Dy të tretat e kreut shtetëror të Maqedonisë ndodhen në SHBA, kërkohet transparencë në harxhimin e parave shtetërore

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Funksionarët shtetëror duhet jenë më të arsyeshëm me paratë shtetërore, gjatë udhëtimeve të tyre jashtë vendit, thotë Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Në të njëjtën kohë për vizitë në SHBA ndodhen dy delegacione shtetërore, njëri i udhëhequr nga presidenti Stevo Pendarovski dhe njëri nga kryeministri Dimitar Kovaçevski. Presidenti merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshëm të OKB-së, ndërsa kryeministri do të ketë takime me përfaqësuesit ekonomikë dhe politikë.

Nga tre përfaqësuesit e krerëve shtetëror të Maqedonisë së Veriut, në shtet ndodhet vetëm kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Gjatë pjesëmarrjes në seancat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, praktikohet sistemi i rotacionit – një vit merr pjesë presidenti i vendit dhe një vit kryeministri ka fjalimin e tij. Për herë të parë, të dy zyrtarët e lartë janë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend – në New York.

Pendarovski është i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Elizabeta Gjorgievska, zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Ndërsa edhe kryeministri nuk është i vetëm, me të është edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

Advertisement

Me presidentin përveç bashkëshortes së tij, janë edhe 10 persona – sekretari i përgjithshëm, këshilltarë, shefi i protokollit, sigurimi etj. Ndërsa me kryeministrin janë edhe katër persona tjetër, kur edhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ka marrë pesë persona.

Ish-ambasadori i RMV-së në SHBA, Vasko Naumovski, thotë se është jashtëzakonisht e pazakontë që presidenti dhe kryeministri të mungojnë në të njëjtën kohë.

“Nëse bëhet fjalë realisht për takime të rëndësishme, të cilat nuk mund të shtyhen, atëherë ndoshta do të ishte e kuptueshme. Por në këtë rast shohim se delegacioni i Qeverisë merr pjesë në takime relativisht të parëndësishme që mbahen në të njëjtën kohë kur është atje delegacioni i udhëhequr nga kryetari i shtetit”, thotë Naumovski.

Ai shton se paratë e shtetit duhet të shpenzohen në mënyrë racionale.

Advertisement

“Në të njëjtën kohë duhet t’i kushtohet vëmendje numrit të delegacioneve, që paraqet vështirësi logjistike për misionet tona dhe përfaqësitë diplomatike-konsullore në lidhje me organizimin e këtyre dy vizitave paralele të të dy delegacioneve”, thotë për REL Naumovski.

Harxhimet e udhëtimeve – sekret

Askund nuk thuhet saktësisht se sa i kushtojnë shtetit udhëtimet e delegacioneve shtetërore jashtë vendit, por nëse merren parasysh biletat e avionit, akomodimi në hotel dhe mëditjet e anëtarëve të delegacioneve, mund të supozohet se shuma arrin deri në dhjetëra mijëra euro.

“Të gjithë zyrtarët duhet të japin llogari para popullit. Është në frymën e mirëqeverisjes dhe menaxhimit të burimeve shtetërore”, thonë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Advertisement

Ndryshe, në maj të këtij viti, Shërbimi Qeveritar për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta ka lidhur kontratë njëvjeçare për shërbime të akomodimit në hotele në vend dhe jashtë vendit me kompaninë “New Ways of Travel Ltd. Shkup”. Vlera e kontratës është 134.308 euro (8.260.000 denarë).

Shërbimi i njëjtë ka lidhur marrëveshje për rezervimin e biletave ajrore. Kontrata është nënshkruar vitin e kaluar në korrik me kompaninë “Elite Travel Dooel” dhe është dyvjeçare. Vlera e kontratës është 69.918 euro (4.300.000 denarë). Kompania është e detyruar të sigurojë bileta për klasin ekonomik dhe biznes, plus transportin për pasagjerët nga institucioni ku ata janë të punësuar deri në aeroport dhe anasjelltas, si dhe është përfshirë edhe një test PCR për Covid.

Kryeministri Kovaçevski ishte në fokus të opinionit në maj të këtij viti kur gjatë vizitës së tij në SHBA mori me vete edhe fëmijët e tij. Mediat kërkuan që ai të përgjigjet se kush e ka paguar udhëtimin e fëmijëve të tij. Më pas kryeministri tha se udhëtimet e tij dhe të anëtarëve të delegacioneve janë sipas procedurave të Qeverisë, ndërsa udhëtimet e anëtarëve të tjerë të familjes së tij janë aktivitete të tyre private dhe nuk kanë asnjë pikë kontakti me buxhetin e shtetit.

Radio Evropa e Lirë në maj i ka dërguar një pyetje Qeverisë për shpenzimet e udhëtimit të delegacionit, por deri më tani nuk ka asnjë përgjigje./Telegrafi/

Advertisement

The post Dy të tretat e kreut shtetëror të Maqedonisë ndodhen në SHBA, kërkohet transparencë në harxhimin e parave shtetërore appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy