Bujar Osmani për Këshillin e Ministrave: Vendimet kryesore për OSBE-në do të merren në Shkup

Pinterest LinkedIn Tumblr +

“Shteti dhe kryeqyteti kanë kapacitet për të pritur të gjithë mysafirët e lartë të cilët do të marrin pjesë në Këshillin Ministror të OSBE-së, i cili do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor në Shkup. Delegacionet e të gjitha vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerëve të Organizatës do të jenë nga 30 deri në 60 persona, respektivisht pritet që të jetë ngjarja më e madhe ndërkombëtare-politike e organizuar në historinë e Maqedonisë së Veriut, ku do të marrin pjesë rreth 1000 delegatë. Jemi të përgatitur dhe i kemi përpunuar të gjithë skenarët për zhvillimin normal të kësaj ngjarje të rëndësishme”. Këtë e theksoi Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mbrëmë në emisionin 360 gradë në TVM.

“Përgatitja dhe destinimi i qendrës sportive Boris Trajkovski po bëhet sipas dinamikës së parashikuar për të pritur delegacionet e vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerët e Organizatës”, tha Osmani.

Duke folur se cilat janë mundësitë e pranisë së Ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov, Osmani iu referua edhe ardhjes së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

“Nuk kam indikacion për Blinkenin se nuk do të vijë. Sipas informacioneve që kemi deri më tani, presim praninë e ministrave të jashtëm të një numri të madh të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, SHBA-së, Kanadasë, Britanisë së Madhe, të gjithë ministrave të vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s, Azisë Qendrore”, tha Osmani. Procedura për praninë e delegacionit rus ka filluar dhe rezultati i saj do të dihet në ditët në vijim, shtoi Osmani.

Advertisement

“Ne dhe fqinjët tanë do të duhet të marrim vendimin përfundimtar nëse do të lejohet fluturimi i hapësirës ajrore në mënyrë që delegacioni rus të jetë i pranishëm”, ka sqaruar Osmani.

Momenti kyç gjeopolitik, agresioni ushtarak rus në Ukrainë, por edhe kriza në Lindjen e Mesme mund të veprojnë si një motiv shtesë për praninë më të madhe të ministrave të punëve të jashtme në Këshillin Ministror të OSBE-së.

“Nëse delegacionet që përmenda, si dhe përfaqësuesit e vendeve të Lindjes së Mesme dhe Ukrainës, Ministri i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, janë të pranishëm në Shkup në një moment kaq kritik gjeopolitik, kjo me të vërtetë e bën Shkupin qendër të botës”, tha Osmani.

Udhëzuesi i OSBE-së për organizimin e një eventi të këtij rangu respektohet plotësisht dhe i gjithë organizimi do të bazohet në kriteret dhe protokollet strikte të përcaktuara nga Vjena, siguroi Osmani.

Advertisement

Kryesimi i Maqedonisë së Veriut, përkundër kushteve komplekse në të cilat ndodhet OSBE-ja, arriti të vendosë në plan të parë çështjet kyçe se çfarë përfaqëson Organizata dhe si kontribuon për njerëzit në vendet në të cilat është e pranishme, si dhe ato çështje që janë të rëndësishme për funksionimin e saj, si zgjedhja e presidentit për vitin 2024, miratimi i buxhetit si dhe emërimi i udhëheqësve për pozita kyçe në institucionet e OSBE-së, tha Osmani.

“Vendimet kyçe për OSBE-në do të merren në Shkup. Ne kemi një rol historik si mikpritës të Këshillit Ministror për të shpëtuar Organizatën. Ky është apeli im për vendet pjesëmarrëse. Organizatën nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të gjejmë zgjidhje që të vazhdojë të funksionojë”, ka theksuar Osmani.

Bujar Osmani për Këshillin e Ministrave: Vendimet kryesore për OSBE-në do të merren në Shkup shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy