Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ka reaguar përmes një statusi në Facebook për situatën momentale në Gjykatën Kushtetuese ku u zhvillua debate mbi “Balanserin” dhe u soll miratimi që balanser dhe punësime në baza etnike të mos ketë deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Lloga shkruan se tashmë elita politike maqedonase po përdor këtë gjykatë që me vendime të majorizoi shqiptarët, pasi me procedura në kuvend nuk munden.
“Të gjitha nismat që lidhen me çështjet e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, përdorimin e gjuhës shqipe dhe çështje të tjera etnike në favor të komuniteteve jomaqedonase do të kenë të njëjtin fat si çështja e certifikatave të lindjes, respektivisht shfuqizimin e udhëzimit të ministrit të drejtësisë si dhe abrogimin e neneve përkatëse në ligj. Duhet theksuar se votimi i para një viti ishte i pastër etnik dhe majorizues; i tillë ishte edhe sot (6 vota maqedonase kundrejt 3 votave shqiptare dhe turke).
Dikur, elita politike maqedonase përdorte Kuvendin e Maqedonisë për të majorizuar shqiptarët. Tani, pasi e kanë të pamundur këtë në Kuvend, ata e kanë zhvendosur këtë praktikë në Gjykatën Kushtetuese.
Përderisa në Gjykatën Kushtetuese nuk ekziston votimi i dyfishtë për ligjet me Badinter, domethënë një mekanizëm mbrojtës për bashkësitë e tjera etnike, arroganca e elitës politike maqedonase do të rishfaqet, njësoj si në vitet 1991 apo 1997.”, shkruan Lloga.
Ai shton se më këto lëvizje anti-shqiptare, Maqedonia e Veriut po rrëshqet nga rruga europiane drejt asaj që quhet “Bota serbe”.
“Fatkeqësisht, Maqedonia e Veriut po rrëshqet në një rrugë që është provuar të jetë fatale për të. Sot, shteti ynë po ndan rrugët: ose do të ecë drejt Europës, ose drejt “Srpski Svet”; ose do të mbetet Maqedoni e Veriut dhe Europjane, ose oligarkia maqedonase do ta bëj një pjesë të saj “Južna Banovina”, përfundon reagimi i Llogës.
The post Çështjet shqiptare në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Lloga: RMV-ja njejtë si në vitet e 90-ta, drejt një rruge fatale appeared first on Telegrafi.