
Spitali Klinik “Acibadem Sistina” ka implementuar akceleratorin linear më të avancuar – TrueBeam, një sistem plotësisht i integruar për realizimin e radioterapisë dhe radiokirurgjisë, i zhvilluar nga kompania e njohur Varian Medical Systems. Ky sistem ofron saktësi të jashtëzakonshme dhe efikasitet të lartë në trajtimin e formave më të avancuara të kancerit, përfshirë tumoret e mushkërive, barkut, kokës dhe qafës, trurit dhe gjirit.
Prof. Dr. Deva Petrova, specialiste e onkologjisë, thekson se pas 13 viteve pune të përkushtuar, Departamenti i Onkologjisë dhe Radioterapisë në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina” rikonfirmon përkushtimin e tij me një përparim të rëndësishëm në fushën e onkologjisë.
“Me krenari njoftojmë fillimin e një epoke të re në trajtimin e sëmundjeve malinje. Me instalimine akceleratorit linear TrueBeam, për herë të parë në vendin tonë do të implementohen radiokirurgjia dhe radioterapia stereotaktike. Këto metoda ofrojnë saktësi të jashtëzakonshme në trajtimin e tumoreve malinje dhe beninje, duke siguruar mbrojtje maksimale të indeve të shëndetshme dhe kohëzgjatje më të shkurtër të terapisë. Misioni ynë mbetet i pandryshuar, t’u ofrojmë pacientëve trajtim bashkëkohor dhe mbështetje të plotë në momentet më të vështira të jetës së tyre,” thekson Dr. Petrova.
Pacientët tani kanë qasje në terapi me saktësi të lartë, shpejtësi dhe komoditet, ndërsa ekipi mjekësor ka kapacitetin të trajtojë rastet më të komplikuara të kancerit me efikasitet të lartë.
“Teknologjia TrueBeam na mundëson të zbatojmë teknika të avancuara të ndryshimit të rrezatimit, si radioterapia me intensitet të moduluar (IMRT), radioterapia e udhëhequr nga imazhet (IGRT), radiokirurgjia stereotaktike (SRS), radioterapi stereotaktike e trupit (SBRT) dhe RapidArc – forma më e avancuar e terapisë me modulim vëllimor (VMAT). Kjo shumëllojshmëri e teknologjive na jep mundësinë që çdo trajtim ta përshtatim sipas nevojave individuale të pacientit, duke zgjedhur teknikën më të përshtatshme për secilin rast”, shpjegon Prof. Dr. Deva Petrova.
Sipas Dr. Petrova, trajtimi me TrueBeam zhvillohet në disa faza kryesore: përgatitja e planit individual të terapisë, realizimi i trajtimit dhe monitorimi i vazhdueshëm gjatë trajtimit. “Pasi të mbledhim të gjitha informacionet relevante për karakteristikat e tumorit, përgatitet një plan trajtimi i detajuar dhe preciz, i cili përcakton dozën e saktë, kohëzgjatjen dhe dinamikën e rrezatimit,” shpjegon Dr. Petrova.
VIZUALIZIMI 3D DHE MONITORIMI I TUMORIT NË KOHË REALE
Para dhe gjatë trajtimit, sistemi TrueBeam krijon imazhe 3D me cilësi të lartë në kohë reale, duke u mundësuar mjekëve të monitorojnë dhe përshtatin pozicionin e pacientit me saktësi maksimale. Kjo qasje e avancuar lejon vizualizimin preciz të tumorit dhe rrit ndjeshëm efikasitetin e terapisë.
INTEGRIMI I TRUEBEAM DHE SISTEMI IDENTIFY
Varian ka avancuar teknologjinë e terapisë rrezatuese të udhëhequr nga sipërfaqja (SGRT) përmes integrimit të sistemit IDENTIFY në platformat TrueBeam. Ky sistem inovativ mundëson pozicionim jashtëzakonisht preciz të pacientit, udhëheqje të lëvizjeve gjatë terapisë dhe monitorim në kohë reale, duke rritur saktësinë, efikasitetin dhe sigurinë e trajtimeve. Këto karakteristika janë veçanërisht të rëndësishme gjatë trajtimeve ku organet janë në lëvizje, si p.sh. gjatë frymëmarrjes.
“Sistemi IDENTIFY mundëson ndjekje të shpejtë dhe me saktësi të lartë të lëvizjeve gjatë aplikimit të një spektri të gjerë trajtimesh dhe teknikash, duke përfshirë radiokirurgjinë stereotaktike (SRS), radioterapinë stereotaktike të trupit (SBRT) dhe trajtime me kontroll të frymëmarrjes. Për shembull, gjatë frymëmarrjes, mushkëritë lëvizin dhe diafragma shkakton zhvendosje të mëlçisë, por sistemi TrueBeam përshtatet në mënyrë dinamike me këto ndryshime të vogla në pozicionin e tumorit, duke siguruar që rrezatimi të drejtohet me saktësi maksimale,” shpjegon Dr. Petrova.
QASJE MULTIDISIPLINARE NË TRAJTIMIN E PACIENTËVE ONKOLOGJIKË
Në Qendrën e Onkologjisë dhe Radioterapisë në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina”, trajtimi i pacientëve planifikohet në bazë të një qasjeje multidisiplinare. Konsiliumi onkologjik, i përbërë nga mjekë specialistë nga fusha të ndryshme, bashkëpunon ngushtë për të krijuar një plan trajtimi individual, të përshtatur sipas nevojave të secilit pacient.
Me implementimin e sistemit TrueBeam, “Acibadem Sistina” edhe një herë dëshmon përkushtimin e saj ndaj shëndetit të pacientëve, profesionalizmit dhe kujdesit të vazhdueshëm. Ky sistem mundëson trajtimin radioterapeutik sipas standardeve më të larta botërore, duke ofruar teknika të avancuara që deri më tani nuk ishin të disponueshme për pacientët në vendin tonë.