë stinë.

Bashkimi Evropian, i cili ka siguruar 40 për qind të gazit nga Rusia vitin e kaluar, e ka akuzuar Rusinë edhe për përdorim të energjisë si armë.

Advertisement

Lajmi për një tjetër zvogëlim të sasisë së gazit rrit presionin ndaj shteteve të BE-së që të ulin varësinë e tyre ndaj gazit rus.

Ky vendim, po ashtu, ua bën atyre edhe më të vështirë sigurimin e gazit për muajt e dimrit.

Ministrat evropianë të Energjisë do të takohen të martën në Bruksel, ku pritet të arrijnë pajtueshmëri për një përgjigje të përbashkët ndaj krizës.

Javën e kaluar, Komisioni Evropian u ka propozuar vendeve anëtare që të zvogëlojnë për 15 për qind përdorimin e gazit në shtatë muajt e ardhshëm./R.E.L

Advertisement

 

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy