Dibër: Ndërmarrja “Standardi” me 1.6 milionë euro borxh, pësojnë të punësuarit dhe qytetarët

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ndërmarrja komunale e Dibrës – “Standardi” ku janë të punësuar mbi 80 persona vazhdon të ballafaqohet me borxhe të mëdha që ka ndaj institucioneve, lartësia e së cilës arrin 98.7 milionë denarë. Është një borxh i madh, i cili pa një përkrahje të institucioneve qendrore dhe lokale, nuk mund të shlyhet. Pikërisht për këtë situatë të rëndë të ndërmarrjes komunale, udhëheqësia e re e kryesuar nga drejtori Burim Kaba, këto ditë përsëri ka patur takim me institucionet qendrore, por edhe lokale – për të tejkaluar situatën me mos pagesën e kontributeve të punëtorëve, gjë që ka sjell edhe reagime të shumta tek të punësuarit.

Kaba me këtë rast tregon se ka patur takim me zëvendësdrejtorin e Drejtorisë për të Ardhurat Publike, Abdulselam Selami, me të cilin ka biseduar në detaje rreth borxheve të mëdha që ka ndërmarrja komunale e Dibrës ndaj institucioneve siç janë Fondi për Shëdetësi, Fondi Pensional, DAP, e tjerë, ndërsa tregon se borxhi i përgjithshëm arrin në 98.784.682 denarë (mbi 1.6 milionë euro), kurse vetëm ndaj Fondit për Shëndetësi, borxhi ka një lartësi prej 21.048.381 denarë.

“Në bisedat që kam patur me përfaqësuesit e institucioneve qendrore, kemi prezantuar edhe mundësitë për tejkalimin e problemit”, thotë Kaba, ndërsa shton se problemi mund të zgjidhet me faljen e një pjese të borxhit meqë kanë kaluar mbi 10 vite pa paguar, si dhe mundësinë që pjesa tjetër e borxhit – të paguhet me këste nga ndërmarrja “Standardi”. Po ashtu, Kaban ka kërkuar të tejkalohet edhe problemi që kanë një pjesë e të punësuarve nga viti 2015, për të cilët janë paguar kontributet, por që nuk gëzojnë të drejtën e sigurimit shëndetësor dhe të drejtat të tjera që kanë të bëjnë me kontributet.

“Nuk është korrekte që për punëtorët – që janë të punësuar pas vitit 2015, kur edhe paguhen kontributet, ata të mos kenë të drejtën siç kanë të gjithë të punësuarit tjerë në komunë dhe më gjerë”. Ndërmarrja në fjalë, e cila përveç mirëbajtjes së higjienës publike menaxhon edhe me ujësjellësin Rosok-Dibër, pikërisht për shkak të borxheve të mëdha ballafaqohet me problemin edhe të parkut vozitës dhe realizimin e projekteve të tjera. Në lidhje me tejkalimin e problemit të madh që ka ndërmarrja komunale, shpeshherë debatohet edhe në institucionet lokale. Para disa kohësh, është diskutuar mundësia që të shfrytëzohet kredi dhe e njëjta më më vonë të paguhet. Megjithatë, drejtori Kaba thekson se një mënyrë e këtillë e tejkalimit të problemit nuk mund të realizohet, ndërsa potencon se rrugëdalja e vetme nga kjo situatë është shlyerja e disa borxheve nga ana e institucioneve qendrore dhe pagesa e pjesës tjetër e borxhit me këste.

Advertisement

Por, problemin e rëndë financiar të ndërmarrjes komunale në Dibër nuk e vuajnë vetëm punëtorët e saj, por mbarë dibranët. Për shkak të problemeve financiare, nuk ka mundësi të realizohen projektet kapitale – siç është sanimi i ujësjellësit Rosok-Dibër. Pushteti vendor pohon se është angazhuar për të tejkaluar problemin, por viteve të fundit për shkak të mos realizimit të projektit, dibranët ballafaqohen me problemin me furnizimin me ujë gjatë sezonit veror, për çka ndërmarrja vendos edhe restrikcione të shumta./Koha.mk/

Dibër: Ndërmarrja “Standardi” me 1.6 milionë euro borxh, pësojnë të punësuarit dhe qytetarët shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy