FRASH-Taravari: Nga 205 punësime dhe avancime nëpër institucione janë vetëm dy shqiptarë, vazhdon deshqiptarizimi i administratës publike

Pinterest LinkedIn Tumblr +

“Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët shpreh shqetësimin dhe revoltën e thellë për procesin e vazhdueshëm të deshqiptarizimit të administratës publike në Maqedoninë e Veriut. Të dhënat e publikuara së fundmi për punësime në institucionet shtetërore, dëshmojnë për një diskriminim sistematik dhe të qëllimshëm ndaj shqiptarëve, të cilët përjashtohen në mënyrë të hapur nga mundësitë për punësim dhe avancim në strukturat shtetërore. Me veprimet e kësaj qeverie të dirigjuar komplet nga Agjenda e OBRM-PDUKM-së, po jepen goditje të drejtpërdrejta ndaj kohezionit ndëretnik dhe barazisë qytetare”, kështu reaguan nga Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët – krahu i Arben Taravarit.

Siç u theksua në deklaratën e tyre për media, në një analizë të thjeshtë numerike, nga gjithsej 205 punësime dhe avancime të realizuara së fundmi në institucione, si: Enti i Statistikave, Arkivi Shtetëror, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Ministria e Kulturës, Regjistri Qendror, Dogana, Hidrocentralet në Strugë, Mavrovë–Rostushë dhe Spile Dibër, dhe së fundmi në REK Manastir, vetëm 2 shqiptarë janë punësuar apo avancuar në këto institucione, përkundër 205 maqedonasve.

“Ky disproporcion alarmant është tregues i qartë i një politike të qëllimshme për të zbehur përfaqësimin shqiptar në administratë. Në këtë kontekst, përgjegjësia bie drejtpërdrejt edhe mbi Zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, i cili ka dështuar të mbrojë interesin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në qeverisje. Mosveprimi i tij përballë këtij diskriminimi të hapur, e bën atë bashkëpërgjegjës në këtë proces të rrezikshëm antishqiptar dhe antievropian. Një zëvendëskryeministër që nuk reagon kur shqiptarët përjashtohen nga institucionet, nuk i përfaqëson shqiptarët! Andaj, FRASH u bën thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë, të mos pranojnë heshtjen si normalitet dhe të mos bien pre e manipulimeve të sistemit të vjetër me aktorë të rinj. Barazia nuk jepet, por fitohet me reagim, me organizim dhe me presion të vazhdueshëm. Kërkojmë transparencë, përfaqësim real dhe barazi të plotë në çdo institucion. Nëse kjo nuk garantohet, atëherë rinia do të reagojë me të gjitha mjetet demokratike për ta ndalur këtë proces të rrezikshëm. E ardhmja e shqiptarëve nuk do të ndërtohet mbi heshtjen e vasalëve, por mbi zërin, organizimin dhe vendosmërinë”, deklaruan nga FRASH.

The post FRASH-Taravari: Nga 205 punësime dhe avancime nëpër institucione janë vetëm dy shqiptarë, vazhdon deshqiptarizimi i administratës publike appeared first on Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy