Zgjedhjet në Gjermani përballë së panjohurës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Zgjedhjet në Gjermani përballë së panjohurës

Fushata për zgjedhjet sjell të papritura: për herë të parë në sondazhe kryesojnë socialdemokratët. Por katër javë para zgjedhjeve është e hapur a do ta drejtojnë Gjermaninë konservatorët apo të majtët, shkruan Auron Dodi.

Rezultati i institutit demoskopik Forsa i ditëve të fundit erdhi papritur. Sipas tij socialdemokratët (SPD) kryesojnë në sondazhe, për herë të parë në 15 vitet e fundit. SPD kryeson me 23 përqind të votave, ndërsa CDU/CSU-ja merr 22 përqind. Të Gjelbrit kanë zbritur tashmë prej kohësh në vend të tretë, me 18%. Kryesimin e socialdemokratëve e ka konfirmuar edhe një sondazh i një instituti tjetër demoskopik, ndërsa një sondazh i institutit Allensbach sheh CDU/CSU-në përpara.

Është e ditur që sondazhet nuk janë rezultatet e zgjedhjeve. Sondazhet pasqyrojnë edhe emocione të momentit. Por që Partia Socialdemokrate Gjermane të dalë partia më e fortë në zgjedhje, kjo tani nuk përjashtohet. Shihet si një mundësi 50:50.

Pse ndryshoi opinioni në dobi të socialdemokratëve?

Advertisement

Në fakt, ngjitja socialdemokrate në sondazhe është vetëm tre përqind në krahasim me zgjedhjet e shkuara parlamentare. Dhe atëherë, në 2017-ën, rezultati u konsiderua historik i ulët për socialdemokratët. Forcimi i socialdemokratëve, në radhë të parë, është një dobësim i CDU/CSU-së.

CDU/CSU kanë rënë 20 përqind përballë socialdemokratëve, që nga janari i këtij viti. I largët duket fillimi i vitit, kur kjo parti pritej t’i fitonte me mbi 30 përqind zgjedhjet. Ndërsa që nga zgjedhjet e kaluara parlamentare partitë unioniste kanë rënë 10 përqind.

Rënia e CDU/CSU-së në sondazhe nisi me krizën e pandemisë. Vaksinimet ecën ngadalë, pasi vaksinat mungonin në Gjermani, ku u shpik vaksina BionTech/Pfizer; në kufizimet e forta të jetës publike njerëzit shpesh nuk dallonin një strategji të qartë; një aferë korrupsioni me maska e disa deputetëve të CDU/CSU-së i goditi më tej partitë unioniste; së fundi, fundi i paorganizuar mirë i angazhimit në Afganistan dhe mungesa e paralajmërimeve në përmbytjen e madhe në dy lande federale duket se e goditën tolerancën e njerëzve.

Me gjithë këto, shanset që kandidati i CDU/CSU-së për kancelar, Armin Laschet të bëhet pasardhës i Merkelit ende ekzistojnë. Lascheti është i aftë për surpriza, siç e tregoi edhe ndeshja televizive e së dielës (29.08.) me kandidatët për kancelarë të SPD-së dhe të Të Gjelbërve: në të ai i vuri qartë përpara socialdemokratit Scholz p.sh. qëndrimin e pavendosur të SPD-së për angazhimet ushtarake.

Advertisement

Performancën e Laschet-it e ndikuan megjithatë disa pakujdesi. Një buzëqeshje në sfond në televizion, kur po fliste presidenti i Gjermanisë për përmbytjen, u interpretua nga kundërshtarët si mungesë empatie. Pengues për Laschetin është edhe fakti që në CDU/CSU ka njerëz që ende e shohin kryeministrin e Bavarisë, Markus Söder, të përshtatshëm si kandidat për kancelar. Dhe sa më të dukshme bëhen krizat, aq më fort pyesin njerëzit kush duket më kompetent për t’i drejtuar më mirë.

Ngjitja e SPD-së lidhet edhe me kandidatin për kancelar

Është fakt, kandidatit socialdemokrat për kancelar, Olaf Scholz deri tani nuk i kanë shpëtuar gabime në fushatën elektorale. Scholz-i ka përvojë të gjatë drejtuese. Si ministër i Financave të Gjermanisë ai drejtoi ekonominë gjatë pandemisë duke shpërndarë shumë para e subvencione. Ai ka qenë ministër në dy qeveri të Merkelit: me përvojën drejtuese dhe me natyrën e qetë ai sugjeron kompetencë e vazhdimësi. Edhe në popull, socialdemokrati Scholz është kandidati më i preferuar për kancelar: për momentin atë e mbështesin 35 përqind e gjermanëve. Pasohet nga kandidatja e Të Gjelbërve, Annalena Baerbock, me 15 përqind. Kurse kandidati i CDU/CSU, Laschet, për momentin merr 11 përqind. Njëkohësisht: 44 përqind e gjermanëve nuk mbështesin asnjërin nga kandidatët.

Sondazhet mund të ndryshojnë. Janë ende katër javë deri në zgjedhjet parlamentare në 26 shtator. Por edhe po nuk dolën të parët, socialdemokratët duket se vendin e dytë e kanë të sigurtë.

Advertisement

Për herë të parë prej 1949 një qeveri me tri parti

Njëkohësisht, emëruesi i përbashkët i të gjitha sondazheve të deritashme sugjeron se CDU/CSU ka shanse të dalë partia më e fortë nga zgjedhjet. Dhe që mandatin për të formuar qeverinë ta marrin unionistët. E sigurtë megjithatë kjo nuk është.

Më të sigurtë që do të jenë pjesë e çfarëdo koalicioni qeveritar janë të Gjelbrit. Ata janë tani në vend të tretë, me 18 përqind. Të Gjelbrit janë të vetmit që e kanë dyfishuar mbështetjen që nga zgjedhjet e kaluara parlamentare. Mbështetja për Të Gjelbrit deri në mes të majit përkohësisht qe më e madhe edhe se mbështetja për CDU/CSU-në. Veç pandemisë, ndryshimi i klimës është tema tjetër që i preokupon më fort gjermanët.

Por edhe liberalët e FDP-së, aktualisht me 12 përqind duket se do të luajnë rol vendimtar, në çdo qeveri koalicioni. Ultra të djathtët e AfD-së, me 10 përqind, nuk i dëshiron njeri si partnerë. Kurse partia E Majta nuk arrin më shumë se 6%.

Advertisement

Përndryshe për momentin duket krejt e hapur se cili koalicion qeveritar do të drejtojë Gjermaninë pas 26 shtatorit.

Shifrat sugjerojnë se Gjermania do të ketë një qeveri me tri parti pas zgjedhjeve parlamentare. Kjo është e re për Gjermaninë dhe mund ta ngadalësojë formimin e qeverisë. Do të ishte hera e parë, prej vitit 1949, që Gjermaninë do ta drejtonin tri parti.

Me gjasa për të formuar qeverinë aktualisht shihet një koalicion CDU – Të Gjelbrit – liberalët e FDP-së. Por gjasa ka po ashtu edhe një koalicion i dominuar nga të majtët: pra midis Socialdemokratëve, të Gjelbërve dhe liberalëve të FDP-së. CDU-ja i druhet fort një koalicioni të tillë, ajo flet për rrezikun e një koalicioni të majtësh në pushtet. Prandaj tani i ka  shpallur socialdemokratët dhe Scholzi-n si kundërshtarët kryesorë në fushatë. Edhe një koalicion SPD-E Majta-Të Gjelbrit nuk përjashtohet si mundësi matematikore.

Më pak i preferuar, sepse shihet mjaft i konsumuar me dy partitë kryesore, do të ishte një koalicion mes CDU-së, SPD-së dhe liberalëve të FDP-së.

Advertisement

DW

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy