
ASh, krahu i Arben Taravarit, shpreh shqetësim të thellë për lehtësimin e blerjes së “SBB”-së nga “Alta Banka”, institucion i lidhur ngushtë me qeverinë e Beogradit dhe persona të sanksionuar ndërkombëtarisht.
Nga atje thonë se ky është një kërcënim serioz për stabilitetin financiar, sigurinë dhe orientimin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut.
“Roli i partnerit të koalicionit qeveritar, VLEN është si gjithmonë i dobët dhe i papërgjegjshëm, as nuk pyetet dhe as nuk reagon për vendime strategjike të tilla, duke hapur rrugë ndikimeve destabilizuese që bien ndesh me interesat tona kombëtare.
Është fakt i njohur se Alta Banka bën pjesë në një grup ekonomik të kontrolluar nga individë të afërt me pushtetin e Vuçiqit dhe me rrjetin e influencës serbe e ruse në rajon, rrjet që kërkon të ndikojë drejtpërdrejt vendimmarrjen dhe institucionet e Maqedonisë së Veriut.
Heshtja e Guvernatorit të Bankës Qendrore dhe organeve të sigurisë e bën këtë proces edhe më të rrezikshëm.
Raportet e BE-së dhe shqetësimet e NATO-s për depërtimin e ndikimeve të jashtme janë të dokumentuara. Maqedonia e Veriut nuk mund të bëhet pikë strategjike për përhapjen e influencës serbo-ruse, veçanërisht në sektorin financiar.
Kërkesat tona janë të qarta. Kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme e procesit të blerjes së SBB-së nga Alta Banka, si dhe ndryshime ligjore urgjente që ndalojnë investimet nga persona apo subjekte të sanksionuara ndërkombëtarisht.
Është i donosdoshën forcimi i transparencës dhe kontrollit mbi sektorin bankar, për të bllokuar kapitalin e lidhur me rrjete të huaja armiqësore, por edhe informimi dhe përfshirja e partnerëve ndërkombëtarë në monitorimin e situatës”, thuhet në kumtesën e ASh-së.
Nga ASh kërkojnë izolim të çdo lidhjeje politike e ekonomike që favorizon interesat e Serbisë dhe Rusisë në sektorët strategjikë të vendit./Telegrafi/
The post ASh, Taravari: Maqedonia e Veriut, anëtare e NATO-s, nuk mund të jetë terren për investime të dyshimta me lidhje serbe appeared first on Telegrafi.