Bytyqi: Ekonomia qarkore sjell zhvillim për çdo ekonomi dhe mbrojtje të mjedisit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Investimi që po bëjmë në efikasitetin e energjisë me prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe braktisjen e përshpejtuar të lëndëve djegëse fosile është aspekti kyç dhe më vital i tranzicionit të gjelbër, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi në konferencën “Java e ekonomisë qarkore në Ballkanin Perëndimor” organizuar nga Civil që e implementon rrjeti rajonal LogEx, me iniciativë të organizatës së shquar think-tank Balkan Forum nga Kosova, kurse me mbështetjen e Rockefeller Brothers Fund nga SHBA.

Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se të flasësh për një ekonomi qarkore do të thotë të flasësh për efikasitetin dhe efektivitetin e aktiviteteve ekonomike, se si produktiviteti, konkurrueshmëria dhe rritja ekonomike marrin rrugë të reja zhvillimi që janë të qëndrueshme.

“Globalizimi dhe modeli ekonomik i rritjes së konsumit dhe vetëm nxjerrjes nga natyra dhe burimet natyrore në dekadat e fundit është rritur në mënyrë dramatike. Për rrjedhojë, planetit Tokë i duhet një vit e gjysmë për të rinovuar atë që ne përdorim, pra e konsumojmë brenda një viti. Si qytetërim po përballemi me këtë çekuilibër, i cili pengon edhe qëndrueshmërinë e ekonomisë sonë”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi nënvizoi rëndësinë e ndërgjegjësimit për nevojën e adoptimit të një qasjeje qarkore në ekonomi, e cila nuk është më një aspekt i tërthortë, por një temë qendrore që duhet të drejtojë gjithçka që bëjmë.

Advertisement

“Perspektiva e parë, ndoshta më e rëndësishme në transformimin e ekonomive është që ato të investojnë në krijimin e produkteve që kanë qëndrueshmëri më të madhe dhe në të njëjtën kohë mund të riciklohen në mënyrë që i gjithë cikli të jetë i qëndrueshëm. Një moment kyç në këtë proces është investimi ynë në efikasitetin e energjisë dhe prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme. Heqja e përshpejtuar e lëndëve djegëse fosile është aspekti kyç dhe më jetik i tranzicionit të gjelbër. Kjo përfshin zgjerimin e përdorimit të energjisë diellore, të erës dhe hidroenergjisë, si dhe investimin në teknologji dhe infrastrukturë me efikasitet energjetik”, tha Bytyqi.

Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Bytyqi nënvizoi se një ekonomi kombëtare që po kalon tranzit drejt një ekonomie qarkore nuk mund të anashkalojë zhvillimin e infrastrukturës së gjelbër.

“Kjo përfshin investimin në sistemet e transportit të qëndrueshëm, si automjetet elektrike, transportin publik dhe infrastrukturën e çiklizmit, duke përfshirë promovimin e ndërtesave me efikasitet energjetik, hapësirave të gjelbra dhe planifikimit të qëndrueshëm urban. Promovimi i prodhimit vendor dhe të qëndrueshëm të ushqimit dhe nxitja e të ushqyerit të shëndetshëm është me rëndësi jetike për ndërtimin e një sistemi ekologjik në bujqësi, i cili përfshin mbështetjen e praktikave të bujqësisë organike, respektivisht reduktimin e përdorimit të preparateve kimike në prodhimin e ushqimit”, theksoi ai. Bytyqi shtoi se aspektet pozitive më domethënëse që sjell tranzicioni në një ekonomi të gjelbër është se ofron mundësi për krijimin e vendeve të punës dhe përfshirjen sociale.

Bytyqi: Ekonomia qarkore sjell zhvillim për çdo ekonomi dhe mbrojtje të mjedisit shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy